Provimet me zgjedhje, shpërndahen rezultatet për 2 mijë maturantët
Avushe Zhuka
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpërndarë dje rezultatet e provimeve me zgjedhje për rreth 2 mijë maturantë, të cilët ende nuk ishin njohur me notat e provimeve. Për maturantët e disa shkollave publike në qytete të ndryshme të vendit, vlerësimi i testeve të provimeve përfundoi rreth 2 javë më vonë. “Për më pak se 2 mijë maturantë rezultati i provimeve me zgjidhje është shpërndarë në shkollat e tyre në rrethe” bëri të ditur dje, Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Maturantët e tre shkollave të mesme,përkatësisht në qytetet e Lushnjës, Fushë-Krujës dhe Burrelit do të kenë mundësi të njihen sot dhe ditët në vazhdim me listat e notave me të cilët janë vlerësuar për lëndët me zgjedhje. Shkak që rreth 2 mijë maturantë të mos njiheshin me vlerësimin në të njëjtën kohë me bashkëmoshatarët e tyre u bën disa pakujdesi në fletët e tyre të provimit. Sipas MASH tezat e provimeve të tyre u korrigjuan nga grupi i specialistëve me vëmendje, për shkak të disa pakujdesive që janë gjetur në fletët e provimeve. Nga ky institucion bëhet e ditur se maturantët nuk duhet të shqetësohen pasi vlerësimi i fletëve të provimeve përfundoi dhe maturantët do të kenë mundësi të plotësojnë formularin A2. Pavarësisht deklarimeve të MASH, maturantët janë në ankth për mosmarrjen e vlerësimeve pasi sipas rregullores së Maturës Shtetërore, notat e provimeve nuk duhet të ishin shpallur pa përfunduar vlerësimi për të gjithë nxënësit.
Vlerësimi
Përgjigjet e provimeve të lëndëve me zgjedhje për rreth 2 mijë maturantë nuk u shpallën në listën e notave të lëndëve më zgjedhje që MASH shpalli gati dy javë më parë. Maturantët e shkollës “18 Tetori” në qytetin e Lushnjës janë në pritje të afishimit të rezultateve të provimeve me zgjedhje në shkollën e tyre. Po kështu nuk kanë marr përgjigjet e rezultateve me zgjedhje njëkohësisht me nxënësit e tjerë, maturantët e shkollës “Pjetër Budi” në qytetin e Burrelit. Të njëjtin shqetësim duket se kanë pasur edhe maturantët e një gjimnazi në Fushë-Krujë. Maturantët që nuk janë njohur ende me rezultatet po presin shpalljen e listave të notave në mënyrë që më pas të plotësojnë formularin A2. Përgjigjet e rezultateve me zgjedhje u publikuan rreth 2 javë më parë,por maturantët e tre shkollave nuk kanë pasur mundësi të njihen me notat e tyre. Kjo për shkak se listat në shkollat e tyre nuk u afishuan fare gjë që solli shqetësimin dhe reagimin e të rinjve që ishin në ankth për rezultatet. Maturantët që janë njohur me rezultatet kanë filluar të tërheqin dhe plotësojnë Formularin A2, ndërkohë që rreth 2 mijë maturantë, presin ende përgjigjet
Maturantët
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka justifikuar mangësinë e rezultateve duke deklaruar se vonesa në shpalljen e rezultateve të maturantëve është bërë për shkak të disa problemeve teknike. Në fletët e provimit të maturantëve ka pasur parregullsi të vogla që nuk do të ndikojnë në vlerësimin e testeve, por që kanë bërë që vlerësuesit t’i shohin më me kujdes. MASH deklaron se shqetësimi i maturantëve është i drejtë për shkak të vonesës së shpalljes së rezultateve. Sipas këtij institucioni ata do të kenë kohën e mjaftueshme për të plotësuar Formularin A2 pasi brenda 2 ditëve do të bëhet shpallja e vlerësimeve, ndërkohë që dje është bërë shpërndarja e listave të provimeve me zgjedhje për maturantët e tre shkollave. MASH nuk ka bërë të ditur faktin se pse maturantët nuk u lajmëruan për këtë vonesë në momentin që u bë shpallja e rezultateve për 33 187 nxënës në vend. Ky fakt nuk u bë i ditur as gjatë publikimit të rezultateve dhe as në ditët në vazhdim, deri në momentin që maturantët e shqetësuar për mosmarrjen e vlerësimeve ngritën problemin.
Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj viziton Universitetin e Prizrenit
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, vizitoi Universitetin e Prizrenit në prag të hapjes së tij. Ministri Tafaj së bashku me Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj vizituan Universitetin e qytetit të Pejës, i cili pret studentët e parë më 1 tetor të këtij viti. Në një konferencë të përbashkët shtypi, të dy ministrat theksuan rëndësinë dhe funksionalizimin e Universitetit të Prizrenit. Më pas Ministri Tafaj u takua edhe me Kryetarin e komunës së Prizrenit, ku biseduan për zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe sidomos për ndihmën e dhënën nga qeveria shqiptare në hapjen e Universitetit të Prizrenit. Tafaj, theksoi se "Qeveria Berisha, e ka mirëpritur shumë themelimin e Universitetit të Prizrenit në këtë qytet historik dhe do ta mbështesë atë me të gjitha mundësitë, veçanërisht në nivel akademik. Rruga e Kombit, -tha Tafaj,- e bën shumë të lehtë ardhjen e pedagogëve në këtë Universitet.”. Duke u nisur nga përvoja e themelimit të universiteteve në rajone të ndryshme të vendit në Shqipëri që kanë rezultuar të suksesshme Tafaj u shpreh “Besoj se kjo do të ndodhë edhe në Kosovë dhe Universiteti i Prizrenit për një kohë të shkurtër do të jetë i një cilësie të lakmueshme dhe konkurruese me të tjerët”. Të dy ministrat diskutuan për bashkëpunim më intensiv në fushën e arsimit dhe shkencës në bazë të marrëveshjes së përbashkët, të nënshkruar më 8 mars të këtij viti. Nga ana e tij, Tafaj, shprehu vendosmërinë për të theksuar dhe intensifikuar bashkëpunimin dhe u ndal në hapësirat që lejon marrëveshja e përbashkët. Ai shtroi para kolegut kosovar sfidat e reformimit të sistemit arsimor në Republikën e Shqipërisë dhe mbështetjen e gjithanshme të Qeverisë Berisha për arsimin e standardeve europiane.
Rama përuron kopshtin 43 në rrugën “Muhamet Gjollesha”
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama përuroi dje kopshtin numër 43 ku do të qëndrojnë 150 fëmijë. Kopshti me parametra bashkëkohore ndodhet në njësinë Bashkiake numër 7, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, në kryeqytet. “Plotësohet një kërkesë e kahershme e këtij komuniteti për të pasur një kopsht me një kapacitet shumë më të madh dhe për t’u krijuar fëmijëve të gjitha mundësitë ta kalojnë së bashku me edukatorët, orët kur prindërit janë në punë”, tha Rama. Kopshti 43, i cili ndodhet pranë shkollës “Sabahudin Gabrani” është pajisur me sistem qendror ngrohjeje ,ambiente kreative dhe argëtuese për fëmijët ,salla e ngrënies, e fjetjes, salla e lojës, si dhe kuzhina. Rama përuroi rehabilitimin dhe rikonstruktimin e godinës së këtij kopshti duke deklaruar se kjo është në kuadër të vëmendjes që Bashkia e Tiranës i kushton investimit në arsimin parashkollor. Rreth 150 fëmijë do të edukohen dhe të përjetojnë mirërritjen në mjedise të reja dhe me shumë hapësira në kopshtin e rikonstruktuar. Në këtë kuadër Bashkia ka financuar rikonstruktimin e dy kopshteve të tjera, të cilat ndodhen përkatësisht në zonën e Shkozës dhe pranë ish-fushës së Aviacionit. Në Tiranë ofrohen shërbime për fëmijët e moshave 0-6 vjeç nga 29 çerdhe dhe 49 kopshte. Nga Bashkia bëhet e ditur se kopshtet dhe çerdhet do të ofrojnë shërbime edhe gjatë muajit gusht.
27 Korrik 2010