Inter bën “bis”, pas Kupës fiton dhe kampionatin
Leonard Karaj
Interi është shpallur Kampion i Italisë për herë të pestë radhazi dhe për të 18-ën, në historinë e tij, kjo falë fitores në javën e fundit ndaj Sienës 0-1. Dhjetë ditë pas suksesit të parë në Kupën e Italisë, ekipi i drejtuar nga Jose Mourinjo arriti të bëjë të vetin edhe trofeun më të rëndësishëm në kampionatin italian. Goli i fitores u shënua në pjesën e dytë nga sulmuesi argjentinas, Diego Milito, i cili zhvlerësoi fitoren e Romës 2-0 ndaj Kievos. Faktikisht zikaltrit ishin dy pikë para romanistëve dhe do të mjaftonte një barazim me Sienën që Roma, triumfuese në Verona, të fitonte titullin kampion. Edhe pse do të ishin me pikë të barabarta, verdhekuqtë e Ranierit do të fitonin trofeun për shkak të fitoreve në ndeshjet direkte gjatë këtij sezoni. Gjithsesi ëndrra e Ranierit u shua në minutën e 58-të, kur Milito realizoi golin e vetëm për Interin dhe të 22-in personal për këtë sezon në Serie A. Por sezoni për Interin nuk ka përfunduar ende, pasi skuadra e Murinjos synon të realizojë fitoren e tretë historike në Itali, pasi do të diskutojë finalen e Ligës së Kampioneve përballë Bajernit, më 22 maj në Madrid. Vetëm pas kësaj ndeshjeje do të vendoset edhe e ardhmja e trajnerit portugez, Jose Mourinjo, i cili me shumë gjasa do të drejtojë pankinën e Realit të Madridit në Spanjë.
Ndërkohë, Roma, e cila u rendit e dyta do të shoqërojë Interin në sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampioneve, ashtu si dhe Milani e Sampdoria. Kjo e fundit siguroi një vend në Champions vetëm në ndeshjen e djeshme ndaj Napolit, 1-0 falë golit të Pacinit. Gjithsesi, Sampdoria do ta nisë aventurën e saj evropiane në Kupën e Kampioneve nga turi i tretë pre-eliminator. Ndërkohë Palermo, edhe pse arriti të fitonte dje në sekondat e fundit në Bergamo ndaj Atalantës, nuk mundi të kalonte në renditje sampdorianët, duke luajtur në Ligën e Evropës për sezonin tjetër. Po në këtë kompeticion evropian do të luajë edhe Napoli i vendit të 6-të dhe Juventusi i vendit të 7-të. Ndërsa skuadrat që i dhanë lamtumirën Serisë A, duke zbritur një kategori më poshtë, janë Atalanta, Siena dhe Livorno.
Rezultatet
Atalanta-Palermo 1-2
çeravolo 48’/ Kavani 2’, 90’ (p)
Bari-Fiorentina 2-0
Stelini 36', Rivas 90'
Kaljari-Bolonja 1-1
Ragatzu 65'/ Adailton 4’
Katania-Xhenoa 1-0
Maksi Lopez 65'
Chievo-AS Roma 0-2
Vuçiniç 38’, De Rosi 45’
Parma-Livorno 4-1
Lanzafame 45', 46', Morrone 49', Krespo 90’/ Danileviçius 72’
Sampdoria-Napoli 1-0
Pacini 52'
Siena-Inter 0-1
Milito 58’
Të shtunën
Milan-Juventus 3-0
Antonini 14', Ronaldinjo 28', 67'
Lacio-Udinese 3-1
Hitzlsperger 16', Flokari 45', Broki 52'/ Di Natale 30’