Gjinushi: “Menaxhimi korruptiv i digave solli përmbytjen”
Eneida Jaçaj
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, në një intervistë për gazetën “Albania” deklaroi se opozita nuk ka rrugë tjetër, por me protestat e saj do të largojë nga pushteti kryeministrin e dështuar, Sali Berisha. Për përmbytjet në Veri Gjinushi u shpreh se kjo qeveri tregoi dështimin e radhës dhe se kjo është një arsye më tepër për ta larguar këtë qeveri. Kreu i PSD-së deklaroi se kjo qeveri është e paaftë në dështimin në KESH, në naftë, në investimet e rrugëve, në mbledhjen e të ardhurave, në dështimin e uljes së varfërisë, në pagat e pensioneve, në kryereforma. Sipas tij, qeveria sa ka importuar energji, aq dhe ka harxhuar. Në këtë kontekst, Gjinushi u shpreh se kjo është një arsye më shumë për të thënë se kjo është qeveria më e korruptuar, ndërsa Nano dhe Meta janë 2 shërbyes të qeverisë dhe shegertë të korrupsionit.
Duke u ndalur në zgjedhjet e 28 qershorit, Gjinushi tha se kjo është një qeverisje që ka 70 mandate të manipuluara me 4 mercenarë. “Me Xhuvelin 1 u shtynë 4 vjet qeverisje, ndërsa me Xhuvelin 2 nuk mund të shtyhen 4 vjet qeverisje të tjera”, - u shpreh Gjinushi. Ndërsa deklaratën e kryeministrit Berisha për të zëvendësuar deputetët socialistë të zgjedhur nga vullneti i popullit, duke zbritur listën e zgjedhjeve, Gjinushi e ka cilësuar si presion politik nga vetë kryeministri. Ai u shpreh se Berisha është shkelësi më i njohur dhe periodik i Kushtetutës. Duke vijuar, kreu i PSD-së tha se Berisha ka dalë 2 herë kundër vullnetit të popullit dhe se herë pas here Berisha kërkon të mbrohet me Kushtetutën. Duke u ndalur në dialogun dy palësh për të zgjidhur këtë krizë politike, Gjinushi deklaroi se nuk mund të ketë një bashkëpunim, sepse dialogu nuk mbështetet në legjitimitetin e palëve, pasi, sipas tij, ky bashkëpunim mbeti në moshapjen e kutive.
Z. Gjinushi, ka zëra se do të ketë një aksion politik që deputetët socialistë të hyjnë në Parlament, duke qenë se në Veri të vendit është krijuar situata tejet e vështirë nga përmbytjet?
Përmbytjet treguan paaftësinë e qeverisë. Kjo është një përmbytje që ndodh në një dimër mesatar, e cila nuk ndodh asnjëherë, në një mijë vjet. Ndërkohë që Drini nuk kalon mbi 4000 m3/s, Berisha mbytet me 2000m3/s. Kjo tregoi qartë gjithashtu dështimin e qeverisë edhe në fushën e privatizimit. Shumë njerëz pyesin: kush e bëri katastrofën? Si shpjegohet dhe ç’qeveri është kjo që në muajin dhjetor, në dimër, të importohet energji? Çdo import do të thotë mbushje e panevojshme e kaskadës së Drinit. Shkodra duhet të dijë se ne blejmë energji nëpërmjet çekut dhe derdhim ujë mbi kokat e qytetarëve. Si shpjegohet se në një nga vitet më të lagësht, qeveria bën rritjen më të madhe të energjisë?! Çdokush e kupton se përmbytja ka ardhur nga menaxhimi korruptiv i qeverisë “Berisha”. Qeveria sa ka importuar, aq dhe ka harxhuar. Kjo është një arsye më shumë për të thënë se kjo është qeveria më e korruptuar, ndërsa Nano dhe Meta janë 2 shërbyes të qeverisë dhe shegertë të korrupsionit. Kjo qeveri është e paaftë në dështimin në KESH, në naftë, në investimet e rrugëve, në mbledhjen e të ardhurave, në dështimin e uljes së varfërisë, në pagat e pensionistëve, në kryereforma. Pasi u “dyfishuan” pagat, u përgjysmua gjeli i detit.
Pra socialistët nuk do të hyjnë në Parlament. Protestat që do të vijojnë do të konsistojnë në hapjen e kutive apo në largimin e qeverisë Berisha?
Opozita do të hyjë në Parlament si shumicë e zgjedhur nga populli. Vetëm në Shqipëri ende nuk vendos populli, sepse vullnetin e sovranit e manipulojnë manipulatorë të politikës. Po të shikojmë listën e zgjedhjeve, 800 mijë vota janë kundër Sali Berishës. Mandati ushtrohet atëherë kur merret. Kështu që kjo qeveri nuk e ka votën e popullit që më 28 qershor. Berisha 70 mandatet i ka marrë me manipulime. Në qoftë se këto vota do të ishin të sakta, Berisha do t’i hapte kutitë. Të pranosh fjalimin e Berishës në Kuvend në muajin dhjetor ndaj opozitës, do të thotë të pranosh një popull që ka të njëjtin koncept në fjalim. Por Berisha nuk ka i ka vetëm fjalë, sepse ai i ka bërë vepra. Kjo është një qeverisje që ka 70 mandate të manipuluara me 4 mercenarë. Me Xhuvelin 1 u shtyn 4 vjet qeverisje, ndërsa me Xhuvelin 2 nuk mund të shtyhen 4 vjet qeverisje të tjera.
Njohës të ligjit janë shprehur se as Kushtetuta dhe as Kodi Zgjedhor nuk parashikojnë që kryeministri Berisha të ulë listën poshtë vijës fituese nëse deputetët socialistë nuk do të hyjnë në Kuvend. Cili është komenti juaj?
Berisha është shkelësi më i njohur dhe periodik i Kushtetutës. Ai ka dalë 2 herë kundër vullnetit të popullit. Herë pas here Berisha kërkon të mbrohet me Kushtetutën. Për t’iu kundërvënë bojkotit tonë në 2007-n, ai thoshte që më 20 shkurt mbaron mandati i pushtetit lokal. Ndërkohë, zgjedhjet mbaruan më 20 qershor dhe askush nuk u kujtua për mbarimin e mandatit. Nanos nuk i mbaroi mandati për 4 vjet, duke munguar për asnjë arsye. Deputetët socialistë jo vetëm që nuk po mungojnë, por janë më aktivë. Edhe në kuptimin formal të Kushtetutës, nuk ka djegie mandati. Kjo është një lojë e një presioni politik.
A do të ekzistojë mundësia për një dialog dypalësh, maxhorancë-opozitë?
Dialog do të thotë bashkëpunim real mes pozitës dhe opozitës. Nuk mund të ketë një bashkëpunim, sepse dialogu nuk mbështetet në legjitimitetin e palëve. Ky bashkëpunim mbeti në moshapjen e kutive. Bashkëpunim do të thotë funksionim normal ndërinstitucional. Qeveria me Kuvendin, Kuvendi me Presidentin, Presidenti me Prokurorinë. Mirë me opozitën që nuk ekzistoi dialogu, po me Presidentin, me Shërbimin Informativ? Berisha është shkaktari i mosbashkëpunimit në të gjitha nivelet dhe hallkat. Pra duhet të hiqet ajo hallkë që është pengesë. Berisha e sheh opozitën si mafie, e kupton si të nënshtruar. Ai kështu ka vepruar me Nanon, më pas e bëri mik. Nëse bën pazar me Berishën, je lider largpamës; nëse e kundërshton, je mafie.
13 Janar 2010