E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet nga Italia i kërkuari për vrasjen e kryer 12 vite më parë

Gjolek Misiraj ishte dënuar me 19 vite burg nga Gjykata e Beratit
Ekstradohet nga Italia i shumëkërkuari Gjolek Misiraj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Roma, kanë arritur ta sjellin në Shqipëri këtë të kërkuar, i cili ishte dënuar nga Drejtësia shqiptare me 19 vite burg për vrasjen e Kastriot Shehut. Nën masa të rrepta sigurie ai ka zbritur në aeroportin “Nënë Tereza”, i shoqëruar nga forca të shumta policie të Drejtorisë së Burgjeve, të cilat e kanë dërguar atë në ambientet e izolimit.
Vrasja
Misiraj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Beratit, me Vendimin Nr. 134, datë 17.09.2007, e ka dënuar atë me 19 vjet burgim për kryerjen e veprave penale të “vrasjes me paramendim” në bashkëpunim dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
Sipas Policisë, më datën 27.07.1997, rreth orës 15:30, Gjolek Misiraj, në bashkëpunim me persona të tjerë, në fshatin Allambrez, Berat, ka qëlluar me armë zjarri Kastriot Shehun, duke i shkaktuar vdekjen. Uniformat blu bëjnë të ditur se motivi i kryerjes së kësaj vrasjeje ka qenë hakmarrja midis tij dhe viktimës.
Arrestimi
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, më datë 31.05.2009 u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i Misirajt. Ai është arrestuar në stacionin e trenit të Poggibonis, pasi prej dy muajsh ishte duke u hetuar nga ana e Policisë italiane, pasi dyshohej si pjesëtar i një grupi trafikantësh italo-shqiptar. Menjëherë pas arrestimit të tij kanë nisur proceduarat për ekstradimin në Shqipëri, ku kërkohej për një vrasje të ndodhur 12 vjet më parë dhe për të cilën Gjykata e Beratit e kishte dënuar me 19 vjet burg.

Qafë-Thanë, përplas maunen, prish sistemin TIMS

KORÇË – Godet me maune pikën kufitare dhe prish sistemin TIMS, ndiqet penalisht shoferi. Ngjarja në fjalë ka ndodhur ditën e djeshme në pikën kufitare të Qafë-Thanës, kur në momentin e kalimit në doganë, maunia ka dëmtuar çatinë e pikës së kalimit kufitar dhe ka këputur kabllot e sistemit TIMS që shërben për kontrollin e pasaportave. Burime nga policia lokale e Korçës thanë se u kryen veprimet hetimore procedurale për veprën penale të “shkatërrimit të pronës nga pakujdesia” në ngarkim të shtetasit Esat Hameti, 44 vjeç, lindur dhe banues Kovaces, Kaçanik, Kosovë. Sipas policisë, mësohet se dje, rreth orës 08:30, duke kaluar në Piken e Kalimit Kufitar Qafë-Thanë, me mjetin e tij tip “Man” me targë 529 KS 233, personi në hetim ka dëmtuar nga pakujdesia pjesën e çatisë së hyrjes numër 3 dhe disa kabllo të kabinës së shërbimit të kësaj pike kalimi kufitar, të cilat janë pjesë të sistemit TIMS. Sistemi TIMS është rrjeti i informacionit i vendosur në të gjitha pikat e kalimit kufitar për verifikimin e pasaportave të falsifikuara dhe personat në kërkim. Autoritetet lokale thanë se po marrin masa për riparimin e sistemit në më mënyrë që të mos ketë bllokime në lëvizjen e automjeteve dhe personave në këtë pikë doganore.

13 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›