E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmi financiar nga huat e pakthyera arrin në 513 milionë lekë



Nga të dhënat e Agjencisë së Trajtimit të Kredive vlera monetare e borxhit të përgjithshëm të debitorëve të bankave shkon në 513 milionë lekë. Dosjet që janë më problematike dhe më të vjetra i janë çuar për ekzekutim Përmbarimit dhe në rastin më të keq nuk përjashtohet as mundësia që personat debitorë të dërgohen për ndjekje penale. Sipas përgjegjësit të kësaj Agjencie, Bujar Killo, po punohet intensivisht për të bërë të mundur kthimin e parave të pashlyera në vite ndaj institucioneve bankare, ku këta kreditorë kanë marrë kredi pavarësisht nga shumat, edhe pse në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për kredi të vogla. Këtu përfshihen jo vetëm bankat shtetërore, por edhe ato private dhe fondacionet e mikrokredive që kanë kredimarrës që nuk kanë derdhur detyrimet dhe nuk kanë likuiduar shumat e marra. Nga ana e Agjencisë së Trajtimit të Kredive është bërë edhe kërkesa për sekuestrimin e pasurive të patundshme të kreditorëve problematikë. Shumica e tyre, pasi kanë marrë paratë, i kanë përdorur për qëllime të tjera nga ajo për të cilën kanë aplikuar ndërsa janë larguar nga vendi dhe ndodhen në emigracion, gjë që e vështirëson më shumë edhe shlyerjen e këtyre kredive. Një tjetër problem është edhe fakti se shumë nga kreditorët kanë vënë si garanci pasurore shtëpi të vjetra e të braktisura nëpër fshatra, të cilat edhe në rast të sekuestrimit nuk kanë më asnjë vlerë.

6 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›