E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fusha e Aviacionit, përplasen Ministria e Ekonomisë me Bashkinë e Tiranës



Privatizimi i Fushës së Aviacionit është bërë shkak për përplasjen e dy institucioneve, Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës dhe Bashkisë së Tiranës. Ministria e Ekonomisë duke ju përgjigjur akuzave të ditëve të fundit të Partisë Socialiste në lidhje me privatizimin e Fushës së Aviacionit, deklaroi dje se nuk ka asnjë proces privatizimi për këtë hapësirë të parashikuar për zonë të gjelbër. Gjatë një komunikimi për media, Sekretari i Përgjithshëm i METE, Durim Kraja sqaroi se pjesa tjetër e Aerodromit që nuk përfshin Fushën e Aviacionit është nxjerrë për privatizim. “Një repart i Aerodromit është në proces privatizimi por nuk ka lidhje me pjesën që i është dhënë Bashkisë për ta shndërruar në zonë të gjelbër.” theksoi Kraja. Ky i fundit u shpreh se dokumentacioni i Ministrisë së Ekonomisë mbi Fushën e Aviacionit është lehtësisht i verifikueshëm dhe se nuk mund të bëhen keqinterpretime të tij. Nuk ka vonuar dhe reagimi i Bashkisë së Tiranës për këtë çështje, e cila kundërshton privatizimin e Fushës së Aviacionit , duke deklaruar se ky proces është kundër interesave të komunitetit të zonës. “Nuk ka asnjë vendim qeverie për kthimin e ish Fushës së Aviacionit në pronësi të pushtetit vendor, ka vetëm një vendim të KRRTSH-së që e përcakton si zonë të gjelbër. Në deklaratën e bërë publike nga Bashkia e Tiranës thuhet se ky institucion nuk ka kërkuar thjesht pistën për ta kthyer në park por të gjithë territorin për të ngritur në të çerdhe , kopshte e objekte të tjera në shërbim të komunitetit. Praktikisht territori prej 5.5 hektarësh i parashikuar nga KRRTSH është vetëm 1/3, kurse 2/3 e Fushës së Aviacionit kalojnë në privatizim.
Ujë të pastër për Beratin dhe Kuçovën - Qeveria gjermane financon projektin e ujësjellësit
Përmirësimi i jetës së përditshme të njerëzve në qytetet e vogla e zonat rurale përbën një nga objektivat e realizimit të projekteve të Gjermanisë në Shqipëri. Filloi ristrukturimi i ujësjellësit të zonës Kuçovë- Berat. Me një investim prej 11,2 milionë eurosh banorët e Beratit dhe të Kuçovës do të kenë një ujësjellës të ri që do të çojë në rubinetet e çezmave të tyre ujë të kontrolluar nga pikëpamja higjenike. Ute Rodrian, Drejtore Rajonale e Bankës gjermane KfË, tregon se çfarë synohet të arrihet me këtë projekt. “Me këtë projekt në Berat dhe në Kuçovë po mbështesim kompaninë rajonale të ujësjellësit. Qëllimi i projektit është t'u sigurojë klientëve në të dyja qytetet ujë të mirë, që do të thotë ujë me cilësi dhe në kushte të pranueshme higjenike. Kjo do të reflektohet më pas në zhvillimin e qëndrueshëm të kompanisë së ujësjellësit, në rritjen e numrit të klientëve të saj që do të kenë furnizim të mjaftueshëm me ujë. Dhe kjo për të gjithë banorët e zonës Berat – Kuçovë.”
Bogova burim uji për Beratin dhe Kuçovën
Partnerja më e rëndësishme e bankës gjermane KfË në realizimin e këtij projekti është kompania rajonale e ujësjellësit Berat-Kuçovë. Drejtori i saj, Fatmir Shehu, thotë se do të kryhen punime me nivel dhe material bashkëkohor. “Punëtorët e saj do të shtyrojnë 12,5 km linjë transmetimi të ujit me tuba gize, me diametër 300 mm, që uji të shkojë nga burimi i Bogovës, në rrëzë të malit Tomorr, në Berat, dhe që atje në Kuçovë. Bogova është një burim i mrekullueshëm natyror me ujë të ftohtë dhe të pastër që me përfundimin e projektit do të furnizojë me ujë të dyja qytetet” thotë Fatmir Shehu. Projekti i ristrukturimit të linjës së ujësjellësit Berat- Kuçovë pritet të përfundojë pas një viti.
Përmirësim i jetës së përditshme, zhvillim i qëndrueshëm ekonomik
Projekti është pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar mes qeverisë gjermane dhe asaj shqiptare, ku qeveria gjermane ka dhënë, përmes bankës KfË një fond prej 174 milionë eurosh vetëm në sektorin e furnizimit me ujë. Nga projektet gjermane në këtë sektor banorët e Krujës, Kavajës, Korçës dhe Pogradecit tani kanë rrjet modern ujësjellësash dhe furnizim 24 orë me ujë. Për Ute Rodrian qëllimi i investimeve në sektorin e ujit drejtohet nga një filozofi sociale që përmbledh edhe synime të tjera afatgjata, me objektiv kryesor përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të ruajtjes së shëndetit. Rodrian: "Në të njëjtën kohë me këtë projekt ne mbrojmë mjedisin, ndihmojmë që Shqipëri të arrijë standarde ndërkombëtare dhe që kompanitë e ujësjellësve të kenë zhvillim të qëndrueshëm. Pra fokusi ynë kryesor është që njerëzit të përfitojnë nga këto projekte, por njëkohësisht të ndihmojmë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Shqipërisë. Kjo është shumë e rëndësishme.” Në sajë të këtij objektivi qeveria gjermane ka mbështetur financiarisht në Shqipëri projekte jo vetëm në sektorin e furnizimit me ujë të popullsisë por edhe në atë me energji elektrike ku ka financuar deri tani projekte me një vlerë prej rreth 240 milion euro. Kjo pasi sektori i energjisë nuk është i rëndësishëm vetëm për jetën e përditshme të njerëzve por edhe për rritjen ekonomike të vendit dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së tij.

Qeveria gjermane jep fonde shtesë për Shqipërinë
Arritja e këtij synimi madhor ka sjellë edhe zotimin e qeverisë gjermane për fonde shtesë. Pritet që Gjermania t'i akordojë qeverisë shqiptare fonde shtesë lidhur me projektet e ardhshme. Njëri nga ato në sektorin e ujit është ai i infrastrukturës bashkiake ku përfshihet Fieri, Gjirokastra, Lezha dhe Saranda. Ute Rodrian shpreson që KfW të nënshkruajë shumë shpejt marrëveshjen e huasë me qeverinë e Shqipërisë, në mënyrë që projekti të fillojë shumë shpejt nga puna, ashtu siç pritet. KfW mendon që të financojë atë që njihet si “master plani për ujin”, që ndihmon qeverinë të identifikojë dhe të japë prioritet nevojave të investimeve në këtë sektor, dhe mbi këtë bazë të hartojë programe që mund të financohen jo vetëm nga KfW por edhe nga donatorë të tjerë, thotë Rodrian.
Marr nga Dw

27 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›