E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungojnë guidat, turistët e huaj në udhëkryq

guida-turistike-10-zgjedhje-e-detyruarShqipëria nuk vuan nga mungesa e turistëve, por janë këta të fundit që duket se nuk kanë akses në informacion. Me dhjetëra turistë të huaj vizitojnë çdo ditë Tiranën dhe qytete të tjera të Shqipërisë, por që nuk dinë se ku dhe si të shkojnë, për shkak të mungesës së guidave dhe informacionit zyrtar për këto vende. “Informacioni për Shqipërinë, nga vendi i origjinës, për turistët që vijnë në Shqipëri është shumë i paktë, sepse aksesi kryesor është interneti, por në internet informacioni për Shqipërinë është shumë i kufizuar dhe sidomos për aktivitet turistike këtu. Ne gjithnjë e më shumë kemi njerëz që na kontaktojnë, mbase thjesht për informacion”, thotë Endri Shima, administrator i një kompanie turistike. Vetë turistët thonë se më shumë informacion gjejnë në vendin e tyre për Shqipërinë. “Ne zakonisht marrim informacion nga agjencitë turistike polake. Ato dinë me saktësi çfarë të vizitojnë, çfarë është me interes dhe informojnë turistët tanë që vijnë”, thotë Carina Giel, udhëheqëse e një grupi turistësh polak. Nëse nuk e siguron informacionin e detajuar para se të nisesh rrezikon që pushimet në Shqipëri, ti kalosh duke pyetur pa orientim. “Nuk kam gjetur asgjë këtu. Para disa ditësh sigurova një informacion për disa vende ku duam të shkojmë, në Krujë për shembull, por këtë e siguruam duke paguar operatorët turistikë vendas. Ndërkohë që mund ta kishim vizituar edhe falas kështjellën”, thotë më tej Giel. Tashmë territori i shërbimeve turistike u përket vetëm privatëve, pasi zyrat e informacionit shtetërore, edhe pse të ngritura pranë çdo destinacioni, nuk funksionojnë. “Nuk mund të vish këtu pa një guidë. Ke nevoje për një guidë, për dikë nga vendi që të të tregojë çfarë, si, ku do shkosh? Sepse në internet është shumë e vështirë. Mund të marrësh informacion nga njerëz të ndryshëm, po jo nga autoritetet, jo nga faqet zyrtare”, thotë udhëheqësja e grupit të turistëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›