E Shtunë, 31 Tetor 2026

HEC-et mbi Vjosë, METE përgatit hapjen e tenderit për koncesionin



Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është duke kërkuar një konsulent ndërkombëtar për të përgatitur terrenin e koncesionit të HEC-ve që do të ndërtohen mbi lumin Vjosë. Sipas METE-s, konsulenti do të punojë për 14 muaj për të ndihmuar qeverinë në organizimin e një tenderi dhe zgjedhjen e një partneri strategjik për të kryer investimet e nevojshme. Studimi paraprak për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë është kryer në kohën e komunizmit, por nuk u vu kurrë në zbatim, për shkak të kolapsit ekonomik të gjysmës së dytë të viteve ‘80. Në vitin 2008, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare shpenzoi rreth 1 milion euro dhe punësoi një kompani franceze për të kryer matjet paraprake mbi këtë lum. Në fund, korporata njoftoi se sipas studimit, Vjosa është në gjendje të plotësojë 30 për qind të kërkesës aktuale për energji elektrike në Shqipëri.
Lumi Vjosë është i dyti për nga madhësia në Shqipëri pas Drinit. Me një gjatësi të përgjithshme prej 272 km, prurjet mesatare janë 195 metra kub ujë/sekondë. Drini ka prurje mesatare prej 350 metra kub ujë/sekondë. Studimi i kryer në kohën e komunizmit nga Instituti Hidrometeorologjik vlerësoi se aty mund të ndërtoheshin 7 hidrocentrale me fuqi të përgjithshme të instaluar prej 500 MË. Prodhimi mund të arrijë në 2.2 miliardë kilovatorë në vit, me një vlerë të përgjithshme tregtare prej 110 milionë euro, bazuar në çmimin aktual të importit që është 50 euro për megavat. Kaskada e Vjosës mund ta rrisë prodhimin aktual të energjisë në Shqipëri me 50 për qind. Por deri më sot, vetëm një nga hidrocentralet e planifikuara për t’u ndërtuar atje, Kalivaçi, është dhënë me koncesion dhe ka filluar të ndërtohet.

2 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›