Shkëmbim zjarri me policinë, një i vdekur në Lezhë
Strukturat e Rendit në operacion për të prangosur autorët e vjedhjes së turistëve malazezë
Një person ka gjetur vdekjen mesditën e djeshme pas një shkëmbim zjarri me policinë në qarkun e Lezhës. Policia e Lezhës ka konfirmuar zyrtarisht ngjarjen ku një person u qëllua për vdekje në shkëmbim zjarri me uniformat blu. Ngjarja ndodhi pasditen e së Shtunës, rreth orës 14.45, ne vendin e quajtur Ura e Cenit ne Lagjen “Besëlidhja” te qytetit Lezhe. Sipas deklarimit zyrtar të policisë, gjatë një operacioni për të kapur autoret e dyshuar të grabitjes së ndodhur më datë 14. 07. 2010, të shtetasve malazezë, një mjeti me targë TR 7870 R i është bërë thirrje nga shërbimet e policisë që të ndalonte.
“Pavarësisht thirrjeve të policisë për të ndaluar, personat që udhëtonin me makinën e lartpërmendur, kanë vazhduar rrugën duke u përplasur me mjetin e policisë tip motoçikletë, në të cilën ndodhej punonjësi i policisë rrugore Dritan Lorenci, i cili është dëmtuar lehtë”, bën me dije policia,
“Autorët e dyshuar kanë qëlluar me armë zjarri ndaj forcave të policisë, e ku këta të fundit i janë përgjigjur zjarrit, dhe për pasojë ka mbetur i vdekur një shtetas, që ndodhej në automjet”, shtoi Policia e Lezhës.
Automjeti me targa TR 7870 R, është braktisur nga drejtuesi mjetit në vendin e quajtur Balldre.
“Janë ngritur grupe të shumta pune, postblloqe policie dhe po intensifikohet puna për të mundësuar kapjen e autoreve, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur për arsye hetimi”, vijon më tej deklarata e policisë së Lezhës.