Aksidenti në Qafë Krrabë, AK: Policia po vonon zbardhjen e të vërtetës

Aleanca “Kuq e Zi” ka reaguar sot në lidhje me hetimet për aksidentin e ndodhur pasditen e djeshme në Qafë Krrabë ku një automjet me aktivistë të saj doli nga rruga duke përfunduar 10 metra poshtë. Në një deklaratë të saj, Aleanca ka akuzuar policinë e Elbasanit se po vonon zbardhjen e identitetit të drejtuesit të automjetit "Range Rover" i cili sipas aktivistëve shkaktoi edhe aksidentin.
“Aleanca KuqeZi vijon të jetë e shqetësuar për punën e ngadaltë të strukturave të policisë së shtetit shqiptar të cilat gjatë 20 orëve të fundit kanë treguar se nuk janë në gjendje të lokalizojnë dhe identifikojnë e ndalojnë një automjet të tipit "Range Rover" i zi me targa Tirane, që sipas dëshmitraëve dhe delegatëve të Aleancës KuqeZi është shkaktar i aksidentit të ditës së djeshmë ku rrezikuan jetën 35 aktivistët e Aleancës KUqeZi” thekson aleanca.
Aleanca ka theksuar se prej ditës djeshme ka nisur hetimin privatisht për zbardhjen e ngjarjes dhe identifimin e autorit të kësaj ngjarje të rëndë. Sipas saj se automjetet tip Range Rover dhe Landrove me targa Tirane, janë të strukturave shtetërore. “Një tjetër detaj duke iu bazuar deklaratave të dëshmitareve është se fuoristrata e zezë, tip Range Rover rezulton të ketë patur targën e Tiranës dhe serinë A, pra TR - A, por paradoksalisht modeli i fuoristradës së zeze ka qenë i viteve të fundit. Pra në bazë të këtyre dëshmive del në pah që fuoristrada mban një targë të viteve 1994 ndërkohë që vitprodhimi i saj është i pas viteve 2008-2009, dhe të gjithë në jemi koshientë që një fenomen i tillë është i njohur tek automjetet e institucioneve të rëndësisë së veçantë në vendin tone” shton aleanca.
Më tej aleanca ka shtuar se është e gatshme që të gjithë dokumentat e siguruara prej saj t`ia vendosë në dispozicion organeve hetues me qëllim përshpejtimin e punës për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.