Aksidenti pranë Rinasit u rrezikon jetën 50 fëmijëve
TIRANË - Tre automjete, mes tyre një autobus, janë përfshirë në një aksident automobilistik në afërsi të Rinasit, duke u rrezikuar jetën 50 fëmijëve. Aksidenti ka ndodhur mesditën e djeshme, në momentin kur një mjet ka tentuar të parakalojë. Nga kjo lëvizje e gabuar e drejtuesit, mjeti ka goditur një autoveturë me targa të Tiranës. Autovetura ka devijuar për të shmangur ndonjë aksident fatal, çka ka sjellë një tjetër përplasje me autobusin. Një veprim i tillë ka nxjerrë nga rruga autobusin me targa të Shkodrës, që po udhëtonte me 50 fëmijë nga Tirana drejt Shkodrës. Pas këtyre veprimeve fëmijët dhe të gjithë personat e tjerë në automjete fatmirësisht nuk kanë pësuar asnjë dëmtim serioz. Për aksidentin janë ndaluar drejtuesi i autobusit dhe i autoveturës me targa të Tiranës, ndërsa është larguar nga vendi i ngjarjes drejtuesi i mjetit tjetër. Grupi i ekspertizës së policisë konkludoi se veç shpejtësisë së mjeteve dhe parakalimit të gabuar, shkak është bërë dhe terreni i lagësht si pasojë e shiut të rënë në orët e paradites.
6 Qershor 2008