E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miqtë e Ermira Manes rrëfejnë ëndrrat e saj para lamtumirës

—-Nga Juxhin Mustafaraj—-

Elbasan- Familja Mane ka përcjellë për në banesën e fundit mesditën e djeshme vajzën e tyre Ermira Mane e cila ishte një prej 13 viktimave të aksidentit tragjik që ndodhi të hënën në Qafën e Vishës në Himarë. Dyert e shtëpisë kanë qënë të hapura për shokë, të afërm, miq të familjes por edhe për qytetarë elbasanas të pikëlluar thellë si e gjithë Shqipëria për tragjedinë e ndodhur dy ditë më parë.

Prindërit e saj kanë udhëtuar për gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme për të qënë të pranishëm në lamtumirën e së bijës për në banesën e fundit. Ermira jetonte me gjyshërit e saj në fshatin Mliz në qytetin e Elbasanit, ndërkohë që prindërit e saj ishin të punësuar dhe jetonin prej vitesh në shtetin grek. Mikeshat e saj të ngushta mes lotëve dhe dhimbjes së thellë kujtojnë përmes fotosh buzëqeshjen e përhershme të Mirës. Një prej miqve të saj më të ngushtë Edison Qefalia kujton ditën e premte si herën e fundit në të cilën është takuar me Ermirën.

Ditën e premte kishte provim dhe pasi doli nga provimi po tregonte se ishte shumë e kënaqur që kishte dalë shumë mirë në provim dhe e lumtur mezi priste të hënën për tu nisur për në Sarandë. Kur u takuam për tu përshëndetur iku shumë e lumtur, më kapi në qafë a thua sikur nuk do të më takonte më kurrë- tregon Edisoni.

Pranë trupit të saj kanë qënë të shumta kurorat me lule të ardhura nga zyrtarë, familjarë dhe njerëz të afërt, por buqeta më e bukur Ermirës i ka ardhur nga shoqet e saj të ngushta të cilat nuk kanë mundur të përmbajnë dot lotët teksa gjendeshin shumë pranë mikeshës që gjithmonë i kishte dhuruar buzëqeshje. Dëshira për dije dhe për të mbaruar shkollën e mësuesisë ka qënë ëndrra më e madhe që Mira u ka shprehur miqve të saj.

Edisoni  na ka rrëfyer orët e dhimbjes dhe lutjeve që mikesha e tij të bënte pjesë në listën e personae të paidentifikuar nga të mbijetuarit e aksidentit. Por ai tregon edhe për një peng që nuk do mund ta shlyej dot kurrë

Më ka ngelur pishman që nuk ja ktheva një libër që ja kisha marrë për një detyrë që kisha. Kur e takova të premten më pyeti nëse e kisha mbaruar detyrën dhe nëse më duhej ndihmë por unë i thashë se po e përfundoja dhe librin do t’ja riktheja sapo të kthehej nga Saranda- rrëfen miku i saj.

Shkrimi në foto është shkruar me dorën e Emirës mbi librin që ajo i kishte huazuar mikut të saj, i cili do të mbetet kujtimi i fundit i një vajze të mrekullueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›