E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimi, Tirana, në 2011-n trafiku i makinave do të rritet me 40 për qind



Emanuela Sako

Tirana do të ketë një sistem të ri të lëvizjes së makinave, që do të mundësojë shmangien e krijimit të trafikut në kryeqytet. Gjithçka do të mundësohet nga zbatimi i projekteve të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e Unazës së Madhe dhe ndërtimit të mjaft akseve në rrugët që tani kanë qarkullimin më të madh të automjeteve. Sipas një studimi të kryer nga Bashkia e Tiranës për rritjen e trafikut të makinave deri në vitin 2011, rezulton se rritja pritet të jetë me 40 për qind. Sipas vlerësimeve të specialistëve të Urbanistikës tregohet se në vitin 2011 pritet që trafiku të rritet me 40% dhe në vitin 2021 me 80% për qind. Kjo rritje konsiderohet tepër e lartë për infrastrukturën rrugore aktuale. Por, me zbatimin e projektit të Unazës së Madhe, një pjesë e madhe e trafikut do të shmanget. Këto shifra të rritjes së madhe të trafikut janë analizuar në disa alternativa të përballimit të rritjes si dhe në modelime dhe stimulime të zgjidhjes më të mirë të lëvizjes.
Projekti
Zbatimi i projektit do të mundësojë uljen e trafikut dhe shmangien e aksidenteve rrugore. Specialistët e urbanistikës kanë detajuar gjithçka, ku do të parashikohen orare dhe korsi të veçanta për makinat e tonazhit të rëndë, për makinat e vogla, për ambulancat apo biçikletat. Ndërsa për zonën qendrore të kryeqytetit është parashikuar shmangia e lëvizjes së automjeteve dhe do t’u jepet më tepër prioritet lëvizjes së këmbësorëve dhe linjave urbane. Kështu, korsia tip e Unazës është parashikuar të ketë një korsi dedikuar për linjat e transportit publik lokal, korsi për lëvizje për biçikleta dhe të këmbësorëve, si dhe për mjete motorike dhe parkim (privat, me pagesë dhe rezidencial) për mjetet përgjatë Unazës. Nga ana tjetër mendohet se impakti i pritshëm nga zhvillimi i këtij projekti ka të bëjë me përmirësimin e lëvizjes dhe të trafikut jo vetëm për këtë zonë, por në të gjithë qytetin. Gjithashtu, një projekt i tillë përmirëson ndjeshëm edhe lidhjen e zonave rreth qytetit dhe në komunat kufitare me Tiranën me vetë qytetin e Tiranës.
Zonat
Projekti përfshin ndërtimin e Unazës që nga ish-Shkolla Teknologjike dhe deri te Rruga e Elbasanit. Ndërtimi i një pjese të Unazës së Madhe lidh Rrugën e Durrësit me Rrugën e Kavajës dhe kjo pjesë ka një gjatësi rreth 2.2 kilometra, ku përfshihet edhe zgjerimi. Punën për këtë pjesë të Unazës së Madhe ka filluar që në vitin 1999 dhe ka përfunduar në vitin 2006. Në bazë të të dhënave të projektit, Unaza e Madhe ka një gjatësi prej 5.50 kilometrash. Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. Ndërkohë, në projektin e kësaj rruge përfshihet dhe sistemi i sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si dhe semaforët në të gjitha kryqëzimet në nivele. Rruga është parashikuar të ketë edhe disa rrethrrotullime në zona të caktuara, si te “Komuna e Parisit” dhe te Rruga e Elbasanit. Ndërsa është parashikuar që të ndërtohet me 6 korsi në disa segmente kyçe.

12 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›