"Largoni ministrin Enkelejd Alibeaj"
Ashtu siç edhe kishin paralajmëruar familjarët e juristes Rudina Murataj, e cila ka paditur për fyerje ministrin e Drejtësisë dhe drejtuesen e Shkollës së Magjistraturës nuk kanë pushuar përpjekjet e tyre për të gjetur atë që ata e konsiderojnë të drejtën e tyre. Kësaj radhe, familja Murataj i është drejtuar me një mesazh Kryeministrit Berisha, duke kërkuar ndërhyrjen e tij për të larguar ministrin e Drejtësisë. Një formë e pazakontë për të kërkuar dorëheqjen e një ministri, për më tepër i sapozgjedhur, por për familjarët e juristes që pretendon se është lënë padrejtësisht jashtë shkollës së Magjistraturës është një nga mënyrat më demokratike të kërkimit të drejtësisë. "Ne familjarët e juristes, që ka paditur ministrin e Drejtësisë ju drejtohemi Juve me lutje dhe duke treguar shumë qytetari t‘i kërkoni ministrit të Drejtësisë, Z. Enkelejd Alibeaj të japë dorëheqjen nga posti që mban", shkruhet në mesazhin që familja Murataj ka dërguar dje në adresë të Kryeministrit. E kontaktuar në telefon nga "Shqip", nëna e juristes ka thënë se ajo kishte besim të plotë në drejtësinë e Kryeministrit të vendit dhe prandaj kishin vendosur t‘i drejtoheshin atij.
Tashmë procesi gjyqësor ndaj ministrit të Drejtësisë dhe drejtoreshës së Shkollës së Magjistraturës ka nisur në Gjykatën e Tiranës, por duket se familja Murataj është e vendosur të ndjekë të gjitha rrugët për të ndryshuar padrejtësinë, që sipas tyre, i është bërë vajzës së tyre. Por pozicioni i Alibeajt, i cili në momentin e ngritjes së padisë ishte thjesht pedagog në Shkollën e Magjistraturës, ndërsa tani është shefi i dikasterit të drejtësisë duket se i ka vënë në vështirësi familjarët e juristes, të cilët pikërisht për këtë i janë drejtuar për ndihmë kreut të ekzekutivit. "Ne po ndjekim të gjitha rrugët administrative dhe ligjore për të çuar në vend të drejtën tonë. Në pozita të pabarabarta, për shkak të statusit që mban, mendojmë se është në nderin e tij dhe të qeverisë demokratike që zotëria të pranojë dorëheqjen", vazhdon mesazhi të cilin hartuesit e tij e kanë quajtur peticion.
Mesazhi mban datën 8 dhjetor, por familja Murataj ka hasur jo pak vështirësi për ta nisur atë në destinacionin e duhur. E ëma e juristes së re që ka paditur zotin Alibeaj, thotë se ajo është përpjekur gjatë për ta nisur mesazhin në zyrën e shërbimeve të marrëdhënieve me Publikun në Kryeministri. Por për fat të keq numri 234919 i faksit të vënë në dispozicion të qytetarëve nuk ka funksionuar për disa ditë. Në këtë mënyrë, familjarët e Rudina Muratajt janë detyruar të kërkojnë një mundësi tjetër për t‘i nisur mesazhin Kryeministrit dhe më se fundi e kanë nisur atë në adresën e e-mail sektoriletrave@km.gov.al. Pasi janë siguruar nëpërmjet telefonatave se letra e tyre është marrë nga strukturat përkatëse në Kryeministri, ata janë në pritje të një reagimi nga shefi i ekzekutivit. Megjithëse nuk pranon të komentojë se sa shpresë ka se zoti Berisha do ta marrë parasysh kërkesën e tyre, e ëma e juristes Rudina Murataj përsërit atë që familjarisht kanë thënë që në nisje të kësaj përplasjeje, se nuk do të rreshtin së kërkuari të drejtën e tyre, duke përdorur të gjitha format që u njeh ligji.
KRYEMINISTRIT TE SHQIPERISE
Z. SALI BERISHA
PETICION
I nderuar z. Kryeministër!
Ne familjarët e juristes, që ka paditur ministrin e Drejtësisë ju drejtohemi Juve me lutje dhe duke treguar shumë qytetari t‘i kërkoni ministrit të Drejtësisë, Z. Enkelejd Alibeaj të japë dorëheqjen nga posti që mban.
Ne po ndjekim të gjitha rrugët administrative dhe ligjore për të çuar në vend të drejtën tonë. Në pozita të pabarabarta, për shkak të statusit që mban, mendojmë se është në nderin e tij dhe të qeverisë demokratike që zotëria të pranojë dorëheqjen.
Ne do ta kërkojmë të drejtën tonë dhe do ta gjejmë atë me të gjitha mënyrat e mundshme ligjore.
Ju faleminderit!
Familjarët e juristes Rudina Murataj
Gjirokastër më 08.12.2007