Spiro Qirzidhi sjell “Impresione” në “Te & Gi”
Aty mban aromë deti. Dallgët përplasen pas shkëmbinjve, ndërsa bluja e thellë dhe e gjelbra e bukur të ofrojnë një ndjesi çlodhjeje dhe paqeje. Mbrëmjen e së premtes në një nga galeritë më të njohura të kryeqytetit, “Te&Gi”, u hap ekspozita personale e piktorit vlonjat Spiro Qirzidhi, titulluar “Impresione”. Janë impresione të piktorit, marrë nga natyra, nga vendlindja, apo Greqia, vendi ku jeton tanimë prej gati 20 vitesh, apo edhe nga religjioni kristian. Spiro Qirzidhi nuk ka bërë një shkollë zyrtare pikture, por i ka shërbyer si shkollë eksperienca pranë piktorëve të njohur vlonjatë, apo siç njihet ndryshe edhe “shkolla e Vlorës”, me emra të tillë, si Nestor Jonuzi, apo Agron Dine. Kjo ndihet edhe në tematikë, apo në ngjyra. Deti është thuajse i pranishëm në të gjitha tablotë që qarkojnë galerinë “Te & Gi”. “është deti i bukur i Vlorës”, teksa shton se bluja dhe e gjelbra janë ngjyrat e tij të preferuara. Gjallëria që ndihet në koloritin e punëve të tij të bën për vete. Ai thotë se nuk është një qëllim në vetvete, por i lindin natyrshëm. Ka vite që pikturon dhe ka hapur edhe shumë ekspozita pikture në Greqi, por edhe në vende të tjera. Por u deshën të kalonin kohë që ai të vinte e të hapte një ekspozitë pikture, pikërisht në Tiranë, çka ai thotë se e ëndërronte prej kohësh. është kontakti me njerëzit e tij, me profesionistët e Tiranës, që i mungonte dhe që e grishte më shumë për të hapur këtë ekspozitë. Mes punëve të ndryshme, spikasin edhe dy me temë biblike. Janë me përmasa më të mëdha dhe me ngjyra që ndryshojnë nga të tjerat. Në njërën është Krishti duke mbajtur kryqin mbi shpinë, rrugës së Golgotës dhe në tjetrën Krishti i kryqëzuar, por jo si jemi mësuar të shohim. “E kemi parë më së shumti figurën e Krishtit të kryqëzuar në një pamje ballore. Unë kam dashur të jap një pamje tjetër, në shpinë, për të treguar vuajtjet e mëdha që ai ka kaluar në kryq. është sa hyjnore, aq edhe njerëzore”, shprehet piktori, teksa tregon se si disa gra kishin ndaluar përpara pikturës së tij dhe kishin bërë kryqin. E nuk ka më bukur për një piktor, të shohë se vepra e tij trajtohet si një ikonë dhe pse jo, edhe të adhurohet. Mes pikturave të tij nuk mungojnë edhe pamje nga Greqia. Por nuk ka në to, as panteone, apo pamje tipike greke. Fare mirë mund ta ngatërrosh me bregun e jugut të Shqipërisë. “është i njëjti det, i njëjti diell, i njëjti shpirt mesdhetar, ndaj edhe ndryshimet këtu shkrihen”, thotë piktori, duke treguar se vitet e qëndrimit të tij në Greqi kanë ndikuar në mënyrën e tij të të pikturuarit. është kontakti me njerëzit, me miqtë, apo publikun e thjeshtë, që i jep më shumë frymëzim dhe bën që i veprat e tij të jenë edhe më të bukura.