E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregullore e re, kur mund t’i ankimojnë policët masat disiplinore

Laureta Rryçi

Të gjitha ndëshkimet në radhët e uniformave blu do të bazohen në rregulloren e re. Sipas kësaj të fundit, në varësi të shkeljeve do të vendosen dhe masat disiplinore për policët. Më pas komisionet e apelit do të vendosin nëse këto masa disiplinore do të mbeten në fuqi. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm rregulloren e re që përcakton rastet kur policët mund të ankimojnë masat disiplinore. Si do të funksionojnë komisionet e apelimit dhe masat që mund të hiqen. Rastet kur uniformat blu duhet t’i drejtohen gjykatës dhe afatet që duhet të respektojnë. Një nen i rregullores ka përcaktuar edhe kur shuhen masat disiplinore nëse nuk zbatohen në kohë. Midis rregullave është përcaktuar edhe për të gjitha vërejtjet që kanë vartësit ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, të cilat duhet t’ia drejtojnë me shkrim ministrit të Brendshëm.
Ankimi
Sipas rregullores, punonjësi ndaj të cilit merret masë disiplinore ka të drejtën e ankimit për masën e dhënë tek autoritetet e kësaj rregulloreje ose drejtpërdrejt në gjykatë. Kur punonjësi i Policisë ndëshkohet me masën disiplinore “vërejtje” ose “vërejtje me paralajmërim”, ai ka të drejtë të ankohet brenda pesë ditëve nga data e marrjes dijeni tek eprori i punonjësit që ka dhënë masën disiplinore. Ankesa në të gjitha rastet bëhet me shkrim. Eprori, të cilit i drejtohet ankesa, duhet ta shqyrtojë dhe të marrë vendim brenda tri ditëve nga marrja e ankesës. Vendimi i eprorit që shqyrton ankesën është përfundimtar. Eprori duhet të njoftojë me shkrim punonjësin e Policisë që është ankuar, punonjësin që ka dhënë masën, si dhe strukturat e personelit, të cilat, me marrjen e këtij vendimi, e administrojnë atë në dosjen personale të punonjësit, si dhe në sistemin elektronik të të dhënave. Ndërsa punonjësi i Policisë ndaj të cilit merret masë disiplinore “gjobë në masën sa paga e punonjësit për pesë ditë pune”, “shtyrje e afatit të gradimit nga një muaj deri në një vit”, “pezullim pa pagesë nga pesë ditë deri në tridhjetë ditë”, “ulje jo më shumë se një gradë deri në 12 muaj”, ose “përjashtim nga Policia” dhe punonjësi i shërbimeve mbështetëse ndaj të cilit merret masa disiplinore “ulja në një detyrë më të ulët” dhe “largim nga puna”, ka të drejtë të ankohet me shkrim për masën e dhënë te Komisioni i Apelimit brenda dhjetë ditësh pune nga çasti i njoftimit me shkrim për dhënien e masës. Afati i ankimimit prej dhjetë ditësh, në kuptimin e këtij neni, fillon nga data e marrjes së njoftimit me shkrim për masën e dhënë deri në datën e dorëzimit të ankesës në sekretarinë e strukturës ku ai punon. Punonjësi i sekretarisë duhet t’i japë ankuesit një vërtetim për datën e regjistrimit të ankesës dhe ta dërgojë ankesën menjëherë në Drejtorinë e Standardeve Profesionale. Nëse ankimi nuk bëhet nga punonjësi brenda afatit të përcaktuar, ai nuk shqyrtohet dhe për këtë njoftohet punonjësi i Policisë, titullari që ka dhënë masën si dhe strukturat e personelit.
Komisioni i Apelimit
Komisioni i Apelimit përbëhet nga 4 punonjës policie me gradë “Drejtues i Parë” dhe drejtohet nga njëri prej zëvendësdrejtorëve të Përgjithshëm të Policisë. Ky komision shqyrton të gjitha ankesat për masat disiplinore më të rënda se “vërejtje me paralajmërim”, si dhe rastet e ankimit për lirim nga detyra për shkak të shkurtimit të funksionit organik, kur punonjësi nuk pranon ulje në gradë. Pjesëtarët e këtij komisioni caktohen çdo vit me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Vendimet e Komisionit të Apelimit janë të formës së prerë dhe të detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo punonjës policie. Këto vendime mund të ankimohen nga palët vetëm në gjykatë. Punonjësi i Policisë që apelon ka të drejtë të kërkojë deri në dy herë ndryshimin e anëtarëve të Komisionit të Apelimit. Ankimimi i drejtorit të Përgjithshëm nuk është objekt shqyrtimi i këtij komisioni. Ai ka të drejtë të ankohet drejtpërdrejt në gjykatë.

Box
Ankimi ndaj drejtorit të Përgjithshëm
Kur ankesa bëhet ndaj drejtorit të Përgjithshëm, ajo nuk është objekt verifikimi e shqyrtimi nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme. Struktura ku adresohet ankesa duhet ta
dërgojë atë menjëherë te ministri i Brendshëm. Në këtë rast, ministri përcakton procedurat dhe personat që do të merren me verifikimin dhe shqyrtimin e ankesës.

Procedura e shqyrtimit të ankimit

Me marrjen e ankesës nga punonjësi i Policisë, Komisioni i Apelimit kërkon zyrtarisht nga punonjësi që ka dhënë masën disiplinore prova dhe fakte shkresore në të cilat ai është
mbështetur për dhënien e masës. Komisioni i Apelimit, kur e gjykon të nevojshme, cakton një punonjës policie të Drejtorisë së Përgjithshme me gradë më të lartë se grada e ankuesit që të bëjë verifikime që lidhen me çështjen në shqyrtim. Kryetari i Komisionit të Apelimit njofton me shkrim punonjësin e Policisë për vendin, datën dhe orën e shqyrtimit të ankesës së tij jo më vonë se pesë ditë përpara datës së shqyrtimit. Gjithashtu, ai njofton anëtarët e Komisionit të Apelimit për vendin, datën dhe orën e takimit, duke i vënë në dispozicion dokumentacionin përkatës. Punonjësi ka të drejtë të jetë i pranishëm dhe të mbrohet nga një punonjës tjetër policie i zgjedhur prej tij, me të njëjtën gradë ose me gradë më të lartë, ose një përfaqësues ligjor jashtë strukturave të Policisë. Në rast se punonjësi ndihmohet nga përfaqësuesi ligjor, shpenzimet përkatëse mbulohen nga vetë punonjësi ose nga sindikata. Titullarët e strukturave përkatëse duhet t’i lejojnë punonjësit e zgjedhur si mbrojtës të marrin pjesë në seancat e shqyrtimit të ankesës. Gjatë shqyrtimit të ankesës, Komisioni i Apelimit mund të kërkojë praninë e punonjësve të tjerë, të cilët kanë dijeni për ngjarjen apo shkeljen që pretendohet se ka kryer punonjësi. Mbledhjet e Komisionit të Apelimit për shqyrtimin e ankesave janë të hapura për punonjësit e Policisë, me përjashtim të rasteve kur çështja që shqyrtohet përbën sekret. Në rastet kur masa disiplinore është dhënë si pasojë e ankesës së ardhur nga qytetarët apo institucionet, mbledhjet e Komisionit janë të hapura edhe për median dhe publikun, kur ato nuk përbëjnë sekret. Seancat e shqyrtimit të ankesës së punonjësit pasqyrohen në procesverbalin përkatës të Komisionit të Apelimit. Vendimi i Komisionit të Apelimit duhet të jetë i arsyetuar dhe i bazuar në prova, fakte shkresore, si dhe në aktet normative në fuqi. Ai merret me shumicë votash dhe pa praninë e personave të tjerë. Komisioni i Apelimit i komunikon me shkrim punonjësit të Policisë vendimin, sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se pesë ditë pune, duke i dhënë një kopje të vendimit, si dhe fotokopje të dokumentacionit të shqyrtuar. Për vendimin e marrë njoftohet me shkrim edhe eprori që ka dhënë masën disiplinore. Komisioni i Apelimit duhet të përfundojë shqyrtimin e ankesës dhe të marrë vendim jo më vonë se 60 ditë nga momenti i marrjes së ankesës. Në raste të veçanta, ky afat mund të shtyhet për dy herë nga 30 ditë të tjera me vendim të arsyetuar të Komisionit të Apelimit. Në rast se punonjësi i Policisë nuk paraqitet në seancën e caktuar për shqyrtimin e ankesës së tij, seanca mund të shtyhet jo më shumë se një herë.

Afatet e ruajtjes dhe të shuarjes së masave disiplinore

Masat disiplinore “vërejtje”, “vërejtje me paralajmërim” dhe “gjobë në masën sa paga e pesë ditëve pune” qëndrojnë në dosjen personale të punonjësit 6 muaj nga koha e ekzekutimit të
masës dhe pas kësaj periudhe efektet e masës shuhen.

Masat disiplinore “shtyrja e afatit të gradimit nga një muaj deri në një vit”, “pezullim pa pagesë nga pesë ditë deri ne tridhjetë ditë” dhe “ulje jo më shumë se një gradë deri në 12 muaj” qëndrojnë në dosjen personale të punonjësit një vit nga koha e ekzekutimit të masës dhe pas kësaj periudhe efektet e masës shuhen.

Masa disiplinore që jepet ndaj punonjësit të Policisë evidentohet në rubrikën përkatëse të dosjes së punonjësit, si dhe ruhet në sistemin e bazës së të dhënave të personelit gjatë gjithë kohës së punësimit. Njëkohësisht formulari i dhënies së masës disiplinore ruhet në “xhepin” e dosjes së punonjësit deri në momentin e shuarjes së saj.

Në momentin e shuarjes së masës disiplinore bëhet shënimi përkatës në dosjen e punonjësit dhe në sistemin e bazës së të dhënave, si dhe hiqet formulari për dhënien e masës
disiplinore nga dosja e punonjësit.

Të dhënat për masat disiplinore që janë dhënë ndaj personelit të Policisë nuk i bëhen të ditura asnjë institucioni apo strukture pa miratimin e personit ose lejen me shkrim drejtorit të Përgjithshëm.

Masa disiplinore “përjashtim nga Policia” qëndron në dosjen personale të punonjësit dhe në sistemin e bazës së të dhënave të personelit gjatë gjithë kohës dhe pas ndërprerjes së
marrëdhënieve të punës. Kur punonjësi i Policisë fiton të drejtën e rikthimit në detyrë me vendim të gjykatës, vendimi i gjykatës duhet të vendoset në dosjen e punonjësit të Policisë dhe njëkohësisht ky fakt të pasqyrohet në të dhënat personale në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit.

13 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›