Grabitjet me armë nuk ndalen, 90 raste në pesë muaj
Hajdutët kryqëzojnë ligjin, policia i arreston, gjykata i liron
Grabitjet me armë, edhe pse përbëjnë krim duket se janë lënë jashtë vëmendjes së Policisë së Shtetit, ndërsa në muajt e fundit vjedhjet janë kthyer në tmerrin e qytetarëve. U grabit, në mes të ditës, një kazino, dy të moshuar u sulmuan në shtëpinë e tyre ku mbetën të plagosur nga agresorët, biznesmenit i grabisin paratë, ky është refreni që dashur pa dashur gjithkush nga ne po e dëgjon çdo ditë e më shumë. Hajdutët duket se kanë kryqëzuar me të vërtetë ligjin, ndërsa pa ju dridhur syri organizojnë grabitje në mes të ditës, në rrugë, në zemër të kryeqytetit, madje shumë herë edhe mu nën hundën e drejtorisë së Policisë. Në shumë raste nga këto ngjarje ka edhe viktima ndërsa statistikat tregojnë se 60 për qind e agresorëve identifikohen nga Policia por i shpëtojnë kapjes dhe në shumë raste janë ende në kërkim. Nga statistika të siguruara prej të dhënave nga Policia e Shtetit që prej Janarit të këtij viti nga vjedhjet me armë, janë evidentuar tre deri në katër viktima çdo muaj, e ndërsa shpesh hajdutët qëndrojnë vetëm disa muaj në paraburgim e më pas paguajnë gjobat që të dalin, Policia e Shtetit duket sikur e ka humbur betejën me agresorët.
Statistikat
Burime konfidenciale nga Policia e Shtetit deklarojnë për gazetën se në pesë muaj janë shënuar në regjistrat e policisë rreth 90 raste të grabitjeve me armë nga grupe të armatosur e me maska ndërsa nga Gjykata pjesa dërrmuese e agresorëve duket se lirohet brenda disa muajve duke u mjaftuar vetëm me pagesën e gjobave të lehta. Sipas këtyre burimeve dhjetëra të rinj, të proceduar disa herë nga Policia i shpëtojnë dënimit, edhe pse kanë kryer grabitje me armë e në rastet më flagrante rastis të kenë plagosur edhe njerëz të pafajshëm. Sipas të dhënave nga policia e shtetit veprat penale, të krimeve kundër personit si vjedhjet me dhunë dhe me armë kanë të dhëna shkurajuese për qytetarët. Policia arrin që të zbulojë vetëm 41 për qind të rasteve të ndodhura. Megjithëse komuniteti po tregohet gjithnjë e më i gatshëm që të bashkëpunojë me policinë dhe kësisoj është shtuar ndjeshëm sensibilizimi i qytetarëve dhe janë shtuar deri ne 40 për qind të telefonatave denoncuese apo denoncimet direkte në rajonet e policisë për grabitjet me armë, kjo gjë e tillë nuk shpërblehet nga strukturat e rendit të cilat në rreth 60 për qind të rasteve të grabitjeve apo vjedhjeve të banesave nuk arrijnë që të gjejnë autorët. Vetëm në Tiranë sipas analizës së publikuar nga Policia për vitin e kaluar u regjistruan 140 vjedhje me dhunë dhe me armë, ndërsa nga të dhënat e 2013 kjo shifër duket se do të arrihet vetëm në një kohë të shkurtër brenda gjashtë muajve. Grabitje të tilla po kthejnë edhe një fenomen të rëndë për shoqërinë, atë të vetëgjyqësisë. Besimi i publikut dhe arrestimi i grabitësve ka kohë që janë në luftë të hapur me njëra-tjetrën, ndërsa çdo kush prej nesh ndihet thuajse plotësisht i pasigurt në jetën e përditshme ku jo vetëm biznesmenët, rojet e ndërtesave por edhe gratë e të moshuarit në rrugë a në shtëpi qofshin në shumë raste janë viktimat e vërteta nga vetë hajdutët.
7
kazino të grabitura me armë janë shënuar për lojërat e fatit në Tiranë e në Durrës brenda një periudhe prej 5 muajsh, ku hajdutët kanë pranuar autorësinë e grabitjes dhe kanë dëshmuar në polici se e kanë kryer vjedhjen për arsye ekonomike.
57.6 për qind
e rasteve në 2012 përsa i përket rasteve të grabitjeve janë zbuluar ndërsa përqindja tjetër e grabitësve janë të lirë sipas statistikave. Sipas të dhënave një individ i vetëm arriti të bënte rreth dhjetë vjedhje bankash në Tiranë dhe në Fier.
35
grabitje bankash janë janë regjistruar në vitin 2012, ku 28 janë realizuar, dhe 7 mbetën në tentativë. Viti 2010 shënon numrin më të madh, me 13 raste. Në 2012 ishin 3 raste, ndërsa vërehet se bankat gjatë vitit 2013 kanë qenë objektiv i shpeshtë i vjedhjeve me armë.