E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seanca e Gërdecit, përplasen sërish tezat për shkakun që solli tragjedinë



Laureta Rryçi - Në seancën e radhës për tragjedinë e Gërdecit janë përplasur sërish fort tezat për shkakun që sollën tragjedinë e 15 marsit. Dy dëshmitarë, të cilët ishin roje private në fabrikën e demontimit, dhanë fakte që të bënin të mendoje se e gjithë tragjedia ndodhi për shkak të saldimit të karrocës pak minuta para shpërthimit. Tezë kjo që mbrohet fort prej prokurorëve që janë marrë me hetimin e ngjarjes, si dhe prej prokurorëve që po mbrojnë të dhënat hetimore në Gjykatë. Nga ana tjetër, pas disa seancave dhe dhënies së më shumë se 60 dëshmive, ish-drejtori Teknik i fabrikës, njëkohësisht një nga të pandehurit e këtij procesi, Dritan Minxolli, deklaroi në ligjëratë të drejtë, për herë të parë, se tragjedia u shkaktua nga një faktor i jashtëm. Por, deklarata e Minxollit nuk mbaroi me aq. Pikëpyetjet e tij vijuan me zhdukjen e mistershme pak orë pas tragjedisë të Rod Tejlër, amerikanit që ishte më afër nga të gjithë me Patrik Henrin, një nga administratorët e firmës që kishte marrë përsipër demontimin e municioneve në atë ish-repart ushtarak.
Shkaku: Karroca
Dy rojet private ndoshta ishin të vetmit në fabrikën e Gërdecit që kishin informacion gjatë gjithë kohës se kush hynte dhe kush dilte në ambientet e brendshme të repartit. Madje ata kishin marrë urdhra të prerë nga eprorët. Nuk duhet të lejonin askënd të panjohur, përveç makinave që kishin targat e tyre ose personat që kishin emrat. Përveç se aq, pavarësish se kanë kaluar rreth dy vite, që të dy kujtojnë mirë se karrocat e prishura saldoheshin me urdhër të Dritan Minxollit nga Qemal Deliu dhe se ditën e ngjarjes, rreth 20 minuta para shpërthimit, në ambientet e brendshme ka hyrë një karrocë e salduar. Të dyja këto deklarata janë kërkuar nga përfaqësuesit e akuzues që të shënohen me përpikëri në procesverbalet e seancës së ditës së djeshme. Për përfaqësuesit e akuzës, dy dëshmi të tilla nuk janë asgjë më shumë se As-i nën mëngë i gjithë dosjes. Roja te fabrika e Gërdecit, Zigur Canaj, ishte dëshmitari që rrëfeu se kishte dijeni se kush i saldonte karrocat në fabrikën e Gërdecit. “Jam punësuar nga një shoqëri private për ruajtjen e objekteve. Detyra ime ka qenë që askush të mos vidhte materiale nga ambientet e brendshme të fabrikës së demontimit. Por, duke qenë se unë qëndroja të hyrja, kisha informacion se kush hynte dhe se kush dilte nga ambientet e brendshme të fabrikës së demontimit. Unë kam parë që shpesh, Qemal Deliu, një nga punëtorët e fabrikës, karrocat e prishura i merrte për t’i rregulluar në shtëpinë e tij. Këtë punë ai e bënte pasi kishte marrë urdhër nga Dritan Minxolli”, - deklaroi në seancë Canaj. Më pas seanca vijoi me dëshminë e rojës private, Fejzi Shehu, i cili ka qenë ditën e ngjarjes në detyrë. “Ditën e ngjarjes kam qenë te fabrika. Në orët e paradites nga fabrika kanë dalë tri karroca të prishura. Më vonë, rreth orës 11:30, i njëjti burrë që rregullonte karrocat është kthyer në ambientet e brendshme të fabrikës. Pas rreth 20 minutash, ka ndodhur shpërthimi në Gërdec. Më kujtohet mirë se në atë moment kam qenë me kurriz nga porta ku ishte dalja, pasi një fëmijë, banor i zonës, kishte ardhur për t’i sjellë bukën së ëmës. Pas shpërthimit më ka zënë dhe mua presioni i flakës. Nuk e di se kam ecur shumë pa u ndalur për t’i shpëtuar vdekjes. Di që kam përfunduar në Fushë-Krujë për t’u mjekuar se kisha marrë djegie në pjesën e kokës.
Shkaku: Faktori i jashtëm
Krejt të kundërtën me atë që u deklarua më lart ka rrëfyer ish-drejtori Teknik i fabrikës, Dritan Minxolli. Në seancën e radhës ai preferoi të bëjë një përmbledhje të procesit të punës në fabrikën e demontimit, si dhe të deklarojë shkakun që sipas tij solli gjithë atë tragjedi. “Pas dëshmisë së një numri të konsiderueshëm dëshmitarësh e gjej me vend se si ish-administrator Teknik i fabrikës së demontimit, të sjell në mënyrë të përmbledhur proceset e punës që janë kryer në atë fabrikë nga dita e para e punës e deri në momentin e tragjedisë që ka ndodhur më 15 mars. Municionet kanë nisur të grumbulloheshin në ambientet e brendshme të fabrikës në janar të vitit 2008. Pas shkarkimit të municioneve ka nisur demontimi i tyre. Unë ndërkohë kisha bërë rekrutimin e punëtorëve që na duheshin për këtë proces. Përveç se kaq, gjatë gjithë kohës ka qenë i interesuar që punëtorët të këshilloheshin nga specialistët për rrezikun e këtij procesi”, - deklaroi Minxolli. Më tej deklarata e tij vijoi duke thënë se “në fazën e parë, kompania ‘SAC’ kishte nënshkruar kontratë me një kompani greke për tregtimin e barutit. Në fazën e parë dhe në fazën e dytë, në asnjë moment nuk jam sinjalizuar dhe as kam konstatuar se fabrikës i kanosej një rrezik i madh. Prandaj, në përgjegjësi të plotë, i them Gjykatës se tragjedia e 15 marsit nuk ndodhi për shkak të atyre karrocave të famshme dhe as për shkak të ndonjë objekti tjetër të brendshëm që ishte në ambientet e brendshme të fabrikës. Tragjedia është shkaktuar nga një faktor i jashtëm. Këtë fakt, që nuk arriti ta zbardhte Prokuroria, uroj që ta çojë drejtësinë deri në fund Gjykata. Është për t’u çuditur se si Rod Tejlor, amerikani që qëndronte me Patrik Henrin, administratorin e kompanisë ‘SAC’, nuk ka ardhur në fabrikë pikërisht ditën e tragjedisë. Por, Rod Tejlor, çuditërisht arriti dhe të filmonte shpërthimin nga ballkoni i hotelit ku qëndronte, duke u zhdukur më pas për Drejtësinë shqiptare. Filmime këto që kanë dalë tepër vonë, dhe jo për shkak të hetimeve të Prokurorisë”. Në këtë mënyrë Minxolli e bëri publik versionin e tij se si shpërtheu fabrika e demontimit.

Dëshmitë e punëtorëve në seancën e djeshme

Dëshmitë e radhës në procesin gjyqësor “Gërdeci” kanë ritheksuar faktin se në fabrikë punohej pa kontrata pune. Edhe këtë radhë gishti u drejtua nga i pandehuri Dritan Minxolli. Punonjësit thanë se Minxolli ishte njeriu që i punësoi, që i trajnoi për punën dhe që i mblidhte mëngjes për mëngjes duke u dhënë detyrat që do të kryenin përgjatë turnit të punës. Gjatë seancës së djeshme në Gjykatën e Tiranës, tre ish-punonjës të fabrikës dëshmuan se pak para shpërthimit, përgjegjësi i fabrikës, Minxholli, doli nga godina, ndërsa sipas dëshmitarëve, kjo ishte një orë e pazakontë për t’u larguar, pasi ai qëndronte në fabrikë më tepër se në mesditë. Dëshmitarët kanë deklaruar se gjatë punës kanë vërejtur praninë e drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari, në fabrikë, ndërsa kanë theksuar se transportimi i municioneve bëhej me kamionë ushtarakë të shoqëruar nga Policia Ushtarake. Sipas tyre, çdo ditë në fabrikë vinin rreth 15 kamionë. Çështja “Gërdeci” është një nga çështjet më të mëdha në historinë e Gjyqësorit shqiptar, me rreth 300 dëshmitarë dhe 29 persona të marrë si të pandehur, shumë nga të cilët ish-funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ushtrisë. Tragjedia e 15 marsit shkaktoi 26 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur, ndërsa ndërkombëtarët gjithnjë e më shumë kanë shtuar thirrjet që kjo tragjedi duhet të hetohet plotësisht. Midis dëshmitarëve dëshmoi edhe pronari i firmës private që ka marrë përsipër ruajtjen e ish-repartit ushtarak në Gërdec. Agim Vrani dëshmoi se pas nënshkrimit të kontratës ai kishte lënë dy roje për ruajtjen e këtij objekti. Sipas tij, gjatë ditës rojet nuk i mbanin armatimet. Armët merreshin vetëm gjatë natës. Gjatë dëshmisë së tij patën debate edhe mes avokatëve dhe trupit gjykues. Avokatët ngritën shqetësimin se si një objekt që po demontohej ajo sasi municionesh mund të lihej vetëm me dy roje.

2 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›