E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama vë partinë në rresht, që të mbrojnë Dritan Dajtin

PD-ja ka denoncuar dje tentativën 8-ditore të Edi Ramës për të mbrojtur kapobandën dhe autorin e masakrës së Durrësit, duke sulmuar efektivat që ranë në krye të detyrës. Edvini po nxjerr përditë grarinë dhe ylberistët e tij, por vetë s’guxon t’ia përmendë emrin, pasi u druhet hetimeve të thella për lejet e ndërtimit të dhëna botës së krimit si dhe për marrëdhëniet me Bandën e Rrugës së Durrësit

TIRANE - Partia Demokratike akuzoi dje Edi Ramën se po bën avokatin e aktit kriminal të Dritan Dajtit, ndërsa e cilësoi si amoral qëndrimin e kryetarit të PS-së, i cili për gjatë tetë ditëve përpiqet të përbaltë aktin heroik të rënies në krye të detyrës së 4 oficerëve të shkëlqyer të Policisë së Shtetit.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, PD-ja bëri të ditur dje se, “Kryetari pa mandat i Partisë Socialiste, për 8 ditë me radhë përpiqet të përbaltë aktin heroik, rënien në krye të detyrës së oficerëve të shkëlqyer, nga akti terrorist i Dritan Dajtit si dhe të bëjë avokatinë e aktit terrorist  të Dritan Dajtit”.
Në të njëjtën deklarate për shtyp, Partia Demokratike, bënte të ditur më tej, se në deklaratat e njëpasnjëshme Edi Rama në asnjë rast të vetëm nuk ka guxuar të zërë me gojë emrin e Dritan Dajtit.
“Në 8 komunikatat e lëshuara njëra pas tjetrës, nga resortet turistike, ku po kalon pushimet, njeriu që përdhos kodin e zisë dhe të vdekjes së shqiptarëve trillon, shpif e mashtron për çdo gjë, por jo rastësisht nuk guxon të shqiptojë në asnjë ditë e asnjë rast emrin e superkriminelit Dritan Dajti”, thuhej në deklaratën e PD-së.
Më tej PD-ja denoncon përpjekjet e Edi Ramës, për të lehtësuar Dritan Dajtin nga akti kriminal. “Edi Rama deklaron se të rënët në krye të detyrës janë viktima të korrupsionit shtetëror dhe e bën këtë vetëm e vetëm për të lehtësuar  Dritan Dajtin nga akti terrorist  që ai kreu, për të cilin e dënon çdo shqiptar. Se çfarë fshihet prapa serialit të komunikatave të përditshme të shtypit,  të këtij bastardi të nomenklaturës së kuqe hoxhiste, në të cilat në asnjë rast e asnjë rrethanë nuk shqiptohet dot emri i terroristit  Dritan Dajti, çdo qytetar shqiptar e ka të lehtë ta marrë me mend se është vetëm një përpjekje e ulët, për të bërë për arsye politike e jo vetëm politike, avokatinë e aktit kriminal të Dritan Dajtit”, vijon deklarata e PD-së.
Më tej, PD-ja rikonfirmon vullnetin e qeverisë për “tolerancë zero” ndaj “platformës së Dajtit dhe klaneve të tij kriminale”. “Partia Demokratike dënon këtë qëndrim amoral të Edi Ramës dhe e garanton atë se sikur tre apo pesë herë në ditë të lëshojë deklarata në avokati të krimit, tolerancë zero është dhe mbetet platforma ndaj Dajtit dhe klaneve të tij kriminale, që ai ushqen me troje e leje ndërtimi në bashkinë e kryeqytetit”, përfundon deklarata e PD-së.
Reagimi i djeshëm i PD-së, erdhi pas deklaratës së deputetit të Partisë Socialiste Ditmir Bushati, i cili me daljen e djeshme të radhës, nuk bëri asgjë më shumë se leximi i deklaratave të mëparshme që kishin lëshuar Pirro Lutaj, Arta Dade, Armela Imeraj... etj., etj.
Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Saimir Duçkollari dhe Altin Dizdari, 4 oficerët e Policisë së Shtetit,  ranë në krye të detyrës gjatë një operacioni të zhvilluar në qytetin e Durrësit në 7 gusht, për arrestimin e të shumëkërkuarit, Dritan Dajti, i cili hapi zjarr ndaj tyre. Me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, 4 oficerët e Policisë së Shtetit u shpallën Dëshmorë të Atdheut.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›