E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, Garda padi penale Krenar Ahmetit

SHKB nis hetimet ndaj Krenar Ahmetit për përplasjen me eskortën e Berishës. Shefi i pezulluar i Komisariatit të Policisë Rrugore u largua nga vendngjarja pas aksidentit. 

TIRANE- SHKB nis hetimet për veprimet e shefit të pezulluar të Komisariatit të Policisë Rrugore, Krenar Ahmeti, ndërsa Garda e Republikës depoziton kallëzim penal për të me akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe largim nga vendi i ngjarjes”. Dy ditë më parë, Drejtoria e Policisë së Tiranës pezulloi Ahmetin deri në përfundimin e veprimeve hetimore dhe sqarimin e plotë të incidentit. Motivacioni ishte për “shkelje të rënda të disiplinës”. Ngjarja për të cilën është ndëshkuar me masën administrative të pezullimit Ahmeti, ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, kur sipas burimeve të besueshme mjeti i shërbimit të kryekomisarit është përplasur me automjetin e parë shoqërues tip “Bora”, të eskortës së Kryeministrit Sali Berisha. Vetë kryeministri apo mjeti i tij nuk kanë qenë në lëvizje në ato momente. Sipas të njëjtit burim, shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore nuk ka ndaluar dhe është larguar. Veprimi i tij përbën “shkelje të rregullores së qarkullimit të mjeteve, për largimin nga vendi i ngjarjes”. Mospritja e ekspertëve është konsideruar edhe si element i veprës penale për veprime që fshehin të vërtetën. Burime të Gazetës thanë se kjo klauzolë nuk është përfshirë në kallëzimin penal të Gardës së Republikës dhe nuk është pjesë e hetimit të nisur nga SHKB-ja, pasi nga konsultimet me oficerët e policisë gjyqësore nuk është parë e arsyeshme.
Hetimi
Provimi nga prokuroria i kallëzimit penal të Gardës së Republikës, do t’i kushtonte kryekomisarit dënim nga gjobë deri në një vit burg. Efektivat e eskortës, të cilët janë pjesë e Gardës së Republikës, duket se janë këmbëngulës për t’i shkuar deri në fund kallëzimit të tyre. Vetë Ahmeti i pyetur të hënën nga Gazeta, mohoi të jetë përplasur me ndonjë automjet të eskortës së kryeministrit. Për ngjarjen pritet të shprehen edhe hetuesit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Brendshme, të cilët nuk kanë paraqitur ende ndonjë raport qoftë edhe paraprak për incidentin.
Ky ishte pezullimi i dytë i Ahmetit brenda 7 muajve. Shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës u pezullua dy javë nga detyra në muajin qershor të vitit të kaluar, pas një vendimi të Gjykatës së Tiranës lidhur me incidentin që pati me avokatin Agim Bajri dhe bashkëshorten e tij, Elisabeta Bajri, prokurore e krimeve të rënda. Vendimi i Gjykatës së Apelit të Tiranës e riktheu në detyrë Ahmetin, ndërsa vazhdon procesi gjyqësor në shkallën e parë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›