E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedi pranë Fushë-Arrëzit, humbin jetën 14 veta

Mobilizim i jashtëzakonshëm i strukturave shtetërore. Helikopterë dhe ekipe mjekësore nxjerrin nga rreziku për jetën 10 të plagosurit
Berisha: Qeveria shpall ditën e sotme Ditë Zie Kombëtare

Qeveria shqiptare ka shpallur sot Ditë zie kombëtare, për nder të viktimave të aksidentit të djeshëm tragjik në aksin rrugor Fushë Arrëz - Rrëshen. Ngjarja e rëndë ndodhi dje pas dite pranë Rrëshenit, ku autobusi me drejtues 48 vjeçarin Zef Gjergji dhe me targa Pu 1330 A, ka dalë nga rruga në vendin e quajtur Dom të komunës Gjegjan, duke përfunduar në ujërat e lumit Fan i Madh. Shkaqet e aksidentit mendohet të kenë qenë kushtet e vështira atmosferike nën mbizotërimin e reshjeve të shiut, të cilat mund të kenë ndikuar në daljen nga rruga të automjetit.
Tragjedia ndodhi në fshatin Dom të komunës Gjegjan, ku autobusi i nisur nga Tirana mësohet të ketë rënë nga rreth 500 metra lartësi, duke përfunduar në ujërat e lumit Fan i Madh. Menjëherë pas ngjarjes, Ministria e Brendshme me urdhër të ministrit Lulzim Basha, në kohë rekord u ngriti një shtab emergjence për ngjarjen e rëndë. Në vendngjarje mbërrit menjëherë zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj dhe forca të shumta të RENEA-s.
Drejtori i Emergjencave Civile Alfred Olli, informoi menjëherë pas ngjarjes se për në vendngjarje u nisën menjëherë shërbimet e Emergjencës, për të ndihmuar të dëmtuarit. Kreu i policisë së shtetit, Hysni Burgaj njoftoi fillimisht për një bilanc në rritje të numrit të viktimave, për shkak të numrit të madh të udhëtarëve që ndodheshin në autobus.
Vetëm pak orë pas ngjarjes zëdhënësja e kryeministrit Berisha, doli në një konferencë për shtyp, duke deklaruar se Qeveria shpall ditën e sotme, Ditë Zie, për nder të viktimave të aksidentit tragjik. Sipas saj, qeveria merr përsipër mbulimin e të gjitha shpenzimeve të funeralave të viktimave.
“Qeveria shqiptare shpall 18 korrikun, ditë zie kombëtare për nder të atyre që humbën jetën në këtë aksident të rëndë automobilistik. Qeveria shqiptare merr përsipër të gjitha shpenzimet funerale të familjeve të viktimave të aksidentit të djeshëm”, u shpreh zëdhënësja e kryeministrit.
Në orët e vona të ditës së djeshme, u konfirmua edhe bilanci zyrtar i viktimave të asindetit, duke shënuar 14 të vdekur dhe 10 të plagosur.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›