Aksidenti në urën e Kolshit, punëtorët nuk kishin rripa sigurimi
Aksidenti i një dite më parë, në një nga urat e autostradës në segmentin Kolsh-Kukës, ku gjetën vdekjen dy punëtorë të kompanisë "Alb-building", është shkaktuar për shkak të moszbatimit të rregullave të sigurimit teknik në punë. Ky ka qenë konkluzioni i grupit hetimor. Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale për ngjarjen në fjalë, deri tani ka një të arrestuar dhe disa të tjerë të shoqëruar. Sipas drejtorit të policisë, Ali Elezi, grupi hetimor i ngritur për këtë qëllim, pas këqyrjes së vendit të ngjarjes ka konstatuar shkelje të sigurisë teknike. "Katër punëtorë të kompanisë, të cilët punonin në njërën prej këmbëve të urës së Kolshit, rreth 25 metra lartësi nuk ishin të lidhur me rripat e sigurisë", ka thënë Elezi. Ndërkohë ai ka shtuar se pakujdesitë kanë vijuar edhe pas aksidentit kur manovratori i vinçit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke e lënë edhe vinçin të ndezur. Për këtë shkak, vinçieri Astrit Kita, 40 vjeç, me arsim 8-vjeçar, lindur dhe banues në Tiranë, është arrestuar mëngjesin e së martës, ndërkohë që janë shoqëruar për në Komisariatin e Kukësit edhe katër drejtues të tjerë të firmës, kryesisht drejtues punimesh dhe teknikë për mosrespektimin e rregullave teknike në punë. Nga burime të vendit të ngjarjes mësohet se lënia ndezur e vinçit ka shkaktuar frikë te punëtorët dhe mund të kishte shkaktuar një tragjedi tjetër, pasi poshtë urës kanë qenë duke punuar rreth 30 punëtorë, por fatmirësisht një ndihmës manovrator pas 20 minutash ka fikur vinçin. Punëtori 38-vjeçar, Arben Muçmata, që humbi jetën në urë, është varrosur dje në mesditë në fshatin e vet në Shtiqën, ndërsa trupi i pajetë i punëtorit tjetër nga Maqedonia është dërguar dje për në vendlindjen e vet, nëpërmjet kufirit të Kosovës.
S.Dida
S.Dida