Kërkohen 15 vjet burg për "anëtarin" e bandës së Lushnjës
Rrezikon të kalojë 10 vjet në qeli, një i ri nga qyteti i Fierit, i cili duke u paraqitur si anëtar i bandës së Aldo Bares kishte trafikuar dhe më pas shfrytëzuar për qëllime prostitucioni një minorene nga i njëjti qytet. Sajmir Nallbani është duke u gjykuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda për veprën penale të "Trafikimit të të miturve", e parashikuar nga neni 128/b/3 i Kodit Penal. Në seancën e djeshme ka qenë radha e prokurorit të lexojë konkluzionet përfundimtare të akuzës. Ai ka kërkuar shpalljen fajtor të Nallbanit dhe dënimin e tij me 15 vjet burg, si dhe me një gjobë prej 6 milionë lekësh. Pas një jave do të jetë radha e mbrojtjes për të dhënë konkluzionet e saj e më pas gjykata do të japë vendimin. Nallbani gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes kërkoi gjykimin e shkurtuar, i cili u pranua nga togat e zeza dhe në këtë mënyrë ka përfituar uljen e 1/3 së dënimit në rast të shpalljes së tij fajtor.
Sajmir Nallbani është denoncuar nga 16-vjeçarja me inicialet L.XH., e cila ishte trafikuar në Athinë e më pas në Belgjikë. Ajo ka deklaruar gjatë dëshmisë së saj përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet, se Nallbani e kishte kërcënuar me jetën, duke u prezantuar si anëtar i bandës së Lushnjës. Ajo dëshmoi të gjitha vuajtjet dhe torturat e të pandehurit Nallbani, që nga koha e mashtrimit për martesë dhe deri në kohën që prostituonte rrugëve të Athinës dhe Brukselit. "Puno se jam kushëriri i Aldo Bares. Ai në Shqipëri do të djegë familjen, kështu që ule kokën dhe puno për mua", i ka thënë i akuzuari 16-vjeçares. Vajza gjithsesi, është treguar me kurajë teksa ka denoncuar Nallbanin. Kallëzimi i saj i ka detyruar oficerët e policisë gjyqësore të qytetit të Fierit që mëngjesin e 17 majit të vitit 2006 të prangosin të riun në banesën e tij në lagjen "15 Tetori" të Fierit.