E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH hodhi dje për shitje 14.3 miliardë lekë bono thesari



Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ka përfunduar dje ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankand janë shitur bono me maturim 6 dhe 12-mujor, që do të përdoren për bankat e nivelit të dytë dhe për Bankën e Shqipërisë. Vlera totale e shitur në ankand është 14.3 miliardë lekë. Për bonot me maturim 12-mujor nga 24 kërkesat konkurruese të paraqitura u pranuan 20 prej tyre. U kërkuan për shitje bono me vlerë 11,087,250,000 lekë dhe u shitën bono me vlerë 9,600,000,000 lekë. Yield-i maksimal i pranuar është 8.25 për qind, yield-i minimal i pranuar është 8.1 për qind, yield-i mesatar i thjeshtë është 8.15 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 8.17 për qind. Këto bono maturohen në datën 04.06.2009. Për bonot me maturim gjashtëmujor u pranuan 7 nga 10 kërkesat konkurruese të paraqitura, dhe u shitën 4,316,040,000 lekë nga 4,436,040,000 lekë që ishte vlera e kërkuar. Ndërkohë që Yield-i maksimal i pranuar është 7.53 për qind, yield-i minimal është 7.38 për qind, ai mesatar i thjeshtë është 7.44 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 7.51 për qind. Këto bono do të maturohen në datën 18.12.2008.

Ekonomia shqiptare në dekadën e fundit, BSH boton përmbledhjen

Banka e Shqipërisë ka publikuar dje në faqen e saj “web”, një përmbledhje të Buletineve Ekonomike të saj, që botohen prej 10 vjetësh për një auditor profesionistësh në fushën e biznesit, në atë të bankingut, për akademikët por edhe për publikun e thjeshtë. Sipas BSH-së, në përmbajtjen e këtij botimi zënë vend artikuj, vrojtime dhe analiza të ndryshme të punonjësve të Bankës. Ndërkohë që iniciativa për këtë botim, bën të ditur BSH-ja, u nxit nga dëshira e mirë që këto punime të mund të përdoren apo të gjenden lehtësisht edhe pas një periudhe relativisht të gjatë kohore, nga botimi i parë zyrtar, në një përmbledhje të tyre, në një format të vetëm. BSH tërheq vëmendjen se këto punime, përveç faktit që shprehin opinione dhe përfundime të autorëve, duhet të shihen edhe të vendosura në kuadrin kohor kur janë shkruar, të lidhura me ngjarjet të cilave u referohen apo me fenomenet që marrin në shqyrtim. Në këtë përmbledhje, botohen shkrime të vitit 2005, me tituj “Një rishikim i regjimit të targetimit monetar në Shqipëri me disa orientime për të ardhmen”, “Vlerësimi i standardeve të shpërndarjes së statistikave në Bankën e Shqipërisë”, e deri tek botimet e vitit 2008, Ligji i ri “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” etj.

6 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›