Bulku, Agolli e Abraham te Dinamo?
Shtohet lista e futbollistëve, që pritet të veshin fanellën blu sezonin e ardhshëm. Pas Jetmir Sefës, Migen Memellit dhe Franc Veliut, për të cilët drejtuesit thonë se i kanë dhënë ofertat dhe bisedimet duken në rrugë të mbarë, dje janë zbardhur edhe tri emra të rinj. Dy janë prestigjiozë, sepse janë pjesë e Kombëtares dhe në Shqipëri kanë luajtur me një klub me emër si Tirana, e cila është mësuar të marrë trofe çdo vit. Bëhet fjalë për mesfushorin-shkatërrues Ervin Bulkun, si dhe mesfushorin e majtë Ansi Agolli. Të dy lojtarët kanë ditë që ndodhen në Shqipëri, pas përfundimit të aktivitetit sezonal në Ukrainë dhe për rrjedhojë drejtuesit dinamovitë kanë hyrë menjëherë në bisedime. U kanë dhënë ofertën lojtarëve, të cilët në fakt, duket se kanë përfunduar edhe kontratat me klubet ku kanë qenë në Ukrainë, përkatësisht me skuadrën e Krivbasit. Kështu që tashmë dinamovitët janë duke pritur përgjigjen e këtyre futbollistëve. Ideja e parë e drejtuesve dinamovitë, gjithnjë sipas burimeve të mirinformuara, është që të dy këta lojtarë të jenë për Champions, atje ku dinamovitët kërkojnë të arrijnë deri në fazën e klubeve. E më pas, nëse gjërat shkojnë mirë dhe të dy lojtarët nuk kanë ndonjë ofertë konkrete, ata mund të vazhdojnë të gjithë sezonin futbollistik. Ndërkaq, dinamovitët sërish kanë hedhur sytë nga Tirana, atje ku mbrojtësi i majtë, nigeriani Abraham Alechenu, është i lakmueshëm prej tyre. është një pikë që dinamovitët me argjentinasin Delmonte, gjatë gjithë këtij sezoni, asnjëherë nuk e kanë pasur të sigurt. Dhe Abraham, i spovruar te blutë në sezonin 2007-2008, duket kandidaturë e mundshme.