Aksidentet, viktima dhe të plagosur, autostrada bllokohet për 3 orë
Artan CENA
TIRANË - Viktima dhe bllokim rrugës për më shumë se tre orë kanë sjellë aksidentet gjatë 24 orëve të fundit. Shumë persona kanë ngelur të plagosur, ndërkohë që një vajzë vetëm 27 vjeçe ka mbetur e vdekur si pasojë e përplasjes nga një makinë. Dy aksidente të rënda kanë ndodhur brenda pak orëve, në superstradën Fushë-Krujë-Lezhë, ku 6 persona kanë ngelur të plagosur, tre prej të cilëve në gjendje të rëndë. Sipas burimeve policore, aksidenti i parë ndodhi rreth orës 06:30 të mëngjesit të djeshëm ku një makinë tip “Volkswagen”, me targa angleze ka bërë një parakalim të gabuar. Gjatë parakalimit janë hapur dyert e mjetit, të cilat ishin të pasiguruara më parë, duke bërë që tre personat që ndodheshin në këtë automjet të lëndoheshin edhe pse fatmirësisht pa pasoja për jetën. Nga informacionet e marra nga policia mësohet se aksidenti i dytë ka ndodhur në orën 10:10 minuta të paradites së djeshme. Dy automjete, një trajler dhe një fuoristradë, që udhëtonin në kahe të kundërta me njeri-tjetrin, janë përplasur mes tyre, ndërsa ishin me shpejtësi tej normave të lejuara. Drejtuesi i automjetit Fuoristradë dhe dy pasagjerët që ishin me të kanë mbetur të plagosur rëndë dhe janë dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës ku gjendja e tyre shëndetësore shfaqet kritike për jetën.
Trafiku
Pikërisht aksidenti i dytë ka sjellë dhe bllokimin e gjithë rrugës, duke lënë pa kalim qindra automjete, që në orët e mesditës janë bërë me mijëra. Kalimi është bërë shumë i vështirë dhe në disa momente i pamundur, pasi bllokimi që kishte bërë policia, me qëllim mbledhjen e provave të aksidentit, ska lënë asnjë makinë të kalojë. Mijëra qytetarë shqiptarë, kosovarë, po dhe të huaj, të ardhur për të kaluar pushimet në Shqipëri, kanë pritur për më shumë se dy orë me qëllim që të kalonin zonën e “nxehtë”. Radha e makinave ishte e pafund duke nisur që në kryqëzimin e autostradës me qytetin e Laçit për makinat që përpiqeshin të hynin në Tiranë e deri në kufirin ndarës me kryqytetin për makinat që po dilnin nga Tirana për në rrethe të ndryshme të vendit. Shumica e qytetarëve të bllokuar në trafikun e djeshëm ishin kosovarë që vinin me pushime në Shqipëri.
Viktimat
Veç gjashtë personave të plagosur ditën e djeshme dy ditë më parë nga aksidentet në rrugë ka pasur dhe viktima. Burime nga Policia e Durrësit thanë se, rreth orës 01:15 të dy ditëve më parë, është bërë arrestimi në flagrancë i Ardian Todrit, 40 vjeç, lindur në Lushnje e banues në lagjen Nr. 13, Durres, punonjës i nurgut të Durrësit. Policia tha se, vënia në pranga e tij është bërë pasi në datën 24 korrik 2010, rreth orës 20:30, në lagjen Nr. 17, Durrës, në kohën kur drejtonte automjetin tip “Opel” me targa TR 4068 B, ka aksidentuar 27-vjeçaren Anila Kola, banuese në të njëjtën lagje, e cila megjithë ndihmën mjekësore të marrë në Spitalin e Durrësit, rreth orës 02:20 të ditës së mëpasmes ka gjetur vdekjen. Policia tha se, dosja me materialet për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, i ka kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
Aksidenti tragjik, përmirësohet gjendja e njërit prej fëmijëve
TIRANË - Gjendja shëndetësore e vajzës së vogël, e plagosur pak ditë më parë në aksidentin tragjik të Fushë-Arrëzit, po vjen drejt përmirësimit, ndërsa vazhdon të mbetet e njëjtë gjendja shëndetësore e një tjetri. Drejtori i Spitalit Ushtarak të Tiranës, dr. Bedri Mihaj, konfirmon se gjendja shëndetësore e vajzës së vogël të familjes Mustafa, që ndodhet ne sallën e reanimacionit nën terapi intensive, ka shenja përmirësimi. "Duke parë parametrat shëndetësorë të vajzës, që duket se po përmirësohen, ekipi mjekësor i ka hequr tubin e frymëmarrjes, ndërsa në nuk ka pësuar ndryshime gjendja shëndetësore për djalin e vogël", tha Dr. Mihaj. Dy fëmijët e vegjël me fraktura të rënda janë Anisa Mustafa, që në këtë aksident tragjik humbi dy prindërit dhe motrën e madhe, si dhe vogëlushi Erikson Pera, që ka pësuar dëmtime në mushkri, kokë dhe në bark. Në pasditen e 17 Korrikut në fshatin Dom të komunës Gjegjan në rrethin e Pukës, një autobus me pasagjerë i linjës Fushë Arrëz- Durrës ra nga një lartësi prej 30-40 metra, pranë lumit Fan, ku për pasojë, humbën jetën 14 persona, ndërsa mbetën të plagosur 12 të tjerë, të cilët aktualisht ndodhen në Spitalin Ushtarak të Tiranës nën kujdesin e mjekëve të specializuar.
Arrestohet kreu i Përmbarimit, mori 1 milionë lekë rryshfet
VLORË - Drejtori i Zyrës së Përmbarimit të Vlorës Ernest Shimka, ka abuzuar me detyrën duke përfituar shumën prej një milionë lekësh dhe nën këtë dyshim u arrestua sot nga policia dhe tani mbi të, rëndon akuza e korrupsionit pasiv gjatë kryerjes së detyrës. Dyshohet se aferat korruptive financiare kanë çuar në hetimin prej disa javësh ndaj të dyshuarit Ernest Shimka, banor i Vlorës, pas denoncimit të mbërritur nga një qytetar. Kapja e të dyshuarit u bë përmes operacionit të koduar “Përmbaruesi”, pas nje pune investigative disa ditore të kryer me forma speciale te hetimit ne bashkepunim ne Njesine Task Force prane Prokurorise se rrethit Vlore. Policia konfirmoi se është bërë arrestimi në flagrancë i 28-vjeçarit Ernest Shimka, lindur në Tepelenë dhe banues në qytetin e Vlorës, me arsim të lartë me detyrë, Kryetar i Zyrës së Përmbarimit Vlorë. Për të folur mbi këtë operacion, pasditen e djeshme dolën në një konferencë për shtyp, Drejtori i Policisë së Vlorës Ylli Metko, dhe prokurori i çështjes, Maksim Sota. “Arrestimi i Ernest Shimka u bë pasi në datën 26 korrik 2010 rreth orës 15:00 u kap në flagrancë pasi kishte marrë në formë rryshfeti një sasi parash prej 1 milionë lekësh, me qëllim vendosjen në lëvizje të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor për dëmshpërblimin e këtij qytetari nga një kompani siguruese pas një aksidenti që qytetari kishte pësuar, dhe ku kishte humbur aftësi normale të jetesës”, - deklaroi drejtori Metko. Shimka akuzohet se ka konsumuar kështu vepren penale të “korrupsionit pasiv i funksionarëve të tjerë të drejtësisë". Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 milion lekë dhe disa dokumente shkresore të cilat policia tha se lidhen me veprën penale.
27 Korrik 2010