Ta varrosim Leninin!

Pas 84 vjetësh, lideri i fundit i Bashkimit Sovjetik kërkon që trupi i themeluesit të shtetit të parë komunist të varroset, konform dëshirës së familjes së tij. Sipas të përditshmes britanike “The Telegraph”, trupi i balsamosur i Vladimir Leninit do të hiqet nga mauzeola në “Sheshin e Kuq”, ku qëndron që nga viti 1924, i hapur për publikun. Sipas tij, trupi revolucionarit bolshevik duhet të varroset si çdo njeri tjetër, pasi kështu dëshironin të afërmit e tij. Që pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, numri i njerëzve që vizitojnë këtë mauzeolë ka rënë në mënyrë të ndjeshme, ndaj shumë argumentojnë se fantazma e ish-Bashkimit Sovjetik duhet të lihet të pushojë një herë e përgjithmonë, dhe se Lenini duhet të varroset siç i ka hije. “Këndvështrimi im është i thjeshtë. Nuk them që të fillojmë të hapim gropën menjëherë. Por do të vijë patjetër momenti kur mauzeola do të humbasë kuptimin e saj dhe ne do të varrosim Iliçin (siç thirrej ndryshe Lenini nga miqtë e tij më të afërt), për t’ia dhënë tokës, ashtu si donte dhe familja e tij”, - tha Gorbaçov. Boris Jeltsin, i pari lider postsovjetik i Rusisë, pati bërë thirrje disa herë për heqjen e trupit të Leninit nga “Sheshi i Kuq”, por ndjenjat e forta pro komuniste në vend e shtynë vendimin. Presidenti i sapolarguar, Vladimir Putin, arriti të shmangte këtë çështje, duke thënë se ishte emotive dhe pasardhësi i tij, Dmitri Medvedev, nuk ka mbajtur ende një qëndrim lidhur me të. Gazeta pohon se fati i Leninit mbetet një çështje emocionale në Rusi, ku komunistët përbëjnë partinë e dytë më të madhe në vend. Kisha ortodokse ruse ka bërë thirrje disa herë, që themeluesi i shtetit komunist të varroset, por Partia Komuniste i ka bllokuar të gjitha përpjekjet për lëvizjen e trupit të tij, me argumentet se mauzeola ku ndodhet trupi i tij është pjesë e historisë së Rusisë dhe duhet të mbetet e paprekur. Gorbaçov bëri thirrje gjithashtu për krijimin e një muzeu kombëtar dhe një memorial për miliona rusë të vrarë apo të burgosur gjatë regjimit të Josif Stalinit, trupi i balsamosur i të cilit qëndroi për 8 vjet përkrah atij të Leninit, deri në vitin 1961.