E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frika grumbullon pushtet

Nikollaq Neranxi

Kur Kushtetuta ndryshohet nga politikanët që më shumë e kanë mohuar se e kanë njohur atë, atëherë, ajo shoqëri ka vërtet probleme konstitucioni. Ky konkluzion më ka ardhur shpesh në mendje gjatë këtyre ditëve. Shkas është fakti që amendimet e bëra me një shpejtësi të habitshme dhe dyshuese në Parlament, po lexohen jo vetëm prej një pjese të politikës, por prej shumicës së komentuesve politikë, si një akt i pastër tinëzar.
Kushtetuta jonë është shëmbëlltyrë e tranzicionit. Aq sa i paqëndrueshëm ka qenë ai, aq e ndryshuar ka qenë Kushtetuta jonë. Politikani që e ka pasur preferencë të përhershme prekjen e Kushtetutës, është sot kryeministër i vendit. Në CV-në e tij kjo dëshirë është jo vetëm e shënuar, por në vitin 1994, përmes referendumit të dirigjuar prej tij, ai pësoi një zhgënjim. Atëherë ai kishte cilësinë e Presidentit të vendit dhe dëshironte me çdo kusht të merrte atribute shumë herë më tepër nga ç’kishte si President i vendit. Në kohën e sotme, kur është rikthyer si kryeministër me një kapërcim akrobatik dhe me një djallëzi politike të lexuar, zoti Berisha ka bërë të mundur të fitojë një betejë të humbur 14 vjet më parë.
Në këtë fitore nuk ka qenë i vetëm, por e ka mundësuar atë duke kapërcyer së pari debatin publik.
Mendoj se ky kapërcim, pra kjo tinëzari e mbërritur deri në amendimet e shpejta të Kushtetutës, duhet parë me vëmendje nga gjithë spektri politik i vendit dhe më së shumti nga gjithë faktorët e shoqërisë së hapur.
Këto amendime kanë krisur harmoninë institucionale mes disa pushteteve. Deri tani shenjat e para janë dhënë në marrëdhëniet mes krerëve më të lartë të shtetit, Presidentit Topi dhe Kryeministrit Berisha. Nuk është fjala vetëm për transferime kompetencash, por për prishje edhe të ekuilibrit të mbartur në pjesën më të qetë të tranzicionit postkomunist. Këto amendime befas bëhen prej politikanit që kurrë nuk ka bërë një deklaratë njohjeje dhe nënshtrimi ndaj Kushtetutës.
Për këtë arsye, amendimet janë vërtet të dyshimta dhe ende qysh prej ditës së kalimit të tyre në Parlament, nuk është konsumuar një seancë sqarimi apo një tur shpjegimi si prej kryeministrit, ashtu edhe prej krerëve të legjislativit që i përkasin shumicës qeverisëse.
Fakti që lajmëtare të parë për këto amendime ishte një zonjë deputete e PD-së, ta bën edhe më të shtuar dyshimin. Shumica e djathtë e dirigjuar prej kryeministrit e solli si propozim prej një politikaneje pa shumë aktivitet dhe artikulim politik. Ishte zonja Trashani ajo që e bëri e para publik vendimin e amendimeve të shpejta të Kushtetutës dhe kjo të intrigon edhe më tepër. Kjo gjë të shton dyshimet se tek “zëri i ulët fshihet edhe klithma e madhe”.
Në pamje të parë kjo mënyrë e ndryshimit të Kushtetutës të le shijen e prepotencës politike të qeverisë në Parlament. Efektet e këtij ndryshimi natyrisht nuk mund të ndihen që në muajin e parë, por në muajt në vazhdim dhe veçanërisht në ndeshjen e afërt elektorale, kemi për të parë se deri ku mund të shkojë qëllimi përdorues i këtyre amendimeve dhe i marrëdhënieve mes pushteteve. Zgjerimi i hapësirës së kryeministrit për të kontrolluar më lehtë institucione të pavarura kushtetuese, është vërtet një kërcënim serioz. Ka kaq ditë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me amendimet e reja që i janë bërë Kushtetutës dhe me miratimin e akteve ligjore për reformën zgjedhore, pushon së qeni institucion me pavarësi të plotë dhe veprim institucional të pavarur. Kjo gjë ka ndodhur vetëm pak kohë para fillimit të vitit zyrtar elektoral. Ç’ka për të ndodhur me administratën zgjedhore pas kësaj? Sa të sqaruara janë forcat politike dhe vetë opinioni publik për këtë administratë, e cila përcakton fatet e zgjedhjeve?
Të gjitha këto janë pyetje që të vijnë natyrshëm, kur konstaton se këtij institucioni tashmë përfundimisht i është shembur integriteti ligjor dhe pse jo infrastruktura financuese. Madje, jam i sigurt se krejt drejtuesit e këtij institucioni themelor janë të paqartë me fatin dhe funksionin e tyre të mëtejshëm. Për këtë gjë, deri më sot asnjë forcë politike nuk është shprehur dhe mendoj se heshtja e mëtejshme e opozitës komprometon vetë opozitën në qëllimin e saj për sukses të afërt elektoral.
Akti i miratimit të amendamenteve të Kushtetutës në Parlament, është thjesht një gjest i fortë bindjeje.
Parlamentarizmi me këtë votim ka pësuar një goditje dhe ka rikthyer kohën kur vendimi partiak-politik është autoriteti i pakundërshtueshëm. Përvoja politike dhe praktikat autoritare kanë dëshmuar se në akte dhe kthesa të tilla, kanë shënuar ngritjen e autoritarizmit mbi ligjvënësit dhe mbi parlamentarizmin në tërësi. Leximi drejt i këtij efekti ka për t’u bërë sipas gjasave me vonesë nga një pjesë e opozitës së majtë dhe nga vetë deputetët e shumicës, të cilët me heshtjen apo mërmëritjet e tyre pas votimeve të trishtojnë më shumë. Protagonizmi i udhëheqësve politikë të kësaj marrëveshjeje, meriton vëmendje të urtësh dhe të të gjithë spektrit të faktorëve të shoqërisë civile. Kjo duhet bërë për të parandaluar efektet deformuese në shtetin e së drejtës dhe në parimet bazë të funksionimit të demokracisë institucionale.
Nga ana tjetër, fakti që amendimet e Kushtetutës u votuan në të njëjtën ditë me reformën zgjedhore, jo vetëm që shumëfishon dyshimet, por shton edhe skepticizmin ndaj ekzistencës së pluralizmit partiak në skenën politike të vendit.
Në kushtet kur Shqipëria është para detyrimesh më të mëdha ndaj BE-së dhe proceseve integruese, ndaj proceseve për të arritur standarde, duket se preferenca e kryeministrit për të grumbulluar më tepër pushtet në duart e veta, është një qëllim individual.
Mungesa e një konsultimi paraprak, mungesa e një tryeze paraprake konstitucionalistësh dhe trajtimi në nivel ekspertësh, pa asnjë dyshim ka për të dëshmuar se sa jetëshkurtër kanë për të qenë këto nene në Kushtetutë.
Realiteti i afërt dhe praktika e nesërme ka për t’i nxjerrë ato të pavlefshme, pasi pretendohet dhe shpresohet prej gjithkujt që Shqipëria do t’i rrisë treguesit e zhvillimit, do të ecë me ritëm më të shpejtë drejt normalitetit dhe ndaj respektit ndërinstitucional. Nga ana tjetër, në këtë Kushtetutë dhe në amendimet e saj, ende ka mbetur jashtë pjesëmarrjes në qeverisje vullneti i popullit. Ky përjashtim dihet se ç’pasoja sjell dhe natyrisht se kë zhgënjen të parin, atë që është autor dhe që mendon vetëm për rezultate të përkohshme, që në rastin konkret është vetë qeverisësi i frikësuar. Pasi pushtetin e grumbullon më tepër një dorë, kur rreziqet për të zotin e dorës shtohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›