E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, një i vdekur dhe dy të plagosur, pranga shoferit

SHKODËR - Një aksident me pasojë vdekjen e një 48-vjeçareje dhe plagosjen e dy shtetasve të tjerë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, në aksin rrugor Shkodër-Murriqan, në afërsi të në fshatit Zus, në vendin e quajtur "Gurorja", rreth 1 km larg urës së Bunës në Shkodër. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së qarkut Shkodër bëjnë të ditur se "aksidenti ka ardhur si pasojë e përplasjes së dy automjeteve tip furgon me targa SH 9253 C, SH 2669 D". Sipas burimeve, nga përplasja kanë gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasja Albina Gocaj, 48 vjeçe, si dhe janë dëmtuar rëndë shtetasit V. Gocaj, 58 vjeç dhe V. Verri, 54 vjeç, të cilët janë dërguar menjëherë në Spitalin rajonal Shkodër, ku po marrin ndihmën mjekësore. Të tre këta shtetas po udhëtonin si pasagjerë në mjetet e përfshira në aksident. Vetëm disa orë pas aksidentit, Policia e Shkodrës bën të ditur se ka vënë në pranga 43-vjeçarin Myzafer Pëllumbi, lindur dhe banues në fshatin Oblikë, Shkodër. Sipas policisë, Pëllumbi ka qenë drejtuesi i mjetit që ka shkaktuar dhe aksidentin tragjik. Ndaj tij kanë nisur veprimet hetimore për veprën penale “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve.”

Dhunohen nga burri dhe vjehrri, dy gra kërkojnë mbrojtje

DURRËS-KRUJË – Dy gra kërkojnë mbrojtje nga policia pasi dhunoheshin nga burri dhe nga vjehrri. Policia e Durrësit bën të ditur se më datë 11.01.2010 janë paraqitur për të bërë kallëzim pranë komisariateve të policisë Durrës e Krujë dy shtetase, të cilat kishin deklaruar se dhunoheshin sistematikisht. Bëhet fjalë për A. M., 27 vjeçe, banuese në Durrës, e cila deklaron se është dhunuar në mënyrë sistematike duke u rrahur, keqtrajtuar e fyer nga bashkëshorti i saj, shtetasi E. M., vitlindja 1974. Ndërsa pranë Policisë së Krujës është paraqitur shtetasja Z. S., 30 vjeçe, banuese në Krujë, e martuar, me një fëmijë, e cila pretendon se vjehrri i saj, shtetasi Sh. S., ka ushtruar ndaj saj sistematikisht dhunë psikologjike lidhur me një konflikt të nisur para 7 vitesh. Për të dyja rastet në fjalë nga ana policisë u kryen veprimet e para procedurale dhe u plotësuan kërkesë-paditë për lëshimin e urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes.
Vazhdon aksioni i Rrugores, 185 gjoba, 3 patenta të bllokuara

TIRANË- Vazhdon aksioni i Policisë Rrugore. Vetëm dje janë vendosur 185 gjoba dhe janë bllokuar 3 leje drejtimi. Polica Rrugore e kryeqytetit bën të ditur se ky aksion do të vazhdojë dhe në ditët në vazhdim, me qëllim ndëshkimin e të gjithë shoferëve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës.

“Adriatik”, shkatërrohet grupi kriminal italo-shqiptar

ITALI - Policia italiane ka arrestuar dje anëtarët e një bande italo-shqiptare me akuzën e trafikut ndërkombëtar të makinave, mashtrimit ndaj sigurimeve të tyre e tregtisë së paligjshme të drogës. Operacioni i quajtur nën kodin "Adriatik" u realizua kryesisht nga Policia e qytetit të Peskarës, në bashkëpunim me trupat policore të Veronës, Ankonës, Akuilës e Firences. Trembëdhjetë është numri i personave të arrestuar, por në listën e të arrestuarve mungon udhëheqësi shqiptar i kësaj bande, për të cilin Policia italiane bën të ditur se është duke punuar për arrestimin sa më të shpejtë të tij.

47-vjeçari me depresion tenton vetëhelmimin

DURRËS – Depresioni e shtyn 47-vjeçarin drejt vetëhelmimit. Policia e Durrësit bën të ditur se shtetasi K. H., 47 vjeç, është paraqitur në Spitalin Ushtarak të Tiranës në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Nga hetimet e para ka rezultuar se i dëmtuari, si pasojë e depresionit dhe e sëmundjeve të tjera, ka pirë një sasi të madhe medikamentesh duke i shkaktuar atij një gjendje shoku. Pas mjekimeve të marra në spital, 47-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Tashmë Prokuroria e Durrësit është duke hetuar të gjitha rrethanat që kanë çuar K. H. të marrë një sasi të madhe medikamentesh.

Pranga policit, qëlloi me pistoletë në gjendje të alkoolizuar

TIRANË – Një polic në gjendje të dehur ka qenë protagonisti i një incidenti pranë vendit të quajtur Stacioni i Trenit në kryeqytet. Burime të Policisë së Tiranës bëjnë të ditur se polici, aktualisht efektiv i Burgut të Fushë-Krujës, është grindur me pasagjerët e një furgoni taksi dhe më pas ka përdorur armën duke shtënë në ajër. Të shtënat kanë alarmuar pasagjerët dhe kalimtarët e shumtë në këtë zonë. Forca policie të Komisariatit Nr. 3 që mbërritën në vendngjarje e kanë shoqëruar policin në komisariat. Ndërkohë nuk bëhet i ditur identiteti i tij, kurse policia po heton rreth ngjarjes.

13 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›