E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet, vdes një person dhe plagosen dy të tjerë

Aksidentet automobilistike kanë shkaktuar një të vdekur dhe dy të plagosur në harkun kohor të 24 orëve të fundit në Tiranë. Ndërkohë, nga ana e policisë, tri persona janë vendosur në pranga me akuzën e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".

Sipas policisë, shërbimet e rrugores kryen arrestimin në flagrancë të Luan Ilmi Hoxhës, 34 vjeç, banues në Tiranë. Ky person, rreth orës 13:30, në bulevardin "Bajram Curri", pranë degëzimit në rrugën "Luigj Gurakuqi", duke qarkulluar me mjetin tip "Ford" veturë, me targë TR5867N, ka aksidentuar një këmbësor ende të pa identifikuar. Ai është i seksit mashkull, rreth 65 vjeç, i cili ndodhet në gjendje kome në Spitalin Ushtarak.

Gjithashtu, policia tha se nga shërbimet e komisariatit të policisë rrugore u krye arrestimi në flagrancë i Alma Gani Allkajt, 32 vjeçe, banuese në Tiranë. Arrestimi i saj u krye sepse rreth orës 10:30, në Unazë të Re, përballë "Astirit", duke drejtuar automjetin tip "Mercedes Benz" veturë, me targë TR3369N, si pasojë e ndërprerjes së menjëhershme të rrugës ka aksidentuar me vdekje këmbësoren Shine Hamza Allaraj, 63 vjeçe, banuese në Laknas. Megjithatë, aksidentet nuk kanë përfunduar këtu. Përgjatë orëve të vona të natës u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Petrit Ded Cungu, 34 vjeç, banues në Tiranë. "Arrestimi i tij u krye sepse rreth orës 12:00, duke qarkulluar në aksin rrugor të Rrugës së Durrësit, në afërsi të pallatit të sportit "Asllan Rusi", duke drejtuar mjetin tip "Mercedes Benz" veturë, me targë TR9607I, ka aksidentuar shtetasin Ali Rexhep Semurati, 72 vjeç, banues në Tiranë, i cili u dërgua në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore", detajoi grupi hetimor nga policia e qarkullimit rrugor. Më tej, burimet nga uniformat blu shtuan se aksidenti ndodhi si pasojë e ndërprerjes së rrugës nga këmbësori. Sipas policisë, në vendin e ngjarjes, për te tre rastet u kryen veprimet procedurale dhe hetimore, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të "Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor", parashikuar nga neni 290/1 i Kodit Penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›