E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti në Xibrakë me 4 të vdekur, arrest me burg për njërin prej shoferëve

ELBASAN – Gjykata e Elbasanit vendosi masën e sigurisë arrest me burg për njërin prej shoferëve të 3 makinave që u aksidentuan në 8 korrik në aksin Elbasan-Librazhd, ku humbën jetën 4 persona.

Mësohet se gjykata ka vendosur të lerë në burg shtetasin Edvin Çuculi, i cili drejtonte makinën tip ‘BMË’ me targë AA971EA, ndërsa shoferi i furgonit me targë LB001A Eduart Haskurti dhe drejtuesi i kamionit që u përfshi në aksident, do të hetohen në gjendje të lirë.

Sipas hetimeve, rezultoi se aksidenti tragjik ka ndodhur për shkak të parakalimit të gabuar të mjetit që drejtohej nga shtetasi Edvin Çuculi.

Aksidenti tragjik ndodhi pasditen e 8 korrikut në afërsi të fshatit Xibrakë të Elbasanit ku gjetën vdekjen katër persona. Autovetura tip “BMË” që drejtohej nga Edvin Çuculi ka tentuar të parakalojë mjetin tip trajler me drejtues Renato Torollari, ndërkohë që është përplasur me një furgon pasagjerësh me targë LB 001 A, me drejtues 40-vjeçarin Eduart Haskurti nga Librazhdi.

Si pasojë e përplasjes së tre mjeteve humbën jetën katër pasagjerët e furgonit. Konkretisht: 50-vjeçari Fetah Çela si edhe bashkëshortja e tij Ryfete Çela, 48 vjeçe. Sipas të afërmve bashkëshortët Çela kishin pak ditë që kishin ardhur nga Greqia dhe shtëpinë e tyre e kishin në Elbasan. Pak më vonë janë identifikuar edhe dy viktimat e tjera që rezultoi të ishin nënë e bijë, Nasibe Shehi 69 vjeç dhe vajza e saj, Alushe Kullafi 49 vjeçe që të dyja me banim në fshatin Katund i Ri të Elbasanit.

Nënë e bijë kishin shkuar në Librazhd për një vizitë tek të afërmit e tyre dhe ndodheshin në vendin e parë të furgonit. Në këtë aksident u plagos dhe shoferi i furgonit, si dhe një tjetër. Eduart Haskurti u dërgua në Spitalin Ushtarak të Tiranës ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›