E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet e minatorëve, gjashtë nën hetim

Abuzimet me pensionet kanë çuar për ndjekje penale gjashtë pensionistë në qytetin e Pogradecit. Mësohet se për të përfituar pensione më të majme, ata kanë paraqitur dokumente të falsifikuara në dosjet e tyre, por janë zbuluar nga ana e Sektorit të Krimit Ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë së Korçës. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Pogradecit, në dosjet e pensioneve të zyrës së sigurimeve shoqërore. Ka qenë Krimi Ekonomik që, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, ka kryer një kontroll pranë degës së sigurimeve në qytetin e Pogradecit, ku banojnë gjashtë pensionistët të cilëve u janë gjetur në dosje dokumente të rreme. Ndaj gjashtë pensionistëve ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Burimet e policisë lokale thonë se bëhet fjalë për: Ilia Bllazhda 54 vjeç, Bujar Lipo 56 vjeç, Stavri Mëngri dhe Durim Mançellari, përkatësisht 53 dhe 51 vjeç, Bujar Selfollari 52 vjeç dhe 55-vjeçari Riza Bufi. Ata janë paraqitur me dokumente të falsifikuara si minatorë. Të gjashtë pensionistët kanë qenë punonjës të minierës së hekur-nikelit në Gur të Kuq, por nga verifikimet e kryera ata kanë rezultuar se nuk kanë qenë minatorë të nëntokës, siç kanë përfituar për disa vite nga pensioni shtetëror, por kanë punuar mbi tokë.

Ju.Dh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›