Aksidenti, gjenden viktimat e mbytura ne Devoll
GRAMSH – Gjenden tre nga katër trupat e viktimave të aksidentit të rëndë të ndodhur dy ditë më parë në qytetin e Gramshit. Sipas policisë, tre viktimat janë identifikuar dhe janë: Petrit Ahmeti, Behar Senkollari dhe Dritan Balla, ndërsa është duke u punuar për të gjetur trupin e katërt, i cili gjithashtu dyshohet se ka humbur jetën në këtë aksident. Nga të dhënat e policisë mësohet se në këtë aksident kanë humbur jetën Dritan Balla, Elis Sogani, Behar Senkollari dhe Petrit Ahmeti.
Gjetja e trupave
Janë gjetur mëngjesin e djeshëm, gjatë kërkimeve në lumin e Devollit, trupat e dy prej personave të aksidentuar me furgonin e udhëtarëve, i cili doli nga rruga dhe ra në lumë në orët e para të mëngjesit. Sipas njoftimeve nga policia mësohet se në orët e para të mëngjesit të djeshëm është gjetur trupi i parë, i cili ndodhej rreth 20 km larg vendit ku ndodhi aksidenti, në rrjedhën e lumit. Pak minuta më pas, rreth orës 09:05, është arritur të gjendet trupi i personit të dytë, dhe vetëm disa orë më pas u bë e mundur dhe gjetja e trupit të tretë. Pas gjetjes së trupave, policia identifikoi tre personat e gjetur dje gjatë kërkimeve në rrjedhën e lumit të Devollit për kufomat e katër shtetasve të vdekur në aksidentin tragjik në dalje të qytetit. Sipas burimeve zyrtare nga policia, trupat e pajetë që u gjetën 20 km larg vendit të ngjarjes u përkasin shtetasve Petrit Ahmeti dhe Behar Senkollari. Ndërsa trupi i tretë, i cili u gjet disa orë më pas, i përket Dritan Ballës. Pas gjetjes së trupit të personit të tretë policia po vazhdon kërkimet për viktimën e katërt të aksidentit.
Aksidenti
Sipas policisë, tragjedia ka ndodhur në orët e para të ditës së diel, në vendin e quajtur Mollë-Grabollë, 45 km larg nga qyteti i Gramshit, pjesë e rrugës nacionale Gramsh-Korçë. Automjeti furgon, me targë KO 1893 B, që drejtohej nga Elis Sogani, ka devijuar nga aksi i rrugës duke u rrokullisur në humnerë e duke përfunduar në dallgët e lumit të Grabovës së bashku me katër personat që ishin në të. Nuk dihet nëse pasagjerët dhe drejtuesi i mjetit kanë gjetur vdekjen gjatë rrotullimeve të automjetit në shpatin e thepisur, apo janë mbytur në ujë. Por tragjedia është mësuar vetëm në orën 09:00 të ditës së diel. Nga hetimet e para të policisë mësohet se katër viktimat e zhdukura në lumë janë banorë të fshatit Bratilë të komunës së Kodovjatit në Gramsh. Mësohet se ata po udhëtonin me mjetin e ngarkuar me zaire bagëtish (bar e jonxhë), të cilën e shisnin në fshatrat e Korçës. Mësohet se para nisjes për udhë, të aksidentuarit kanë përdorur alkool në një nga njësitë tregtare të zonës. Pas njoftimit, forca të shumta të policisë kanë udhëtuar për në vendin e aksidentit. Njëkohësisht, në mesditë, në ndihmë të tyre kanë ardhur dhe forca speciale të Tiranës, si dhe një helikopter për kërkime nga ajri. Për shkak të reshjeve dhe prurjeve nga malet, ujërat e shumta të lumit e kanë vështirësuar tej mase kërkimin. "Nga hetimet e para dyshohet që shkak i aksidentit të rëndë ka qenë shpejtësia dhe humbja e kontrollit nga drejtuesi i mjetit. Nuk përjashtohet dhe ndikimi i alkoolit që ata kanë konsumuar para nisjes për udhë", - shtuan drejtues të policisë lokale.
Pranga dy personave, u kapën me 500 gramë Cannabis
SHKODËR - Dy persona janë vënë në pranga pasi u kapën me rreth 500 gramë lëndë narkotike. Policia e Shkodrës bën të ditur se të ndaluarit janë përkatësisht: Bardhok Kolaj, 48 vjeç, banues në fshatin Mjedë të Shkodrës, si dhe Sadih Kruja, 55 vjeç, banues në qytetin e Shkodrës. Arrestimi i tyre u bë pasi në bazë të informacioneve të marra nga ana e policisë, në aksin rrugor Shkodër-Lezhë, pikërisht në vendin e quajtur Plezhë, pas kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Benz” me targë SH 09 51 E, në pronësi të Kalajt, këtyre dy personave iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pako me 495 gramë lëndë narkotike. Nga ana e policisë u kryen veprimet e duhura procedurale e hetimore dhe materialet në ngarkim të të lartpërmendurve i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprën penale të "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike".
2 Mars 2010