“Aksidenti”, një roman dashurie nga Kadare
Ishte vrasje, vetëvrasje, vetëshkatërrim, në përpjekje për t’u ringjallur nga hiri... Një mister, të cilin ata e morën me vete, ndërsa lexuesi përpiqet të hulumtojë në tunelet e errëta që të tërheq historia. Pasi ka shkuar gati 5 vjet më parë në duart e lexuesit francez, “Aksidenti”, një nga romanet e fundit të shkrimtarit Ismail Kadare, erdhi edhe në shqip. Fillimisht si pjesë e kolanës së veprave të tij e tanimë edhe si libër më vete. Këto ditë, shtëpia botuese “Onufri” ka nxjerrë në qarkullim romanin “Aksidenti”, shkruar në vitet 2003-2004. Ndryshe nga të gjitha romanet e tjera të Kadaresë, kjo vepër trajton një histori të mirëfilltë dashurie, por pa hequr dorë nga stili i tij, nuk bëhet fjalë për ndonjë histori të rëndomtë mes një burri e një gruaje, por një dashuri shumë më të thellë, shpirtërore, në kufijtë e ireales. Madje ka aty edhe diçka mitike, diçka që zbret nga kohët, për t’u trupëzuar në dy personazhet me fund tragjik. Parathënia e botimit francez paralajmëron se në këtë roman ambicioz dhe kundër rrymës, Kadare i kushton një vend të paparë më parë temës së seksualitetit, çka do t’i befasojë lexuesit e tij. Aksidenti në kilometrin e 17-të të një rruge, u merr jetën 2 të dashuruarve, Rovenës dhe Besfortit, të cilët edhe pas 9 vitesh bashkë i përjetuan, por nuk i kuptuan ndjenjat e tyre. Një histori kodesh dhe kërkimi të së pamundurës.
“Në këtë vepër magjistrale, - thuhet në paraqitjen e botimit francez, - Kadare është përpjekur të tregojë të patregueshmen: një histori dashurie apo një histori vrasjeje, apo ndoshta një tjetër histori, që i mbulon të dyja si një maskë? Pyetja, gjer në mbarim të librit nuk i ndahet lexuesit”. është e njëjta enigmë që ndjek hetuesit, teksa mundohen të gjejnë shkaqet e aksidentit. çfarë pa shoferi në pasqyrën e makinës, që i tërhoqi vëmendjen dhe e çoi në aksidentin fatal?
Sipas studiuesit Jean-Paul Champseix, “Aksidenti” është një “roman ambicioz”. Ai flet për një roman “kundër rrymës”, i cili hedh poshtë të gjitha pretendimet, se në librat e Kadaresë nuk ka mjaftueshëm dashuri. “Romani i fundit i Ismail Kadaresë, pa dyshim do t’i befasojë lexuesit e tij të zakonshëm. Periudha komuniste, edhe pse është përmendur, nuk është më në plan të parë dhe vetë Shqipëria nuk është më shprehimisht qendrore. Flitej me shaka se në tërë veprat e këtij shkrimtari, nuk kishte as hero, as dashuri. Ky pohim bie poshtë me ‘Aksidentin’, i cili ka të bëjë kryesisht me natyrën e marrëdhënieve dashurore. Një çift që jeton një dashuri të gjatë, edhe pse shumë të stuhishme, përfundon në një humnerë, pas gabimit të një shoferi taksie. Kryhet një hetim, në përpjekje për të rindërtuar ditët e fundit të viktimave”, shkruan Jean-Paul Champseix në parathënien e librit. “Si gjithmonë, te Kadareja është e pamundur të vendosësh fakte. Realja të shpëton, përvidhet, tretet ose merr forma që sfidojnë logjikën. Nuk bëhet fjalë për subjektivitetin e thjeshtë njerëzor ose të mosrrjedhshmërisë së dëshirës ose të rindërtimeve. Realiteti ka të bëjë me tjetër gjë. Të gjallët nuk janë veçse përdorues të një universi, që i shohin veç dukjen.
Kadareja, atëherë kur jetonte nën diktaturën staliniste dhe të turpshme të Enver Hoxhës, nuk pati kurrë mundësi të trajtonte temën e seksualitetit. Në këtë vepër, ai i kushton një vend të paparë më parë. Megjithatë, erotizmi merr aspektin shqetësues të shfaqjes, zotimeve arkaike dhe sekrete.
Ky roman ambicioz, kundër rrymës – e pakta që mund të themi për të – shkëlqen në një arsyetim të stërholluar, tepër tërheqës, që bëhet magjepsës me të gjitha pistat që hap. Raportet e çiftit kthehen në një antropologji të thurur me tregime të panumërta, të para si “rrëfimi i të vdekurve”. Kadareja gjykonte dikur se censura staliniste kishte vrarë para kohe në trurin e tij “qelizat pararojë, vetë ato që ripërtërijnë artin” (Bisedë me Eric Faye, Corti, Paris, 1991). Sidoqoftë, disa prej tyre duhet t’i kenë rezistuar goditjes... Hetuesi, në fund të romanit, jep frytin e përsiatjes së tij në shkëmbim të pasqyrës që do të marrë me vete në varr. Ai harton një testament, duke dëshiruar që varri i tij të hapet pas një mijë vjetësh, sepse është i bindur se “pasqyrat, te të cilat gratë zbukuroheshin përpara se të putheshin, ose të vriteshin, diçka thithnin prej tyre. Mirëpo në këtë botë shpërfillëse askujt nuk i kishte rënë ndërmend të merrej me to”.
Libri
Titulli: “Aksidenti”
Autori:Ismail Kadare
Shtëpia botuese: “Onufri”
faqe:272
çmimi:800 lekë