E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria po merr të gjitha masat të garantojë shëndetin e të aksidentuarve

Kryeministri Berisha viziton të plagosurit në spitalin Ushtarak

Kryeministri Sali Berisha vizitoi të plagosurit e aksidentit tragjik në spitalin Ushtarak në Tiranë. Shefi i ekzekutivit shprehu keqardhje për humbjen e jetëve njerëzore, ndërsa garantoi mbështetjen e qeverisë për shëndetin e udhëtarëve të aksidentuar nga rrëzimi i autobusit në aksin rrugor Fushë Arrëz- Rrëshen.
Shefi i kreut informoi se pjesa dërrmuese e të plagosurve janë dërguar për në spitalin Ushtarak, ndërsa vetëm dy prej tyre, u kuruan në spitalin e Shkodrës.
“Kjo është një zi e rëndë jo vetëm për Pukën, por për të gjithë Shqipërinë. Ka shumë të plagosur me trauma të shkallës së ndryshme. Janë marrë të gjitha masat që t’u jepet ndihma më e mirë e mundshme e të plagosurve. Me këtë rast dua t’u shpreh familjeve të viktimave, ngushëllimet më të sinqerta të qeverisë shqiptare, t’i siguroj se mbarë shqiptarët ndajnë sonte zinë e rëndë që ka pllakosur familjet e tyre. Lutemi së bashku për shëndetin e të plagosurve që ta kalojnë dhe të shërohen nga traumat, pasojat e saj, që ata kanë pësuar në këtë aksident. Të plagosurit ndodhen në spitalin Ushtarak. Një grup tjetër është nisur nga Rinasi, për të ardhur këtu. Dy të plagosur ndodhen në spitalin e Shkodrës”, u shpreh Kryeministri Berisha, duke shprehur edhe njëherë keqardhje për ngjarjen e rëndë, e cila deri më tani mendohet të marrë plot 11 jetë njerëzish.
Për të qenë pranë të lindurave të aksidentit tragjik, kryeministri Sali Berisha anuloi dje edhe axhendën e tij të inaugurimeve “Shqipëria po Ndryshon”, vizitë kjo e parashikuar për në Shkozet të Durrësit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›