Ikën valuta, bankat private gati të transferojnë jashtë vendit 1.3 miliardë euro
Ervin KOÇI
Bankat e nivelit të dytë janë gati që të nxjerrin jashtë tregut vendas një sasi prej afro 1.3 miliardë euro të mbledhur në Shqipëri nga depozitat e shqiptarëve, me qëllim ardhjen në ndihmë të bankave të tyre mëma. Kjo mund të ndodhë pasi gjatë mbledhjes së fundit të zhvilluar javën e shkuar, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka shfuqizuar vendimin e marrë disa muaj më parë, sipas të cilit bankat e nivelit të dytë që operojnë në vend nuk mund të investonin jashtë vendit fitimet e tyre. Nëse deri tani bankat e nivelit të dytë kanë përdorur rrugë të tjera për t'i dërguar këto para jashtë, tashmë nuk do të kenë asnjë pengesë për investimin e depozitave të shqiptarëve në bankat mëma. Vendimi i BSH-së për ndalimin e nxjerrjes së valutës jashtë vendit u mor në vjeshtë të vitit 2008 në kuadër të mbrojtjes së ekonomisë së vendit nga kriza që kishte prekur vendet, bankat e të cilave, kanë filiale në Shqipëri. Me këtë vendim Banka Qendrore synonte ruajtjen e stabilitetit financiar në vend. "Nëpërmjet një akti të veçantë rregullativ, BSH-ja i ka kërkuar sektorit bankar që të mos shpërndajë fitimin e vitit 2008 në formën e dividendit. Në këtë mënyrë, kapitalizmi i veprimtarisë bankare forcohet më tej, duke ofruar një garanci më shumë për shëndetin financiar të sektorit bankar në vazhdim", - do të shprehej Guvernatori i BSH-së, pas vendimit të marrë në tetor të vitit 2008. Por ende nuk dihet nëse vendimi për lejimin e bankave tregtare që ta shpërndajnë fitimet e tyre jashtë vendit, ka ardhur si pasojë e përmirësimit të treguesve financiar të vendit dhe qëndrueshmërisë së tregut bankar, apo është ndonjë presion që bankat private i kanë bërë Autoritet Qendror Bankar.
Pasojat
Një largim i fitimeve të bankave tregtare (dividentit) jashtë tregut shqiptar do të sillte jo pak pasoja për ekonominë e brishtë shqiptare. Ky transferim apo largim i një sasie jo të vogël valute, nga bankat private, do të shkaktonte menjëherë një uri për valutë në tregun vendas, i cili prej një viti nuk po e merr veten nga pakësimi i hyrjeve valutore, të cilat janë pakësuar pas rënies së remitancave. Uria për valutë do të sillte automatikisht një rritje artificiale të vlerës së valutës në tregun vendas, si dhe një zhvlerësim të fortë të monedhës vendase lekut. Kjo do të bënte që në vend çdo gjë të shtrenjtohej më shumë nga sa është aktualisht. Duke nisur që nga përqindjet e interesave të kredive bankare në valutë, çmimet e ndërtimit të cilat vlerësohen në euro, çmimet e lënëve të para, të karburanteve, e deri tek artikujt ushqimorë, çdo gjë që blihet me euro ose në përgjithësi me valutë do të kushtojë më shtrenjtë për konsumatorin vendas. Një pasojë e tillë ka gjasa që të ndodhë edhe për faktin se, në disa vende, bankat e të cilave kanë filiale edhe në Shqipëri, kriza ekonomike dhe ajo bankare është ulur këmbëkryq.
Raporti kredi-depozita
Kjo gjendje pasqyrohet edhe në të dhënat e fundit zyrtare të BSH-së për sa i përket ecurisë së kredisë dhe depozitave. Sipas Bankës Qendrore, krahasuar me janarin e vitit të shkuar, depozitat e shqiptarëve në banka kanë pësuar një rritje me rreth 60 miliardë lekë. Ashtu siç ndodh gjithnjë, rritja më e lartë është shënuar përgjatë muajve gusht-shtator që përkojnë edhe me periudhën e kthimit të emigrantëve. Krahasuar me muajin korrik, muaji gusht ka njohur një rritje të nivelit të depozitave me miliardë lekë. Një rritje paksa më të moderuar kanë njohur kreditë. Gjatë janarit 2010 shuma totale e kredive të lëshuara nga bankat arriti në 445 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009, vërehet një rritje me 42 miliardë lekë. Rritja e nivelit të depozitave dhe kredive mësohet të jetë edhe arsyeja që Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së ka lejuar bankat e nivelit të dytë të mund të dërgojnë valutë tek bankat mëma. Nga ana tjetër, Guvernatori Fullani, u ka kërkuar bankave të kreditojnë më shumë ekonominë e Shqiptare. Aq më shumë kur të dhënat më të fundit raportojnë për një shtrëngim të mëtejshëm të kushteve të kredisë për individë dhe biznese.
Janari shton stokun e kredive
Stoku i përgjithshëm i kredive të dhëna në ekonominë shqiptare arriti në 444 miliardë lekë, (rreth 3.22 miliardë euro) në fund të muajit janar, duke u rritur me 4.4 miliardë lekë ose rreth 32 milionë euro në krahasim me dhjetorin. Lajmi bëhet i ditur nga statistikat e publikuara nga Banka e Shqipërisë. Në janarin e vitit 2009, stoku i kredisë u shtua me 6.3 miliardë lekë. Shumica dërrmuese e shtesës erdhi nga kreditë e dhëna për biznesin në euro. Biznesi ka shtuar huamarrjen për të mbuluar nevojat e veta për likuiditet për shkak të krizës. Pavarësisht këshillave të shumta të BSH-së, pothuajse e gjithë kredia e dhënë gjatë janarit ishte në euro. Stoku i kredive të dhëna për klientët individualë në euro u rrit me 4.2 milionë euro, ndërkohë që stoku i kredive në lekë të dhëna për këtë kategori pësoi ulje.
2 Mars 2010