“Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën”
Sami Koçeku, kirurg, zëvendësdrejtor i spitalit Ushtarak
“Të lënduarit nga aksidenti tragjik janë jashtë rrezikut për jetën”. Garancinë e dha dje në orët e vona të mbrëmjes zëvendësdrejtori i spitalit Ushtarak, kirurgu Sami Koçeku, duke deklaruar se 10 të plagosurit nuk kanë asnjë rrezik. Mjeku pranoi se gjendja e të lënduarve ishte e rëndë, por ndërhyrja e menjëhershme nga ana e mjekëve të spitalit Ushtarak, ka bërë që mjaft prej të plagosurve t’i shpëtojnë rrezikut për jetën.
“Të plagosurit kanë dëmtime me fraktura, por përgjithësisht janë jashtë rrezikut për jetën. Ne shpresojmë që të gjithë këta që aktualisht janë gjallë, do të jetojnë dhe ne do të bëjmë të pamundurën për këtë”, u shpreh ai.
Zëvendësdrejtori i spitalit Ushtarak, Koçeku tha se stafi i mjekëve do t’u qëndrojë pranë në çdo moment të plagosurve.