Mjerimi qesharak i Edvin Misionarit
“E keqja nuk shërohet me te keqen” - Herodoti
Edvin Rama endé nuk beson se i ka humbur zgjedhjet. Duket ai pati menduar se pas tij do të bëhej kiameti. I dashuruar me veten, nuk pranoi rival. Dhe vërtet mbeti pa rival. Mbeti i vetmuar në mjerimin e tij. Si delirant, nuk njohu e nuk njeh të tjera vlera veç të tijave. Si i paaftë, i duken edhe sot gjeniale idetë e veta. Si misionar hipokrit, ndoshta nuk e di as vetë ç’kërkon prej të tjerëve. Ky anarkist i hershëm paska qenë një despot i fshehtë. Zaten të gjithë gjysmakët, po morën pushtet, kështu bëhen, të rrezikshëm. Edvinin e morën më qafë ata që i atribuan cilësí që nuk i kishte. Tani ai beson vërtet se është lindur për të drejtuar ndoshta, një vend edhe më të madh se Shqipëria. Kush nuk e çmon si të pazëvendësueshëm, është për të primitiv. I privilegjuar qysh heret pa meritë, u mësua qyqari t’i përbuzte njerëzit që nuk e adhuronin. Nuk ka më të rrezikshëm se egoistët e paarsyeshëm. Asgjë nuk mund të ishte më e dobishme për të, sesa kjo humbje e zgjedhjeve. Por Ramës i mungon ai tharm fisnikërie, që e bën njeriun të lartësohet nga mënyra si përballon humbjen. Sidomos një megaloman që vetemërohet misionar. Thonë për ujkun që ndërron vetëm qimen. Kurse deliranti Rama nuk ndryshon as këtë, jo më zakonin e shpifjes. “Kush nuk ngrihet, bie”, ka thënë një filozof. Kurse Ramën e ka vënë e keqja përfundi. Ndoshta as ai s’e di se ku do ta ndalë vrapin fatal të ambicies së tij prej mediokri. Nuk ka më keq se kur njeriu pret ta peshojnë të tjerët me kutin që ky mat veten.
Ndërsa për çdo demokrat gara elektorale është një akt që sublimon pluralizmin dhe lartëson sovranin, pë Edvin Ramat ato janë një luftë për jetë, a vdekje. Duhet të kesh shpirt të madh që të mposhtësh cmirat vrastare, ambiciet e vogla, gjithë përbuzjen ndaj atyre që të çmojnë sa vlen. Edvin Rama po vuan dramën, që i buron nga shpirtngushtësia e tij. Askush nuk i ka faj. Të gjithë socialistët sikur u hipnotizuan nga deliranca e tij. Të ishte humbja e zgjedhjeve edhe një lloj hakmarrjeje e fshehtë e gjithë atyre, të cilët Rama nuk i përfilli duke i parë si mercenarë? Kurse Rama, edhe pse i shpërfilli, pret prej tyre t’i bashkohen rishtaz në misionet e tij të reja me frymë të vjetër. Përsërí Rama kërkon sejmenë, që t’u bien daulleve të shpuara të shpifjes ndaj kundërshtarit. Por, sa më shumë tenton t’u provojë shqiptarëve (dhe sidomos socialistëve) se i ka humbur zgjedhjet me të padrejtë, aq më tepër i bind ata që pikërisht kjo humbje i ka shpëtuar ata nga një rrezik i madh. Taní po binden çdo ditë edhe socialistët më fanatikët për rrezikun që u kanosej atyre dhe Shqipërisë me fitoren e një sharlatani si Edvini.
Rama e kishte në dorë (ndoshta e ka endé!) të tregohej se kishte njëfarë vlere. Se, të paktën, tërë kohën mendoi për mirë. Se, slloganet e tij, ndonëse binin erë të rëndë enverizmi, mund të kishin kaluar pa u analizuar thellë. Dhe Rama mund të mbetej vërtet një liliput, por që tentoi t’i ngjante një gjigandi. Dhe kaq. Kaq do të ishte imazhi i tij i keq. Kurse Rama ngul këmbë si mushka ta shpjerë deri në fund mjerimin e tij, tragji-komizmin e fantazmagorive të tij të rrezikshme. I krimbur në para të dyshimta, nuk pranon të ketë njerëz të ndershëm. Mos, vallë, kështu po vërteton synimin hakmarrës të komunizmit, i cili nuk ia fal demokracisë shëmbjen e perandorisë së krimit dhe sistemit të “kopaçes”?! Ata që ia duan endé të mirën, edhe kur nuk guxojnë t’ia thonë në sy, luten të mos rikandidojë. Rizgjedhja e Ramës në krye të PS-së, do të ishte fundi fatal i shpresës për një rinovim të PS-së, të kësaj “kunadheje”, dalë nga barku i një kuçedre. Rizgjedhja e tij do të vërtetonte katrcipërisht se PS-ja është e parinovueshme. Apo, ndoshta, inerci e një krimi të hershëm që tërheq zvarrë shtresat e inkriminuara nga diktatura më çnjerëzore. Duke mos dashur e djathta një shkatërrim të tillë të opozitës, nuk gëzohet të zgjidhet rishtas Rama në krye, duke ditur që me një dështak të tillë çdo fitore e të djathtës do të ishte e garantuar. Ndoshta prandaj dhe LSI-ja ia zvogëlon sinqerisht Ramës përmasat e humbjes. E këshillon atë t’i gëzojë kësaj humbjeje, që, në fund të fundit, nuk është fundi i botës. Madje, në një kuptim më të saktë, asnjë humbje elektorale në pluralizëm nuk duhet parë si fundi i botës. Por Rama e ka të keqen brenda vetes. Dhe, si i tillë, nuk gjen dot zgjidhje tjetër, veç t’i shkojë deri në fund dramës së tij. Ndoshta kështu duhet. Mos, vallë, ky është ndëshkimi dhe i atyre mijra socialistëve, që u besuan fjalimeve të tij patetike për t’i bërë politikanë, kurse vetë u shtir sikur donte të mbetej një misionar pa mision? Apo Rama e nuhat sot që moskandidimi i tij është fundi fatal i karrierës së vet politike ? Sidoqoftë, thjeshtësia është mbretëresha e virtyteve, i duhej sot Ramës. Por ai nuk ka brenda vetes aq energji, sa të ngrihet mbi veten! Ai e ka humbur si Xhaferri simiten dhe, ndoshta, nuk di as vetë ç’të bëjë. Të rikandidojë për t’u shuar socialistëve edhe shpresën e fundit për një fitore të mundshme në të ardhmen? Apo të mos rikandidojë dhe të pranojë kështu se paskësh qënë një “hiç”, një “zero” me xhufkë, një nul, apo një bufon, që zhvilloi vetëm një spektakël sa qesharak, aq të turpërshëm. Ndoshta, prandaj Ramës s’i ka mbetur veç të merret me theshetheme, me shpifje, me akuza false, me eksportim të veseve të veta e të bandës së tij te kundërshtari. Por kjo rrugë do ta poshtërojë edhe më shumë. Kjo rrugë do të zbulojë përse P.S.-ja nuk dënon krimin komunist. Përse ajo nuk kërkon ndjesë për të kaluarën kriminale të “nënës” së saj. Përse nuk bashkëpunon e nuk bëhet pjesë e reformave madhore për integrimin e Shqipërisë në Europë. Përse vazhdon luftën kundë demokracisë duke krijuar amulli, mosbesim tek e ardhmja dhe vrasje të çdo ëndrre për ditë më të bukura. Por, a ia vlen të peshohen me një Edvin Ramë ëndërrat madhore, gjithë ardhmërítë fatlume për brezat, të cilët presin me ankth t’u përgatitet një Shqipërí e madhërishme në thjeshtësinë e saj?!...
...