E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria “fal” Shullazin dhe Ferhatin, rrëzon akuzën e “organizatës kriminale”

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rrëzuar akuzat e “grupit të strukturuar kriminal” për Emiljano Shullazin dhe Ervin Ferhatin, duke i akuzuar ata vetëm për “trafik të lëndëve narkotike në bashkëpunim” më shumë se një herë. Ky vendim është marrë gjatë procesit në ngarkim të këtyre të pandehurve, kur në momentin e leximit të konkluzioneve përfundimtare, organi i akuzës ka rrëzuar akuzën e ngritur më parë, duke e zëvendësuar atë. Prokuroria kërkoi dënimin me nga 13 vite burg për secilin, por duke aplikuar gjykimin e shkurtuar, dënimi zbret në 8 vite e 8 muaj burg. Të pandehurit akuzohen për një sërë rastesh të trafikut të drogës nga Turqia në drejtim të Italisë, duke përdorur Shqipërinë si vend tranzit.
Gjatë seancës së djeshme, organi i akuzës ka lexuar konkluzionet përfundimtare, duke kërkuar dënimin me nga 13 vite burg për Shullazin dhe Ferhatin, për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë”. Por dy të pandehurit përfitojnë uljen e 1/3 të dënimit, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e tyre për gjykim të shkurtuar dhe përfundimisht dënimi i tyre përllogaritet me 8 vite e 8 muaj burg.
Sipas Prokurorisë, dy të pandehurit akuzohen për së paku 6 episode të trafikimit të lëndëve narkotike me rreth 62 kg heroinë të trafikuar nga Turqia në drejtim të Italisë. Episodi i parë ka ndodhur në datën 10 qershor 2004, kur i pandehuri Lutfi Shabani (Ben Çami), në bashkëpunim me Shqiptar Gubetinin, kanë furnizuar me 100 kg substancë përzierëse organizatën e drejtuar nga Erges Ymeraj dhe Landi Baçi. Episodi i dytë është regjistruar në periudhën 16-18 gusht të vitit 2004. Të pandehurit Erges Ymeraj, Landi Baçi, Ervin Ferhati, në bashkëpunim me furnitorin turk me emrin Mehmet dhe me korrierin Nevzdet Haziri, i arrestuar në Itali, kanë trafikuar 10 kg heroinë. Droga është furnizuar nga Turqia dhe përmes Shqipërisë është eksportuar në Milano, Itali. Më 18 shtator 2004, gjatë kontrollit të ushtruar në autoveturën me targa kroate ZG 2879 K, me të cilën ka qenë duke udhëtuar korrieri Nevzdet Haziri, janë gjetur dhe sekuestruar 20 pako me peshë totale 10 kg. Lënda narkotike ishte e destinuar për të pandehurit Ervin Ferhati dhe Emiljano Shullazi. Sipas Prokurorisë, episodi i tretë daton në periudhën 18-21 gusht 2004, kur të pandehurit Erges Ymeraj, Erion Gogaj, Ervin Ferhati, Emiljano Shullazi, në bashkëpunim me furnitorin turk, Mehmet, kanë trafikuar 11 kg heroinë. Episodi i katërt është në periudhën 22-25 gusht 2004, kur disa të pandehur kanë trafikuar në Milano, Itali, sasinë prej 5 kg heroinë. Episodi i pestë daton në periudhën 28-29 shtator 2004, ku Erges Ymeraj, Erion Gogaj, Selfo Driza, Ervin Ferhati dhe Emiljano Shullazi, në bashkëpunim me furnitorin turk me emrin Mehmet, kanë trafikuar në territorin e shtetit italian 15 kg heroinë. Episodi i fundit ka ndodhur në harkun kohor 25 tetor 2004 dhe 1 nëntor 2004, ku Emiljano Shullazi, Ervin Ferhati, në bashkëpunim me Ardit Beratin dhe furnitorin turk me emrin Mehmet, me anën e korrierit Branko Govedaroviç, i arrestuar në Itali, kanë trafikuar në Itali 11,2 kg heroinë.
Tashëm pritet që në seancën e radhës të lexohen konkluzionet e mbrojtjes dhe më pas do të jetën radha e gjykatës, e cila do të vendosë dënimin përfundimtar të dy të pandehurve.

13 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›