E Shtunë, 31 Tetor 2026

Objektivat e gjallë të PDU dhe Dule

Shpëtim Idrizi Ditët e fundit Z. Dule, pas disfatës elektorale dhe nevojës për të rifituar ...kolltukun e kryetarit, bëri disa aluzione negative për PDU-në. Ai foli për “objektiva fantazmë”, “për parti në koalicionin me Berishën, që janë të lidhura me të shkuarën”, “kundër integrimit evropian”, që “protestojnë kundër Bashkimit Evropian”,etj, etj.Këto fjali provokative ndaj një partie të ligjshme shqiptare, me karakter kombëtar, janë dëshmi e krizës personale, krizës së rezultateve të këtij drejtuesi të PBDNJ. Kjo parti është shpallur si parti e të drejtave të njeriut, por pozicioni i Dules ngjan si i një ekstremisti grek. Ky drejtues, siç thonë në akuzat për njëri-tjetrin, përfaqësues të ndryshëm të minoritetit, kritikë të Dules, nuk ka asnjë lidhje me interesat jetësorë të minoritetit vëlla grek.Këto qëndrime janë provokim i rëndë për komunitetin çam, mbështetësit kryesorë të partisë sonë, por jo të vetmit.Do mundohem t’i argumentoj më poshtë këto përfundime.Objektivat, që shpall sistematikisht zoti Dule, janë qartësisht objektiva fantazmë, d.m.th., larg realitetit dhe interesave jetësore të minoritetit grek në Shqipëri. Ky minoritet gëzon një kuadër të shkëlqyer të drejtash dhe lirish njerëzore. Kurse objektivat e zotit Dule janë fantazmë, sepse këto objektiva nuk votohen. A nuk është kjo dëshmi e një krize përfaqësimi? Zoti Dule i ka ndërruar aleancat zgjedhore jo prej partisë së komunitetit çam, me të cilën ishte bashkë në zgjedhjet lokale të 2007, por për llogaritë e veta personale. Qëndrimet e zotit Dule janë një provokim, që nuk e kemi nxitur Ne, pasi Ne, kemi qenë dhe jemi gjithmonë në mbështetje të të drejtave të minoritetit.  Zoti Dule nuk mund të kërkojë të rizgjidhet, duke bërë ekstremistin dhe duke provokuar 300 mijë çamë e të gjithë Shqiptaret. Askush prej nesh nuk e kishte përmendur deri më tani zotin Dule dhe aq më tepër ta provokonte atë. Dhe tani le të vazhdojmë me objektivat e zotit Dule. Objektivat, që ka zoti Dule dhe mbështetësi i tij i madh, shqiptari me gjak të shprishur nga Progonati, Vasil Bollano, janë ato të ekstremistëve grekë të shekullit të 19-të dhe shumë larg atyre të grupeve përparimtare greke të shekullit ku hymë. Këto grupe përparimtare, ndryshe nga Dule dhe ndjekësi i tij Bollano, kërkojnë rishikimin e historisë së krimeve ndaj çamëve duke i konsideruar ato si “spastrim etnik”. Do ta ftoja zotin Dule të lexonte autorë të tillë përparimtarë si, Jorgos Margaritis, Tasos Teloglu, Krapsitis, etj. Objektivat e PDU janë objektiva europianë. Shumë qytetarë të popullit çam nuk shkojnë dot në Greqi sepse u refuzohet viza, një veprim ky i vazhdueshëm- pseudoevropian i Ambasadës greke, por kjo s’do të thotë se ata nuk ndihen evropianë, siç pretendon se ndihet zoti Dule, që shkon shpesh në Greqi.Askush brenda popullit shqiptar, më shumë se çamët nuk e kërkon integrimin evropian. Integrim evropian për ne do të thotë liri lëvizjeje. Do të thotë kuadër ligjor dhe drejtësi për krimet e së kaluarës nga armiqtë e njerëzimit, që frymëzojnë Dulen, heronj të Megalidhesë, por dhe bashkëpunëtori i nazistëve, Napoleon Zerva. Ju zoti Dule, jeni kundër integrimit evropian të Shqipërisë, sepse do të mbeteni, pa karta presioni në dorë ndaj Tiranës; sepse s’do të ketë më blerje të votës me viza.Së shpejti, shqiptarët do të fitojnë të drejtën të lëvizin pa viza në Bashkimin Evropian.Në këtë ditë fatlume dhe çamët do të kenë të drejtë të udhëtojnë të lirë në zonat, ku kanë jetuar të parët e tyre dhe ku janë të paprekura gjurmët e krimeve të kryer mbi ta. Askush më shumë se komuniteti çam nuk është më i interesuar për marrëdhënie të mira me Greqinë. Ne besojmë shumë se qeveria e zotit Papandreu, në respekt të traditës më të mirë të së majtës greke, do të hapë për mirë kapitullin e padrejtësive ndaj komunitetit çam, pjesë vitale e kombit shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›