E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, telefoni, muzika dhe vila e Enverit

Parmbrëmë në një natë të zakonshme vere m’u desh të përballoja dy momente diametralisht të kundërta në harkun kohor të tridhjetë minutave. Po e nis nga e para e cila vijon kronologjikisht. Në semaforin afër Bankës së Shqipërisë isha dëshmitar i pavullnetshëm i një tokshi të paparë makinash. Një veturë që respektoi semaforin dhe një tjetër (auto-aventurë?) që nuk respektoi semaforin - kjo e fundit me targa italiane - me një shpejtësi të madhe edhe pse frenoi në momentin e fundit nuk arriti të shmangte dot përplasjen. Një aksident për fat të mirë pa pasoja njerëzore. Një aksident tjetër që tregoi papërgjegjshmërinë në timon.

Mirëpo gjëja më interesante që më bëri përshtypje ishte se të dy palët, sapo dolën shëndoshë e mirë, nuk u ulën të qetësoheshin a të pyesnin si ishte tjetri, as nuk thanë shyqyr që dolëm mirë, por nxorën telefonat dhe filluan të flisnin. E çuditshme, që të tre, të rinj, ky ishte numri i të aksidentuarve, në një kohë reale telefonuan. Përpos se kujt dhe përse ndërlidheshin nuk arrita ta kuptoj. Të them të drejtën ngela i hutuar nga ky veprim. Madje ata nuk ndihmuan as njëri-tjetrin, por secili në hesap të vet, i telefononte dikujt në anën tjetër të celularit. Shumë njerëz nuk mund të jetojnë pa të me idenë e ngulitur thellë në kokë se ky mjet do të mund t’i shkëpusë ata përherë nga familjet dhe njerëzit e dashur. Në pak minuta njerëzit filluan komentet se kush e pati fajin dhe mu desh t’u largoja.

Tek ish-Blloku:

Pas pesëdhjetë minutash, isha një këmbësor që shëtiste zonën e ish-Bllokut për të shkuar tek rruga “Komuna e Parisit”. Pasi hyra në këtë aneks të Tiranës - që ngjan si krejt aliene, një univers paralel - ku çdo ndrydhje shtrydhet pavetëdije, më bëri përshtypje muzika e lartë në lokalet e improvizuara në çdo cep të rrugës. Një njeri që ka përjetuar diktaturën e di se përpara 25 vjetësh në vilën përballë jetonte diktatori Hoxha, i cili edhe miza po të lëvizte ngrinte të gjithë Sigurimin në gatishmëri për ta asgjësuar insektin e bezdisshëm. Kështu bënte edhe me njerëzit, si duket për të nuk kishte ndonjë ndryshim të madh. Mjerisht, siç e dimë Blloku i udhëheqjes ishte një fortesë që pak veta kishin privilegjin të shkelnin, e që shumë e lakmonin. Këtë e sheh edhe sot pa frikë.

Kjo kuptohet vetiu edhe sot më këtë epifenomen që shfaqet në sipërfaqe në muzikë ferracake, që të bombardon dyllin e veshit si mos më keq, është një zgjatim i asaj diktature edhe pse është emotive. Për të mos thënë instinktive. Kam mendimin e provuar  se pronarët e lokaleve vend e pa vend nuk e kanë muzikën e lartë si një përbuzje ndaj vilës së diktatorit, përkundrazi, me pak fjalë është shtuar një arrogancë e re mbi një të vjetër. Afërmendsh, ka shumë mundësi që ne nuk e dimë e as kuptojmë se çfarë është moderimi e sjelljes, pasi kaluam nga një ekstrem në tjetrin. Gjykoj se mund të jetë psikoza inverse. Tani çdo rregull, si shqiptarë që jemi, duhet rregullisht thyer. Nga heshtja e zezë në shurdhim veshësh. Qesh me vete, pa kilikosje, kur mendoj sikur në Mauthuazen, Auschtwitz apo në gulag-et e Siberisë të ishin bërë qendra me diskoteka të mëdha. Kjo nuk ndodh, por po të ndodhte, padyshim, do të ishte një turp i memories. Mos u skandalizoni, por befasohuni. Ky është një krahasim që i përafrohet fort asaj çka ndodh sot në ish-Bllok. Kur në mes të Gjermanisë naziste kishte kampe përqendrimi 25 vjet më vonë në Bllokun e Tiranës dilnin urdhra që e bënin një vend të tërë si kamp përqendrimi. Është interesante të pyesësh sociologët, që merren me përqendrimin e popullsisë, se pse nuk është ndërtuar jeta e natës në ndonjë anë tjetër të Tiranës e jo në Ish-Bllok. Prapëseprapë ngelet një pyetje e hapur. Një psikolog do të kishte përgjigjen se është një emulacion i tiranisë individuale, ato që shkojnë në Bllok sikur duan të mbajnë pak pushtet në duar, dhe i vetmi vend ku pushteti kishte një shtëpi ishte ish-Blloku i udhëheqjes.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›