Tiranë, nis parkimi me pagesë
Në disa rrugë kryesore të qytetit do të mund të parkohet duke paguar një qind lekë për një orë
Punavija: Synohet të kufizohet lëvizja e makinave private dhe t'i jepet përparësi udhëtimit me mjetet e transportit publik
Baskia e kryeqytetit ka prezantuar dje projektin e ri për parkimin në qytet, i cili do të jetë kundrejt një pagese. Drejtori i Drejtorisë së Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Enton Punavija, ka shpjeguar se ky model parkimi, do të vendoset në disa nga rrugët më të ngarkuara në kryeqytet, me qëllim lehtësimin e trafikut.
Ky është një projekt pilot, i cili do të zbatohet në disa rrugë dhe do të nisë funksionimin e tij, më datë 15 gusht. Zonat e përzgjedhura nga Bashkia për t'u shndërruar në parkingje publike me pagesë, janë; Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", duke filluar nga kryqëzimi mes dy Ministrive, deri tek Ura e Madhe e "Dajtit", Bulevardi "Gjergj Fishta", nga Ura e madhe e "Dajtit", deri tek Ura "Dëshmorët e 4 Shkurtit" dhe që nga kryqëzimi i rrugës "Myslym Shyri" me rrugën "Dëshmorët e 4 Shkurtit", deri tek Ura e Re e "Bllokut".
Një tjetër zonë parashikuar për tu kthyer në parking është edhe zona përpara stadiumit "Qemal Stafa", ndryshe me të gjithë rrethimet e tij, si nga krahu lindor, krahu verior dhe nga krahu perëndimor.
Bileta për parkim
Sipas projektit të Bashkisë, këto parkingje kanë një procedurë të re funksionimi, të ndryshme nga ajo aktuale, ku është i përfshirë vetëm një punonjës i bashkisë, i cili mbledh taksën e parkimit. Sistemi i ri parashikon një biletë parkimi, e cila është e ndërtuar në mënyrë të thjeshtë dhe përmban të gjitha elementët e sigurisë.
Për pajisjen e shoferëve me një biletë të tillë në afërsi të parkingjeve do të vendosen pika shitjeje. Sipas Punavijës, këto pika shitjeje do të vendosen në distanca të afërta, në mënyrë që t'i mundësojnë qytetarëve që të pajisen lehtë me biletë, në çdo moment që ata do të vendosin të parkojnë mjetet e tyre në zonat e mësipërme, zona të cilat do të jenë të pajisura me sinjalistikën e nevojshme rrugore.
Çmimi
Parkimi në zonat e përcaktuara do të jetë i mundur kundrejt një pagese që është në varësi të kohës që makina do të qëndrojë në parking. Si vlerë fillestare Këshilli Bashkiak i Tiranës, ka vendosur 100 lekë për një orë parkimi.
Pasi janë pajisur me biletën e parkimit, shoferët duhet ta vendosin atë në një vend të dukshëm në pjesën e brendshme të xhamit të makinës, në mënyrë që të identifikohet lehtësisht nga kontrollorët. Për mbarëvajtjen e këtij procesi do të kujdesen strukturat e Policisë Bashkiake, të cilat do të bëjnë kontrollin dhe do të marrin masat përkatëse administrative.
Ndërsa për ata që do të rezultojnë shkelës do të aplikohen sanksionet e parashikuara në Kodin Rrugor, masa këto që arrijnë deri në heqjen e mjetit me karrotrec. Punavija shpjegoi se ky projekt do të ndihmojë në mirë menaxhimin e trafikut rreth qendrës së qytetit të Tiranës, si dhe në reduktimin e ndotjeve urbane.
Vç të tjerave, projekti do të jetë një ndihmesë në promovimin dhe zbatimin e politikave të reduktimit të lëvizjes me mjete private, duke i dhënë prioritet lëvizjes me mjetet e transportit publik, biçikleta, këmbësorë.