E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, nga kushtet e përkeqësuara të motit

Reagon zyrtarisht Policia e Shtetit

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit përmes një deklarate për shtyp informoi dje se shkaku i aksidentit tragjik në fshatin Dom të komunës Gjegjan, kanë qenë kushtet e vështira atmosferike, të cilat e kanë bërë të pamundur që drejtuesi i mjetit të shmangë aksidentin.
“Nga hetimet e deritanishme rezulton se drejtuesi i mjetit Zef Gjergji ishte i pajisur me leje drejtimi mjeti dhe ishte një drejtues mjeti me përvojë shumëvjeçare, ndërkohë që në kohën e udhëtimit kushtet e motit ishin përkeqësuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Dje rreth orës 17.00’, strukturat e Policisë së Shtetit kanë marrë njoftim se gjatë lëvizjes në aksin rrugor Fushë Arrës-Durrës, në fshatin Dom Gjegjan, ka dalë nga rruga një autobus me pasagjerë i linjës Fushë Arrës- Durrës, me targë PU 1330 A, me drejtues shtetasin Zef Mark Gjergji, vjeç 45, nga fshati Gojan, Komuna Gjegjan e rrethit të Pukës. “Me të marrë informacionin me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha është ngritur shtabi i punës për menaxhimin e kësaj ngjarje të rëndë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë Forcat RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, forcat e policisë së zonës, ndërkohë që janë dërguar dhe forca të tjera shtesë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër dhe Lezhë. Për transportimin e të dëmtuarave të kësaj ngjarje të rëndë janë vënë në dispozicion 6 helikopterë, 3 të Policisë së Shtetit, 2 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe 1 i Ministrisë së Mbrojtjes. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e daljes nga rruga të këtij mjeti kanë humbur jetën 12 persona, si dhe janë plagosur 12 shtetas të tjerë”, vijon komunikata e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Në spitalin Ushtarak humbi jetën dhe drejtuesi i mjetit Zef Gjergji.
Po ashtu në spitalin Ushtarak në Tiranë janë transportuar 5 të plagosur, ku 1 fëmijë është jashtë rrezikut për jetën dhe 3 fëmijë të tjerë në gjendje të rëndë. Më pas në drejtim të këtij spitali u transportuan me helikopter dhe 7 të dëmtuar të tjerë nga ky aksident.

Shtetasit që humbën jetën në aksidentin tragjik dje
Arsen Marku
Paulin Gjoni
Mimoza Hasani
Adem Mustafa
Martin Lleshi
Alma Marku,
Albiona Marku
Një i paidentifikuar
Fran Paloka
Gjovalin Pera
Tre të paidentifikuar

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›