Xhelozia e një martese 8-muajshe, e mbyllur me gjak
Që në momentin e parë kur Dafina Havalja kishte shkelur në derë të burrit të saj, Dan Hutra, ajo nuk e kishte ndjerë veten të lumtur. Por nga familja e saj, e cila e kishte martuar me mblesëri, kishte mësuar se dashuria vinte me kalimin e kohës. Të dielën kishte mbushur tetë muaj martuar, por në vend të dashurisë ishte ushqyer vetëm xhelozia e të shoqit, që dje i mori jetën. Emigranti Hutra, i turbulluar nga mendimet, duke qenë për kohë të gjatë emigrant në Greqi, ka marrë thikën dhe e ka qëlluar bashkëshorten e tij 22-vjeçare në zemër. Krimi i pasionit është zbuluar vetëm mëngjesin e djeshëm, ndërkohë që policia ka nisur punën për hetimin e rrethanave që çuan në ngjarjen, e cila tronditi opinionin. Rreth një vit më parë, familja Hutra nga Kukësi kishte kërkuar për nuse të djalit vajzën e Abdulla Havaljës. Kjo e fundit kishte pranuar dhe meqë 25-vjeçari ishte emigrant i rregullt në Greqi, dy të rinjtë ishin martuar pa kaluar shumë kohë. Ata kishin nisur jetën bashkëshortore, e bashkë me këtë kishin nisur edhe konfliktet në çift. Herë pas here ata ishin zënë për motive xhelozie, pavarësisht se familjet e tyre mundoheshin që ata të kalonin një jetë të mirë. Prej tetë muajsh të martuar, dy të rinjtë, Dafina Havalja dhe Dan Hutra, kanë vendosur që të jetojnë në një banesë me qira te vendi i quajtur "Fusha e Aviacionit", në rrugën "Stavri Themeli", në Tiranë. Banorët e zonës tregojnë se që ditët e para, kur çifti i ri ishte zhvendosur në banesën e re, mes tyre kishin nisur debate. Debatet dëgjoheshin edhe nga fqinjët, të cilët shpesh herë donin të njoftonin policinë për parandalimin e ndonjë krimi. E njëjta gjë ka ndodhur edhe të dielën pasdite. 25-vjeçari Hutra, i cili rezulton me vendbanim në Vaqar, i kishte bërtitur të shoqes dhe më pas e kishte goditur edhe me pëllëmbë. Pas kësaj revolte ai është larguar nga shtëpia. Vajza 22-vjeçare nga Klosi i rrethit të Matit ka telefonuar prindërit e saj. "Ejani në Tiranë. Dua të më merrni me vete, se burri më ka rrahur", mendohet se është shprehur ajo, sipas dëshmive të familjarëve të saj para grupit hetimor. Pasdite, Dan Hutra është kthyer sërish në shtëpi dhe debati që kishte shkak xhelozinë ka rinisur. Pas një momenti, shtëpia ka rënë në qetësi. Qetësia ka vazhduar deri mëngjesin e së hënës. Rreth orës 08:30 një telefonatë ka mbërritur në sallën operative të Policisë së Tiranës. Familja e 22-vjeçares kërkonte ndërhyrjen e policisë. "Nuk dimë se çfarë i ka ndodhur vajzës, sepse nuk na përgjigjet në telefon dhe dje është zënë më të shoqin", mësohet se është shprehur familja Havalja nëpërmjet telefonit. Alarmi i dhënë ka detyruar uniformat blu të shkojnë urgjentisht në vendin e ngjarjes. Ata ka shpërthyer derën dhe para tyre është shfaqur një pellg gjaku. Duke ndjekur gjakun, policët kanë mbërritur në dhomën e gjumit. Aty kanë gjetur të gjakosur, shtrirë dhe të vdekur Dafinën 22-vjeçare. Në dorë mbante një thikë gjithë gjak, ndërsa ishte veshur me rroba të thjeshta shtëpie. Skenën rrëqethëse nuk e kanë përballuar as punonjësit e policisë, ku njërit prej tyre i ka rënë të fikët. Pa kaluar shumë kohë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe familjarët e viktimës, të cilët kanë fajësuar për këtë krim dhëndrin e tyre. Por, askush nuk dinte të jepte një përgjigje se ku ndodhej ai. Policia ka thënë se nga të dhënat e mbledhura ai mund të ketë udhëtuar mbrëmë drejt Greqisë, por ilegalisht, pasi emri i tij nuk rezulton në asnjë pikë kufitare, pavarësisht se ai dispononte letra të rregullta për të emigruar në vendin fqinj. Sipas policisë, ai dyshohet se ka vrarë bashkëshorten dhe më pas është penduar për krimin e kryer. I ndjerë keq, ka marrë trupin e saj, e ka vënë në krevat e për të mbuluar gjurmët i ka lënë thikën në dorë. Megjithatë, ai ka lënë gjurmë në të gjithë ambientin. Veç të tjerash, në prani të kufomës ai ka pirë birra dhe cigare dhe i ka hedhur ato gjithandej nëpër banesë, duke i dhënë fund xhelozisë së lindur që prej tetë muajsh, kur ai u martua me vajzën e re nga Klosi.