Mungesa e parave, ministria e Financave i bllokon fondet bashkisë së Tiranës
Ervin KOÇI
Prej disa ditësh punonjësit e bashkisë më të madhe të vendit, asaj të Tiranës nuk po marrin pagat. Shkak për këtë është bërë bllokimi i fondeve nga Ministria e Financave e cila bashkë me paratë për pagat ka bllokuar edhe ato për kryerjen e punëve publike në kryeqytet. Thesari i shtetit ka kthyer mbrapsht pagesat për disa punë dhe shërbime publike në kryeqytet. Drejtuesit e Bashkisë së Tiranës kanë akuzuar Ministrinë e Financave se po ua faturon krizën ekonomike kompanive private, pasi e ka lënë arkën e shtetit bosh. Drejtuesit vendorë theksojnë se këto janë fonde që duhet të dalin nga arka e bashkisë dhe jo ajo e buxhetit të shtetit, ndaj dhe Ministria e Financave, me këtë urdhër bllokimi është duke shkelur ligjin. Në një reagim publik, përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës sqarojnë se, “me një urdhër të jashtëligjshëm nga lart dhe në kundërshtim me vetë afatin e vendosur më 18 dhjetor nga ministri i Financave, Thesari i shtetit ka kthyer mbrapsht pagesat për një sërë punësh e shërbimesh publike të kryera në kryeqytet, që nga rindërtimi i rrugëve deri te pastrimi”.
Shkelja e ligjit
Drejtuesit vendorë shpjegojnë më tej se këto pagesa që arrijnë në 101 milionë lekë të reja dhe bëhen nga arka e Bashkisë së Tiranës dhe jo nga buxheti i shtetit, u mohohen në mënyrë të paligjshme 24 kompanive. “Arka e shtetit mund të jetë bosh, por qeveria s'ka asnjë të drejtë të fusë duart në arkën e bashkive dhe as t'ua faturojë krizën ekonomike kompanive private. Ky arbitraritet i ri i qeverisë bie mbi punëtorët e këtyre kompanive dhe mbi vetë qytetin tonë, që duhet pastruar përditë, mirëmbajtur përditë, rindërtuar përditë”,- thuhet në qëndrimin zyrtar të qeverisë lokale të kryeqytetit. Më tej ata i kanë bërë thirrje ministrit të Financave të zhbllokojë pagesat që Bashkia e Tiranës u detyrohet sipas kontratave të punëve të kryera kompanive të kontraktuara. “Tirana nuk pret dot që qeveria të dalë nga gropa e krizës ekonomike e financiare ku po fundoset përditë”,- theksohet në këtë qëndrim të bashkisë kryeqytetase. Bllokimi i këtyre pagesave shënon edhe konfliktin e radhës mes pushtetit qendror dhe atij vendor të kryeqytetit.
Ministria e Financave
Deklaratave të Bashkisë së Tiranës, ministria e Financave i është përgjigjur në mënyrën e saj. Sipas Financave, “dega e Thesarit në Tiranë dhe në të gjithë vendin nuk kanë penguar, përkundrazi kanë bashkëpunuar dhe ndihmuar përfaqësuesit e qeverisjeve vendore me asistencë për mënyrën e zbatimit korrekt të ligjit. Bashkia Tiranë dhe çdo njësi e qeverisjes vendore mund të paraqesin në çdo moment dokumentacionin përkatës pranë degëve të thesarit për kryerjen e shpenzime të pa paguara gjatë vitit 2009”. Disa muaj më parë parlamenti miratoi një paketë ndryshimesh fiskale, ku binte në sy ulja e një serë taksash, si dhe ndryshimi i destinacionit të derdhjes së tyre. Pjesë e paketës së ndryshimeve ishte dhe taksa e ndikimit të infrastrukturës për ndërtimet që janë në proces legalizimi, taksë e cila mblidhet nga pushteti lokal. Nëse para ndryshimeve në ligj, kjo taksë varionte nga 1- 3 për qind të vlerës së investuar për objektet në rrethe, dhe 2 - 4 për qind të vlerës së investuar për ato në Tiranë, sipas ndryshimeve të bëra, ajo unifikohet në nivelin e 0.5 për qind të vlerës së ndërtimit.
Shkurt/////////////////////////
Zëvendëspresidenti i BB-së për Europën dhe Azinë, vizitë në Shqipëri
Philippe Le Houérou, zëvendëspresidenti i ri i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore filloi dje vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, e cila do të zgjasë deri më 16 janar. Qëllimi kryesor i vizitës do të jetë fillimi i diskutimeve dhe konsultimeve për Strategjinë e Partneritetit me Shqipërinë për 3-4 vitet e ardhshme. Kjo strategji përcakton se si Banka Botërore do të bashkëpunojë me Shqipërinë në mbështetje të prioriteteve të zhvillimit të vendit. Gjatë vizitës së tij 4-ditore në Shqipëri, Le Houérou do të takohet me presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, anëtarë të kabinetit, guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, liderin e opozitës, Edi Rama dhe përfaqësues të shoqërisë civile, sektorit privat dhe komunitetit ndërkombëtar. Gjithashtu, ai do të vizitojë disa projekte të financuara nga Banka Botërore.
Tregtia, tkurren me 10 miliardë lekë eksportet me BE-në
Shqipëria vijon të kryejë një volum të lartë tregtie me vendet e Bashkimit Europian, gati në masën mbi 65 për qind. Megjithatë, të ndara në zëra, vihet re një rënie e mallrave për eksport drejt BE-së. Ndoshta ndikuar nga kriza ekonomike apo nga mungesa e aftësisë konkurruese, bizneset shqiptare kanë eksportuar rreth 10 miliardë lekë më pak se në vitin 2008. Shifrat e publikuara së fundmi nga INSTAT-i tregojnë një rritje si volum i përgjithshëm, por tkurrje tek eksportet, të cilat gjatë janar-nëntor 2009 kanë pësuar rritje të ndjeshme në raport me Kinën. Te vendi aziatik kemi kryer rreth 4.3 miliardë lekë eksporte, afro 1.3 miliardë më shumë, si dhe kemi ulur importet. Rënie drastike e volumit tregtar shikohet me Rusinë, gati me 90 për qind. Krahasimet 2008-2009 nxjerrin tkurrje të madhe të importit rus, kurse eksporti është në nivele tepër modeste.
13 Janar 2010