E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioneri Fyle: “Greva e urisë e ashpërson më shumë krizën”

Komisioneri për Zgjerimin flet për liberalizimin e vizave për Shqipërinë

Komisioneri europian për Zgjerimin, Stefan Fyle, ka shprehur shqetësim për situatën politike në Shqipëri. Ai thotë se greva e urisë së deputetëve dhe përkrahësve të opozitës në Tiranë rrezikon t'i ashpërsojë edhe më shumë qëndrimet e palëve. Zoti Fyle thotë se të dyja palët kanë përgjegjësi për gjetjen e një zgjidhjeje. Në intervistën që i dha BBC-së, zoti Fyle flet edhe për procesin e liberalizimit të vizave për shtetasit e Shqipërisë, si dhe për proceset integruese dhe situatën në Maqedoni dhe Kosovë.

Zoti Fyle, situata politike në Shqipëri vazhdon të mbetet e acaruar. Tashmë kemi dhe grevë të disa deputetëve të opozitës. Cili është qëndrimi i juaj dhe i BE-së për zhvillimet e fundit?

Unë jam vërtet i shqetësuar për mungesën e dialogut politik konstruktiv, si dhe mungesën e funksionimit të plotë të Parlamentit. Ky është shqetësimi i përgjithshëm. Por unë jam shumë i shqetësuar nga kjo grevë urie, pasi kjo rrezikon t'i ashpërsojë edhe më tej qëndrimet. Eventualisht, këto rreziqe mund të çojnë në shtimin e konfrontimit. Dhe pika e fundit në këtë çështje të rëndësishme është diçka që unë e kam përsëritur disa herë, se të gjitha partitë politike, ato në qeveri dhe ato në opozitë, kanë përgjegjësi të gjejnë zgjidhje për situatën aktuale politike, bazuar në dy parime - kornizën kushtetuese dhe transparencën. Është fakt se greva e urisë e shton më shumë përgjegjësinë mbi shpatullat e zotit Rama, përgjegjësi për të garantuar mirëqenien dhe shëndetin e njerëzve që protestojnë para Kryeministrisë.

Zoti komisioner, përsa i përket integrimit të Shqipërisë në BE, ku e lë Shqipërinë kjo situatë tani? Vetëm para pak ditësh, një prej eurodeputetëve, zoti Kacin, tha për BBC-në se kjo situatë nuk dërgon aspak sinjale pozitive.

Nuk është sinjal i dobishëm, kjo është e sigurt, pasi ne jemi në një moment vendimtar në përgatitjen e një opinioni, përgatitjen e rekomandimeve të Komisionit për shtetet anëtare nëse duhet të fillojmë procesin e anëtarësimit, apo nëse duhet bërë më shumë punë. Ne ua kemi vënë në dukje miqve tanë shqiptarë përparimet e mëdha që kanë bërë vitet e fundit. Fokusi i opinionit që po përgatitet do të jetë mbi pjesën politike të Kritereve të Kopenhagës dhe funksionimi i institucioneve politike, si Parlamenti dhe gjithëpërfshirja në proceset politike janë midis këtyre kritereve. Kështu që nëse nuk gjendet asnjë zgjidhje brenda një kornize kohore të arsyeshme, kjo nuk mund të injorohet në përgatitjen e këtij opinioni. I takon Komisionit dhe shteteve anëtare që të nxjerrin më pas konkluzionet.

Zoti Fyle, a do t'i shohë ky vit shqiptarët që të udhëtojnë lirshëm në Europë?

Unë shpresoj shumë që të ndodhë kështu, pasi përsa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm. Ajo i ka bërë pothuajse të gjitha detyrat e shtëpisë, të reflektuara në Udhërrëfyesin përkatës. Disa ditë më parë, Komisioni Europian ka vënë në tryezën e Parlamentit Europian dhe të Këshillit Europian një vlerësim shumë pozitiv të progresit të bërë deri tani dhe, me kusht që çështjet që kanë mbetur të trajtohet siç duhet, unë kam besim të plotë se ky vlerësim pozitiv do të pasohet nga një rekomandim pozitiv si për shtetet anëtare, ashtu dhe për deputetët e Parlamentit Europian.

Zoti Fyle, kur thoni që shpresoni, ka ndonjë datë fikse për këtë vit, apo ende jo?

Mendoj se disa gjëra të caktuara varen nga Komisioni Europian dhe disa nga institucione të tjera. Ndonëse unë mund të flas në emër të Komisionit për datat e nxjerrjes se vlerësimit tonë dhe planet për rekomandimet tona, në fund të fundit, kjo do të jetë në dorën e Këshillit Europian dhe Parlamentit Europian. Kjo do të varet edhe se sa shpejt do të na diktojnë rrethanat që të veprojmë. Gjithashtu, duke iu kthyer kushtëzimit, atij numri të vogël çështjesh që duhen përmbushur deri në fund, do t'i takojë edhe komisionit monitorues që do të dërgohet në një moment të caktuar në Shqipëri, që të vlerësojë progresin e këtyre çështjeve që kanë mbetur.

Zoti Fyle, ditët e fundit ju keni pasur takime me ministrin e Jashtëm Ilir Meta dhe politikanë të tjerë shqiptarë. Keni shkuar dhe vetë në Shqipëri. A keni dhënë ndonjë porosi, sugjerim të veçantë, apo ndonjë rrugëdalje nga kjo situatë?

Jo, unë nuk u kam dhënë ndonjë porosi. Kjo nuk është as detyra ime, as e BE-së. Është e vërtetë se ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me politikanët shqiptarë jo vetëm për çështjen e gjendjes aktuale politike, por edhe për çështje të tjera që lidhen me to. Në bisedën që pata me kryeministrin Berisha dhe me udhëheqësin e Partisë Socialiste, Rama, të martën në mëngjes unë u thashë atyre pikërisht atë që sapo jua thashë edhe juve në këtë intervistë, se ata kanë përgjegjësi të përbashkët që të gjejnë një zgjidhje bazuar në ato dy parimet që përmenda, për hir të së ardhmes së Shqipërisë, e cila kam shumë besim se do të jetë brenda Bashkimit Europian.
Marrë nga BBC

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›