E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti në Himarë, Rama: Orë solidariteti e përpjekjesh kombëtare

Kryesocialisti Rama është solidarizuar me familjarët e studentëve dhe viktimat, të cilët u përfshinë në aksidentin tragjik në Himarë. Përmes një reagimi të tij ai e ka cilësuar aksidentin një tragjedi të tmerrshme, e cila ka mbajtur pezull frymën e mbarë kombit.

“Janë orë solidariteti kombëtar e përpjekjesh të gjithanshme për të shpëtuar çdo jetë njerëzore të përfshirë në këtë aksident tragjik. Jam i bindur se personeli i Spitalit Ushtarak i sprovuar në fatkeqësi me përmasa të pazakonshme dhe gjithë njerëzit e shërbimeve të tjera spitalore, policore, ushtarake, do të bëjnë çdo gjë që është në fuqinë e tyre për të shpëtuar jetët që ende mund të shpëtohen” shkruan Rama.

Ndërkaq ai u bën thirrje Bashkive socialiste të Himarës, Orikumit, Vlorës,të bëjnë të pamundurën për t`u ardhur në ndihmë të dëmtuarve duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha strukturat shtetërore për çdo gjë që mund të ndihmojnë.

“Eshtë me shumë rëndësi t`u qëndrojmë pranë në këto orë të zymta familjeve të viktimave për t`u lehtësuar sadopak dhimbjen e patregueshme” përfundon Rama.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›