E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika serbe ndaj Kosovës nuk do ndryshojë

Oliver Ivanoviç

I ashtuquajturi Sekretar shtetëror në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, ka thënë se nuk pret ndryshime drastike të politikës shtetërore serbe ndaj Kosovës, pas zgjedhjes së Tomislav Nikoliçit për president të Serbisë.

“Nuk ka indikacione se do të ndryshojë politika ndaj Kosovës, por është e rëndësishme që në vendimin për formulimin e politikës ndaj Kosovës të kenë ndikim të gjithë aktorët e skenës politike”, i ka thënë Ivanoviç agjencisë serbe Beta.

Ai ka thënë se qasja e Serbisë ndaj Kosovës, do të varet nga Qeveria e re dhe presidentit të Serbisë, të cilët, sipas tij, do të duhej të krijojnë një politikë të përbashkët.

“Kosova është një problem i madh dhe kërkon angazhim të të gjithë pjesëmarrësve në shoqëri. Prandaj duhet të ekzistojë një konsensus i plotë në strukturën udhëheqëse dhe minimumi i konsensusit me opozitën “, ka thënë Ivanoviç, duke shtuar se zgjedhja e presidentit të ri të Serbisë është një rast për krijimin e frontit të gjerë dhe politikës konsistente ndaj Kosovës. /Telegrafi/

Përgatiti: E.L

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›