E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lotët e krokodilit të një “kryetari” sindikate - patericë e Edi Ramës

Vrasja e katër punonjësve të policisë nga një kriminel ordiner i përmasave ndërkombëtare sigurisht ishte një ngjarje e rëndë dhe një dhimbje e madhe, jo vetëm për forcat e policisë, familjet e dëshmorëve, por edhe për mbarë opinionin publik. Qeveria dhe personalisht Kryeministri Berisha, me një angazhim maksimal u bënë nderimet më të larta shtetërore këtyre martirëve, në përpjekje të ndanin dhimbjen me familjet dhe njerëzit e tyre të afërt. Ata do të mbeten përjetësisht siç u shpreh Ministri Nishani të pavdekshëm në themelet e shtetit dhe të demokracisë. Përpjekja e tyre sublime rezultoi në kapjen dhe në shpartallimin e bandës më të rrezikshme të trafikut ndërkombëtar. Por fatkeqsia ishte humbja e jetëve të njerëzve më të devotshëm, më trima të policisë. Por trimat në luftë vriten. Nuk është aspak për t’u çuditur se me ngjarjen e rëndë do të përpiqeshin të nxirrnin lotët e krokodilit monstra të tilla të një të ashtuquajturi kryetar të sindikatës së shërbimeve të policisë, njëfarë Macja apo Macaj - i kërkoj falje lexuesit se nuk isha në gjendje ta shquaja mirë lajmin në News 24. Thënë për hir të vertetës ky TV, është bërë në ato ditë të dhimbjes së madhe - por edhe tani - vazhdimisht interpret i deformimit të lajmeve dhe nga ana tjetër me anën e gazetarëve të tij na e kanë përshkruar superkriminelin Dritan Dajti se pothuajse i paska patur fajet policia, se ky na paska qenë një njeri që “lexonte shumë libra” e të tjera broçkulla që të ngjallin neveri. Duke aluduar në këtë mënyrë se krimineli nuk paska qenë aq i keq sa mendohet, afërsisht një bishë me fytyrë njeriu. Duke rrëmuar në arsenalin e shpifjeve e intrigave, që kanë qenë gjithnjë karakteristikë e propagandës komuniste, na u gjend edhe ky z. Macaj që shkon edhe më tej akuzave monstruoze edhe të vetë PS, duke kërkuar deri dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm. Duke hedhur një lumë shpifjesh në drejtim të strukturave të policisë, ky Macaj akuzon se gjoja policia qenka e “korruptuar” etj. Duke hequr një paralele me akuzat e z.Macaj dhe të vertetën që shkëlqen në dritën e diellit, na del një rezultante se ky njeri nuk ka asgjë të përbashkët me policinë e shtetit. Është një anonim me ngarkesë politike që ka një urrejtje për policinë dhe shtetin ligjor demokratik. Kjo e ashtuquajtur “sindikatë” na solli kohën e qoftëlargut Enver kur sindikatat ishin “levat e partisë”. Sigurisht puna e policisë është një detyrë mjaft e vështirë jo vetëm këtu në Shqipëri por në të gjtha vendet e botës që përpiqen për vendosjen e shtetit ligjorë. Duke shkuar me llogjikën dhe shpifjet plot hipokrizi të z.Macaj, na del se sa herë që në luftë me kriminelët vriten policë dhe ushtarë kudo në Amerikë, Afganistan, Irak etj, duhet të japin dorëheqjen Ministra, Kryeministra dhe Presidentë të Amerikës, Francës, Anglisë etj. Por shqetësimi i z.Macaj me lot krokodili dhe mllefi i tij është pikërisht në faktin se policia shqiptare pas vitit 2005, ka qenë e angazhuar në luftë të vendosur pa kompromis kundër krimit dhe kriminelëve duke e transformuar Shqipërinë shumë shpejt nga një vend ku sundonin bandat dhe krimi i organizuar, në një vend të qetë, ku sundon ligji. Shpartallimi i dhjetëra bandave dhe vendosja para drejtësisë e qindra kriminelëve ka qenë arritja më e madhe e qeverisë “Berisha”, fakt i cili ka befasuar edhe institucionet ndërkombëtare për arritjet e vendit tonë në rrugën e vështirë të demokracisë. U mësuam që të mos shikonim me kortezhe mortore të policve të vrarë ashtu si në qeveritë socialiste që u shërben z. Macja. U mësuam që më mos të kishim lajme për njerëz të vrarë dhe që kriminelët iknin në drejtim të paditur. Bashkëpunimi me policitë e tjera të vendeve demokratike dhe me Interpolin ka bërë që kriminelët tani të mos kenë vrimë ku të futen. Për herë të parë policia mori notën maksimale nga vëzhguesit ndërkombëtarë për sjelljen korrekte në funksion të detyrës në zgjedhjet e 28 Qeshorit. Asnjë nga këto arritje nuk zihet me gojë nga kjo patericë e Partisë Socialiste. Detyra e tij është të shpifë e të lëshojë tollumbace kundër Policisë së Shtetit. Nga ana tjetër, Ministri Nishani ka qenë dhe mbetet njeri nga Ministrat më të suksesshëm të kabinetit Berisha. Profesionalizmi i tij si ushtarak me cilësitë më të mira të një njeriu të guximshëm në kryerjen e detyrës, me një vizion të gjerë intelektual e politik, vendosmëria për realizimin e premtimeve elektorale dhe të programit të Partisë Demokratike, e kanë bërë atë që Ministri të gëzojë reputacionin absolut në strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe në të gjithë opinionin ndërkombëtar, por edhe këtë vendas. Ky Macaj na doli më usta se ustallarët e tij të PS që nuk mundën ta akuzojnë Ministrin me kësisoj mediokriteti. Nga ana tjetër institucionet demokratike të Europës dhe Amerikës në ngushëllimet e rastit kanë vënë në dukje vendosmërinë e policisë në luftë me krimin dhe kriminelët. “Ata u vranë duke mbrojtur popullin„ thuhet në mesazhin e Ambasadorit Amerikan Uithers drejtuar Ministrit Nishani. Ndërkohë ky Macaj na qenka më i zgjuar. Paska zbuluar korrupsion dhe bashkëpunim të policisë me kriminelët. Duke derdhur lot krokodili, kjo monstër që vjen nga analet e errëta të mentalitetit komunist, ka arritur të përvetësojë një mandat të dyshimtë si kryetar i një sindikate policie, por që në fakt ka një mision tjetër politik: Jo të mbrojë policinë, por të përpiqet të vendosë njolla të errëta në punën e saj. Është thjesht një patericë e Edi Ramës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›