E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: “Duhet projektligj i ri për kompensimin e pronës së luajtshme”

Rekomandimi mbërrin në zyrat e zyrtarëve të lartë. Ermir Dobjani i rekomandon ministrit të Drejtësisë hartimin e shpejtë

Laureta Rryçi
Ministria e Drejtësisë duhet të hartojë sa më parë projektligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës së luajtshme”. Rekomandimi është dërguar në formë zyrtare nga Avokati i Popullit për të gjithë drejtuesit që kanë kompetenca për ta ndërmarrë një nismë të tillë. Burime zyrtare pranë kësaj zyre pohuan dje për gazetën “Albania” se Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i ka shkruar zyrtarisht kryeministrit Sali Berisha për nismën e domosdoshme që duhet të ndërmerret në një kohë të shpejtë. Të njëjtat burime saktësuan se i njëjti rekomandim i është dërguar ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ministrit të Financave, Ridvan Bode, Komisionit për Ekonominë dhe Financat pranë Kuvendit, që drejtohet nga Edmond Spaho, si dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, administratën publike dhe të drejtat e njeriut pranë Kuvendit, që drejtohet nga Fatos Beja.
Rekomandimi
Sipas rekomandimit, institucioni i Avokatit të Popullit ka luajtur dhe luan aktualisht një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të ish- pronarëve dhe të drejtën e pronës, si një e drejtë universale e njohur në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në aktet ndërkombëtare. “Një rol i tillë aktiv nuk do të mungojë edhe në të ardhmen. Të njohësh dhe të trajtosh ish-pronarët sipas të drejtave të tyre është së pari një detyrim që buron nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut si edhe një garanci themelore për rendin kushtetues të Republikës së Shqipërisë”, - thuhet në rekomandim. Sipas Dobjanit, gjatë shqyrtimit të ankesave të paraqitura nga qytetarë të ndryshëm, në shumë raste është kërkuar nga ana e tyre që të kthehen apo të mundësohet kompensimi i sendeve të tyre të luajtshme, për të cilat në mjaft raste dispononin dokumentacionin e sekuestrimit, ose në mungesë të tyre u ishin drejtuar organeve gjyqësore për vërtetimin e faktit juridik të ekzistencës së një sendi të caktuar dhe më pas sekuestrimit të tij. Në vazhdim të ndjekjes së këtyre çështjeve dhe në kuadër të mbrojtjes dhe përmbushjes brenda standardeve të të drejtave dhe interesave të ligjshme të ish-pronarëve, Avokati i Popullit, pas studimit të Ligjit Nr. 9235, dt. 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, ka evidentuar faktin se ky akt paraqet ende mangësi të dukshme në rregullimin e marrëdhënieve dhe procedurave që duhet të ndiqen nga organet kompetente shtetërore për kthimin e pronave të sekuestruara në mënyrë të paligjshme ish-pronarëve.
Mangësitë
Konkretisht neni 5 i Ligjit Nr. 9235, dt. 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” parashikon: “Kthimi dhe kompensimi i pronës së luajtshme kryhet me ligj të veçantë“. Ashtu siç mund të konstatohet, dispozita e sipërcituar ka ngarkuar në mënyrë specifike detyrat që duhet të përmbushen nga organet shtetërore të specializuara në hartimin e një ligji të posaçëm që do të bëjë rregullimin e këtyre marrëdhënieve juridike. Por në realitet është vënë re se nuk konstatohen ende veprime konkrete administrative që të bëjnë fjalë për ndërmarrjen e iniciativave përkatëse në hartimin e një ligji të tillë. Sipas Dobjanit, kjo iniciativë duhet të përmbushet, krahas të tjerash, për të konkretizuar detyrimet e parashikuara në dispozitën e mësipërme, e cila ka qëllim themelor respektimin dhe përmbushjen nga strukturat shtetërore të të drejtave të ish-pronarëve. “Në këto kushte mendojmë se del si detyrë e veçantë dhe parësore nga ana e Ministrisë së Drejtësisë marrja e të gjitha masave për hartimin dhe propozimin sa më parë në Këshillin e Ministrave të projektligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave të luajtshme. Duke pasur parasysh konstatimet e përmendura më lart, do të kërkonim marrjen e masave për realizimin e këtij procesi brenda një kohe të shkurtër”, - vijon rekomandimi.

Kompetenca e Avokatit të Popullit
Sipas Dobjanit, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Neni 63/3, ku përcaktohet se: “Avokati i Popullit ka drejtë të bëjë rekomandimet dhe të propozojë masa kur konstaton shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga Administrata Publike...”, si edhe në bazë të Nenit 24/a të Ligjit Nr.8454 dt.04.02.1999, “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar, përsa i përket të drejtës së Avokatit të Popullit për rekomandime legjislative, ku parashikohet shprehimisht se: “Kur Avokati i Popullit vëren se është vetë përmbajtja e ligjit ose e akteve të tjera normative dhe jo zbatimi i tyre shkaku që krijon premisa për shkelje të të drejtave të njeriut, të njohura nga Kushtetuta ose ligjet e tjera, ka të drejtë: a) T’u rekomandojë organeve që kanë të drejtën ligjvënëse të bëjnë propozime për ndryshimin dhe përmirësimin e ligjeve”….

Vendimi i fundit i qeverisë për ish-pronarët
Vetëm dy ditë më parë Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së radhës procedurat për ndarjen e fondit për kompensimin financiar për ish-pronarët. Në vendimin e qeverisë parashikohet që të përfitojnë për vitin 2008 ish-pronarët, prona e të cilëve është njohur për kompensim dhe që nuk kanë përfituar më parë. Kjo shtresë do të kompensohet në bazë të radhës kronologjike të përcaktuar nga numri i vendimit dhe data e tij, sipas viteve. Në bazë të vendimit të qeverisë, ish-pronarët do të përfitojnë kompensim financiar vetëm për 200 m2 të sipërfaqes së caktuar për kompensim. Kompensimi do të realizohet në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës. Sipas vendimit të qeverisë, ish-pronarët të cilët kanë dorëzuar kërkesat e tyre në vitet 2006 dhe 2007 dhe vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk do të paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2008. Ndërsa ish-pronarët të cilët nuk kanë dorëzuar asnjë kërkesë, duhet të plotësojnë dhe të paraqesin pranë zyrës së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qendër kërkesën për kompensim financiar që do ta tërheqin pranë AKKP-së. Gjithashtu duhet të dorëzojnë deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim, vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për njohjen dhe kompensimin e pronës së bashku me plan-vendosjen përkatëse.

Verifikimi i dosjeve
Pas marrjes së dosjes me dokumentacionin e duhur Agjencia e Pronave në qendër bashkëpunon me zyrat rajonale të saj në rreth për të verifikuar dosjen e dorëzuar nga ish-pronari. Më tej zyra rajonale e pronave verifikon dosjen dhe vendimin e dhënë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendimet e tjera për këtë subjekt të shpronësuar. Kjo zyrë ka të drejtë të kërkojë nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që brenda 10 ditëve të konfirmojnë të dhënat për vlefshmërinë e regjistrimit të vendimit. Po kështu verifikohet dhe ndryshimi i gjendjes juridike të pronës nga çasti i daljes së vendimit të paraqitur nga subjekti përkatës. Verifikohet regjistrimi dhe ushtrimi i së drejtës së parablerjes. Verifikohen në database të gjitha vendimet për këtë subjekt, për identifikimin e vendimeve për kthim dhe kompensim të tij. Kryhen verifikimin në terren të gjendjes së pronës dhe mban procesverbalin përkatës. Në procesverbal përcaktohet vendndodhja në hartë e pronës dhe përcaktohet bashkë me pronarin 200 metra katrorë e kësaj prone për të cilën ky pronar do të marrë kompensim financiar, dhe ish-pronari nënshkruan për pjesën e tokës që do kompensohet. Më pas llogaritet vlera e sipërfaqes që kompensohet dhe përgatitet një relacion shpjegues.

6 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›